Ngjarje e vërtetë: Na ndanë ambicjet e prindërve të tij (6)

  • 12 September 2019 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: Na ndanë ambicjet e prindërve të tij (6)

- Çka propozon? - më pyeti Leka. - Ta gjejmë një banesë, ta marrim me qira. Të fillojmë nga fillimi - u ndala kur pash shprehjen e fytyrës së tij. E dija që ai nuk isha i gatshëm për ndryshime të tilla. Nuk mund t'i sakrifikonte të gjitha që të rrinte me familjen e vet. Mundohesha që ta kuptoja, por kjo nuk më shkonte për dore. Nga njëra anë gjendej nëna e tij dominuese, e cila vendoste për gjithçka. bile, ajo kishte vendosur edhe për lidhjen tonë. Ambiciet e saj ia kishin hëngër këtij kokën. Në anën tjetër gjendeshim unë dhe djali ynë, A i kisha bërë ndonjë pyetje të vështirë? Unë nuk do të hamendesha për asnjë moment, por ai hamendej. - Më duhet që të mendoj për tërë këtë - tha Leka.

- Nuk të duhet - thashë me zemërim. U ngrita. Iu afrova dritares. Njeriu i cili gjendej në të njëjtën dhomë me mua nuk ishte i njëjti me atë që isha martuar dhe me të cilin doja ta kaloja pjesën tjetër të jetës sime. Ku kishte humbur? Ku ishte zhdukur tërë ajo dashuri të cilën ai e kishte ndier ndaj meje që në fillim? Puna nuk ishte arsyetim. Ne luftojmë për idealet tona, për atë që e vendosim në krye të prioriteteve, e ai nuk e kishte vënë familjen e tij, mua dhe të birin, në krye të prioriteteve. Punonte si i marrë, gjatë tërë ditës. Nuk kishte kohë për vete, e as për askënd tjetër. Çka kishte arritur me këtë punë? Kishte bërë shtëpi? Jo. Një të ardhme më të mirë? Jo. As këtë nuk e kishte bërë. Aktualisht kishim më pak sesa që kishim pasur në fillim. Asokohe të paktën kishim dashurinë, e tani as dashuria nuk gjendej në atë masë, saqë ta zgjonte ndjenjën për të luftuar. - Jam i humbur - tha i pikëlluar. - Mendoja se kisha një jetë të mirë. - Çka? - nuk arrija të kuptoja. - A je i verbër? - nuk më kaplonte habia. - A mund të quhet martesë ajo që kemi jetuar ne? Kur më ke puthur për herë të fundit? E për diçka më të madhe as që kam mundur të ëndërroja. Ngiteshe në mëngjes dhe shkoje. Ktheheshe tepër i lodhur për çdo gjë. Nuk kishte as bisedë midis nesh.

Ishim si robotë. Sa herë kam tentuar që të bisedonim? Jo, jo. Nuk shkon. Ky është fundi - thashë, e vetëdijshme se kjo, me gjasë, ishte edhe e vërtetë. Nuk kishte kuptim ta mashtronim veten. U ballafaqova me atë nga çka ka frikë çdo femër - me shkurorëzim. Nga ai kisha pritur një sjellje krejt tjetër. E, ai u dorëzua. Vetëm kjo ishte e qartë. Nuk kishte fuqi që të luftonte, as motiv, përfundova. - Jam i lodhur - tha ai. - I lodhur nga gjithçka - zëri i kishte ndryshuar në tërësi. Në këtë aspekt e kuptoja tërësisht. E dija shumë mirë se çka ndiente. Ishte harxhuar në punë. Tërë energjinë e kishte harxhuar aty. Pse? As pas një viti pune, nuk kishte asgjë, ishte humbës, sikur edhe unë. - Çka do të bëjmë me Robertin? - e pyeta edhe pse nuk prisja që ai të më bënte probleme. - Le të rrijë me mua. Ti je babai i tij, nuk do të ta ndaloj që ta shohësh. Kjo është e tëra që mund të të premtoj. - Ika - tha Leka dhe nisi të largohej. Nuk mund ta përshkruaj sa e dëshpëruar që isha nga sjellja e tij. Ndokush tjetër, po të ishte në vendin e tij, do të bënte gjithçka për të qëndruar, për ta sqaruar situatën, apo për të dëshmuar se ende ka dashuri. Por, ai nuk e kishte bërë asnjërin nga këto veprime. - Bëj si të duash - thashë me zë të ulët. Më mungonte pak që t'ia krisja vajit. Më vinte keq për tërë atë kohë që më kishte shkuar kot. Ai u largua pa thënë asgjë, pa përshëndetje. E përcolla nga dritarja derisa u largua. Në lëvizjet e tij nuk kishte jetë.

(Kosova Sot Online)