Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (5)

  • 25 September 2019 - 14:54
Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (5)

Të njëjtën pasdite më kaploi xhelozia, një shoqëruese jo e këndshme e pasigurisë së të dashuruarve, sidomos të atyre që nuk e dinë se a ndjen edhe pala tjetër sikur ata, apo jo. Mos është i martuar apo ka të dashur? Ishte kjo një pyetje e cila më qarkullonte në mendime, e përcjellë me një mendim jo të këndshëm se, njëra nga këto gjëra me gjasë ishte e vërtetë.

Për kushedi çfarë arsyeje, e cila nuk më ishte mjaft e qartë, nuk mblodha mjaft guxim që ta pyesja haptazi, prandaj mundohesha që të bëja dredhi të vogla. - Dëshiron të të ndihmoj që të rruhesh, para se të të vijë vizita? - e pyeta, në çka ai u përgjigj duke bërë me dorë dhe duke thënë se kjo nuk kishte rëndësi. Duke parë një femër të re, të bukur, duke u ulur në mënyrë elegante në skaj të shtratit të tij të spitalit, duke u përkulur ndaj tij, duke i folur diçka për çka ai qeshi, e sytë iu mbushën me butësi, për paksa nuk bërtita nga mundi.

U ndala në korridor duke i shikuar tinëz, duke e lënduar veten time me vetëdijen rreth ekzistimit të lidhjes së tyre, e cila lidhje manifestohej në çdo shikim, prekje dhe lëvizje që bënin. E hutuar nga sjellja ime e çuditshme dhe nga ndjenjat e pakuptimta, duke shikuar një të sëmurë të rëndë sesi me shikim përcillte një vajzë tepër të bukur, zeshkane, duke u larguar, pyesja veten si ishte e mundur që një gjë e tillë të më ndodhte mua, që dashuria të më godiste në një moment të papërshtatshëm, që mundimet e hidhura, por edhe të ëmbla të rënies në dashuri aq me sukses ta kaplonin arsyen time.

- Ajo është e dashura jote? Tepër e bukur qenka! - nuk munda të mos flisja derisa ia veja infuzionin e ri. - Ajo është motra ime. Nuk kam dashnore - mezi arriti të fliste nga lodhja, por shikimi i tij më tregoi se ai kuptoi të gjitha mesazhet e pathëna nga ana ime. U skuqa, jo vetëm pse u zbulova, por edhe pse ai ma bëri me dije sesi gjendja në të cilën ndodhej nuk i jepte fuqi për lojërat e komplikuara midis një djali dhe një vajze kur ndodhë "diçka" midis tyre. Kjo më turpëroi shumë, meqë unë dhe ai ishim tepër larg të qenit çift në lojën e joshjes, ku unë i kisha vënë hiret e mia para nevojave të tij reale.

Disa ditë më vonë u binda se ndjenjat që kisha ndaj tij, nuk ishin as të rastit, e as sipërfaqësore. Ato ditë mjaftuan që, më pak me anë të bisedave të shkurtra, e më shumë me anë të asaj të pathënës, të kuptoja se kisha rënë në dashuri me një njeri me karakter tepër të butë, me një optimist të hapur, i cili kishte një dashuri të madhe ndaj botës dhe jetës dhe një besim tepër të madh për të ardhmen. Ishte me të vërtetë tragjike që një njeri i tillë të ballafaqohej me tmerrin që sillte sëmundja.

- Kam frikë - më tha mëngjesin e asaj dite kur duhej të vinin analizat e tij, kur duhej të vihej diagnoza. - E çuditshme do të ishte sikur të mos kishe frikë - iu përgjigja duke pëshpëritur, duke u ulur në skaj të shtratit të tij dhe duke ia kapur dorën e ftohtë. Qëndruam ashtu derisa erdhi ndërrimi tjetër, gjatë së cilës kohë isha munduar që, sadopak, t'ia largoja mendimet nga më e keqja. (vijon)

(Kosova Sot Online)