Dashuria kërkon përkushtim

  • 25 September 2019 - 10:59
Dashuria kërkon përkushtim

Nuk mund të dorëzohesh kur gjërat bëhen të vështira! Dashuria është dhe përkushtim, një përkushtim i vazhdueshëm, i shenjtë. Ndaj nuk mund të lini çdo gjë kur gjërat fillojnë dhe bëhen të vështira.

Ekziston kjo bindje e shfrenuar në shoqërinë tonë, që i përket fjalës dashuri. Jemi të bindur se ylberi, fluturat dhe zemrat janë elementë të kësaj ndjenje dhe që marrëdhëniet ndërtohen sa hap e mbyll sytë. Kur flasim ose mendojmë për shpirtin binjak jemi të kushtëzuar dhe mendojmë se dashuria nuk kërkon punë, asnjë sforco; është aty, gjithmonë në dispozicionin tonë.

Na kanë mësuar se dashuria është e ëmbël, që na ngre gjithnjë e më lart, që është e ngjashme me ato spotet e bukura që shohim në televizor. Por kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës dhe, ndoshta, as pjesa më e rëndësishme. Pa dyshim, është pjesa më e lehtë dhe më e kënaqshme. Realiteti na thotë se dashuria është edhe dhimbje, edhe luftë. Mund të nxjerrë në pah më të mirën nga një njeri, dhe njëkohësisht, mund ta bëjë atë të bjerë në një spirale nga e cila është e vështirë të dalë. Mund të na motivojë të jemi njerëz më të mirë dhe të sjellshëm, por mund edhe të na shndërrojë në monstra të ftohta. Përvoja ka treguar që edhe marrëdhëniet e forta dhe të shëndetshme nuk janë të tilla rastësisht.

Dhe pa dyshim, nuk është e mundur që me një të kërcitur të gishtave të krijojmë një lidhje të tillë, sepse gjërat nuk funksionojnë në këtë mënyrë. Duhet kohë dhe durim: këto janë farat që bëjnë të lulëzojë dashurinë e vërtetë. Kur dashurojmë dikë, kur kujdesemi për një person dhe e dashurojmë thellësisht, nuk ndahemi thjesht për një grindje banale. Nuk përplasim derën në shenjën e parë të moskuptimit apo për një debat të kotë. Kur gjërat nuk janë më si dikur dhe nuk janë më të rehatshme, nuk lejojmë që partneri të largohet, si të ishte një kamerier, që pasi ka mbaruar së shërbyeri largohet për porosinë e radhës.

Sado e vështirë që mund të jetë, duhet gjithmonë të mendoni dhe të vendosni se ia vlen ende barra qiranë që të luftoni dhe të përpiqeni. Duhet të qëndroni bashkë dhe të bëni më të mirën derisa gjërat të funksionojnë, edhe pse kjo gjë kërkon punë dhe mundim, netë pa gjumë dhe shumë përkushtim. Asgjë e rëndësishme nuk arrihet lehtë, kërkon shumë vëmendje, përkujdesje dhe durim.

Kur jemi të dashuruar, mësojmë të pranojmë edhe kompromise për të mirën e marrëdhënies. Kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga vlerat tuaja apo të humbisni individualitetin tuaj në një lidhje. Por duhet të keni tendencën të bëni çdo gjë, edhe diçka më shumë, edhe me kushtin që të sakrifikoni kohë dhe energji. Pa dyshim nuk është e lehtë, por është diçka që duhet bërë.

Jeta në çift është e mbushur edhe me momente inati, lot, frustrim dhe ndonjëherë edhe me mungesë shprese. Në këto raste duhet të kujtoni se mund të jeni mjaftueshëm të fortë që të kaloni gjithçka. Nuk është e mundur që t’i evitoni stuhitë në dashuri, momentet e krizës, por mund t’i kaloni ato kur dashuroni sinqerisht. Të dy bashkë.

(Kosova Sot Online)