Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (3)

  • 23 September 2019 - 15:42
Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (3)

Buzëqesha me përpjekjet e saj këmbëngulëse dhe thash si me shaka se më duhet të kthehesha në shtëpi, për të pushuar sadopak, para ndërrimit të tretë, i cili më priste për më pak se tetë orë. Në katin përdhes të ndërtesës së hirtë dhe të lartë, sikur çdo ditë tjetër, më priste gjysmëterri dhe qetësia. Gjyshja ime, të cilën mosha e shtyrë dhe dy sulme të vogla në tru gati e kishin lidhur për shtrati, dremiste para TV-së së ndezur.

Pasi që pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar duke u përkujdesur për të sëmurët, ajo tani e kishte vështirë të pajtohej me faktin se tani ajo ishte e varur nga ndihma e tjetërkujt, prandaj për këtë shkak e vajtonte veten dhe, bënte ca vërejtje. Duhej të investoja një mund të madh dhe një kohë të konsiderueshme që t'ia bëja me dije se nuk e kisha aspak vështirë që të përkujdesesha për nevojat e saj, që këtë e bëja nga dashuria dhe se ajo ishte për mua personi më i afërt në botë dhe se më shkaktonte probleme me tentimin e saj për ruajtjen e pavarësisë.

Ende pa u zgjuar ajo, e shfrytëzova rastin dhe me shpejtësi pastrova banjën dhe ia dola që të bëja edhe ca punë të vogla të shtëpisë, kur, në bazë të zërave nga dhoma e ditës, mora vesh se gjyshja ishte zgjuar. Me një drekë të thjeshtë të lehtë, e argëtoja me tregime nga jeta spitalore, të cilat kurrë nuk i ishin mërzitur, e më pas u tërhoqa në dhomën time në mënyrë që të flija sado pak.

Dikujt kjo përditshmëri e imja mund t'i dukej e zbrazët, jo interesante dhe e mundimshme, por unë në punë dhe në familjen e ngushtë, prej dy anëtarësh, gjeja qetësinë, kuptimin e jetës dhe kënaqësinë e saj. Ndërrimi i natës në spital i ka të metat, por edhe përparësitë e veta. Sa më përkiste mua, unë preferoja që të punoja natën, meqë atëherë dhomat e spitalit zhyteshin në një gjysmerrësirë, me një shpresë më të madhe për shërim.

Gjatë ditës reparti vlonte nga aktivitetet. Çdo gjë fillonte me vizitën, më pas me analizat, me shpërndarjen e ilaçeve dhe ushqimit, me veshje, zhveshje, ndërrim të çarçafëve... - Kemi një pacient të ri në dhomën numër 5. Është në një gjendje goxha të keqe dhe është duke marrë infuzion, prandaj duhet përcjellë me kujdes - ndërrimi i pasdites në mënyrë rutinore na i barti këto informata mua dhe Gjylës, një infermiereje të thinjur, të lodhur nga vitet e shumta të shërbimit, e cila mezi priste që të shkonte në pension, në mënyrë që t'iu përkushtohej nipave dhe mbesave dhe një kopshti të vogël pas shtëpie.

Nuk ia shihja për të madhe që gjatë pjesës më të madhe të ndërrimit të natës, flinte në një shtrat të ngushtë në gardërobë. Bile, një gjë e tillë më konvenonte. Një orë më vonë, kur i tërë reparti hyri në natën që karakterizohej nga shushurimat dhe frymëmarrjet, hyra në dhomën numër 5 ku, në shtratin afër dritares, nën mbulesën e spitalit shihej një person i gjatë e i thatë, koka e të cilit, e kufizuar nga flokët e gjata, të dendura dhe dredha, pushonte qetë mbi jastëk. Në bazë të frymëmarrjes së njëtrajtshme dhe të thellë, dukej se ishte duke fjetur mirë. Nga korniza e metaltë e shtratit mora fletën e tij të terapisë, për të parë të dhënat e tij. Gjithçka fliste për gjendjen e tij të vështirë.

U habita kur pash vitin e tij të lindjes, meqë ai ishte vetëm 2 vjet më i vjetër se unë. Kisha menduar se ishte më i vjetër, me gjasë për shkak të seriozitetit të sëmundjes së tij, e cila vështirë se karakterizonte moshat më të reja, por ndoshta edhe për shkak të përshtypjes që linte trupi i tij i thatë, fytyra e zbehtë e mbuluar me mjekër, ku kjo e fundit vetëm sa ia theksonte lodhjen e gjithëpranishme. (vijon)

(Kosova Sot Online)