Ngjarje e vërtetë: Na ndanë ambicjet e prindërve të tij (5)

  • 11 September 2019 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Na ndanë ambicjet e prindërve të tij (5)

U largova dhe e lëshova. Disa herë pendohesha për vendimin tim, por nuk e kisha ndërmend që të hiqja dorë, e as të kthehesha në atë shtëpi. Nëse më donte mua dhe djalin e vet, atëherë do t'i duhet që ta ndryshojë jetën me themel, përndryshe, do të na humbë. - Ku është Roberti? - shikonte përreth. - Është duke u përgatitur. Do të shkojë me nënën time në qendër - thashë me qetësi. E shikoja Lekën. Kishte ndryshuar. Kishte rrudha të cilat sapo i ishin paraqitur. Apo, mos i kishte pasur edhe më parë, por nuk ia kisha vërejtur. Nuk kisha pasur kohë që t'ia vëreja. - Pse? - më pyeti. - A të duhet përgjigjja në këtë pyetje? - ia ktheva me pyetje. - Çka jam unë? - e pyeta. - Një punëtore e cila punon për familjen tënde, apo gruaja jote? - e dija se ai disa gjëra do t'i shihte ndryshe, por po ashtu e dija se ai ishte krenar dhe zor se do ta pranonte të kishte gabuar.

- Ti e di se kam dashur që çdo gjë të ishte ideale - më tha ai. Për një moment, sikur më erdhi keq që isha larguar, por vetëm për pak. Nuk duhej të më vinte keq. Ai nuk kishte kohë që të më dëgjonte, të më mbështeste, e as të luftonte për familjen tonë. Duhej të largohej nga prindërit e tij. Ndoshta do të ishim më të varfër, edhe pse as ashtu nuk ishte se kishim kushedi çka, por do të ishim më të lumtur. Kjo është ajo që unë vazhdimisht e kisha në mendje. Nëna e tij kishte një plan të poshtër. E kontrollonte financiarisht, e kjo ishte arsyeja që na kishte prurë deri këtu. Nga një njeri të ri dhe të aftë, ajo kishte krijuar një të varur nga ajo. Thjesht, duhej ta linte që ta jetonte jetën e vet, por ajo kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë, derisa Leka nuk dinte si t'i kundërvihej. Ia kishte imponuar mendimin se ishte i paaftë pa të, e ai e kishte pranuar këtë mendim. Edhe ai, sikurse unë, kishte ndjekur vijën e presionit më të ulët. - Po shkojmë, përshëndetu me babin - i tha nëna Robertit pasi që hynë. Roberti ishte tepër i shqetësuar që t'i kushtonte t'et më shumë se disa momente. Shumë shpejt shkuan. U ktheva kah Leka. Nuk kisha çka t'i thosha. Me vite të tëra kisha tentuar të bisedoja me të, e tani më mungonte vullneti që ta bëja një gjë të tillë. - Asgjë nuk ishte ideale për mua - ia ktheva. Mu kujtua që nuk i isha përgjigjur në atë që kishte thënë. - Që nga fillimi isha kundër asaj që të jetonim me prindërit e tu. Kisha të drejtë. Duhej ta kishim krijuar një çerdhe të re, e jo të hynim në çerdhen e huaj. Sa kohë ma ke përkushtuar gjatë viteve të fundit? - e pyeta. Ai më shikonte sikur të më shihte për herë të parë. - Ëndërroja përqafimin tënd, kohën kur do të ishim bashkë vetëm ne të tre, si familje, por atë kohë nuk e gjenim. A e di si dukej martesa jonë nga perspektiva ime? - e pyeta. Leka i rrudhi supet. - Nuk ka rëndësi - thashë duke bërë me dorë. - Unë do t'i them kushtet e mia, e ti mund t'i thuash tuat. Nëse nuk pajtohemi, do të shkurorëzohemi - thash me një zë të njëtrajtshëm. Duart e Lekës dridheshin. Në ato momente dukej sikur ai të ishte zgjuar nga një gjumë disavjeçar dhe sikur nuk kuptonte se çka ishte duke ndodhur. Nuk shihja ndonjë dëshirë që ta ruanim lidhjen tonë, por thjesht, ai ishte i humbur dhe asgjë më shumë.

- Cilat janë kushtet? - më pyeti. - Një kohë do të rri këtu, pa marrë parasysh të gjitha. Në shtëpinë e prindërve tu nuk kthehem më. Do t'ia nis punës sime dhe do të përpiqem që sa më shumë kohë ta kaloj me Robertin. Do ta kompensoj atë që na ka ikur, të paktën me djalin tim. Të dua dhe dua që martesa jonë të mbijetojë, por kjo nuk është e mundur në shtëpinë e prindërve tu. Nuk kishe kohë për mua, as për djalin tënd. Kurrë nuk ishe në shtëpi. (vijon)


(Kosova Sot Online)