Roman dashurie: Lidhja e pashkëputur (27)

  • 25 September 2019 - 14:57
Roman dashurie: Lidhja e pashkëputur (27)

Sa herë pranoi se e donte? Me mijëra herë! E, si ia kishte dëshmuar këtë atë natë, kur ajo, me plot dashuri, i kishte treguar se kishte ngel shtatzënë? A e kishte përqafuar duke u gëzuar me të? Jo! E kishte lënë, meqë me asnjë kusht nuk donte që të bëhej baba... Mori frymë thellë kur u dëgjua përsëri zilja e telefonit. - Unë jam, Roman - tha nëna e tij, me një zë të dridhur.

- A mund të vish menjëherë? - Babai nuk është mirë? - Jo, jo. Kanë ardhur vëllezërit e tu... Romani mbeti i hutuar. I vetëdijshëm rreth obligimeve familjare, e dinte se i duhej që ta shtynte darkën me Catherinen dhe Moiran, meqë nuk mund t'i zhgënjente prindërit në një situatë të tillë. - Për dhjetë minuta aty jam. Catherine u lajmërua nga automobili, me anë të celularit.

- Do të duhet ta ndryshojmë planin. - Pse? Mendoja që sonte duhej ta bënim këtë bisedë. - Kështu duhej - tha Roman. - Por, pak më parë më telefonoi nëna. Në shtëpi mbretëron një kaos i vërtetë. Nëse arrij që të kryej punë më herët, ndoshta edhe do të takohemi për darkë. - E, ç'u bë me Joen? - Do të bisedoj me të. nuk do të vijë ta marr Moirën derisa të mos bisedoj me të.

- Të faleminderit - ofshau Catherine. Zemra e Romanit rrihte si e marrë kur e ëma ia hapi derën. Shkoi me të nëpër korridor dhe hyri në dhomën e ditës, ku qëndronin katër burra. Ishte evidente se ndiheshin në siklet. Babai nuk ishte aty, me gjasë kishte ikur. Pasi që e pa Romanin, Patriku iu drejtua: - duket sikur të kanë ftuar që ta nxjerrësh pataten e valë nga zjarri? Romani e injoroi këtë provokim dhe, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ia vuri nënës dorën në sup. Më pas u përshëndet me tre të tjerët. Cathlen Bates ishte e zbehët prandaj Romani i tha me butësi:

- Mama, a mund të na pjekësh ëmbëlsira me lajthi? Ryan dhe Mike u shikuan. - Nuk ka shumë që folëm rreth këtyre ëmbëlsirave - buzëqeshi Ryan. - Ende na kujtohet sesi nëna, në raste të veçanta, na piqte këtë ëmbëlsirë - dukej sikur gruaja për të cilën e kishte fjalën Ryan, kishte kohë që kishte vdekur. Zonja Bates u ndal në derë, derisa në fytyrë iu paraqit një gjysmë buzëqeshje.

- A ju kujtohet kjo, a? - Pasi që u takuam shumë vjet më vonë unë dhe Ryan, shkova për ta blerë këtë ëmbëlsirë - tha Mike. Romani e shikoi nënën. Asaj i ishin mbushur sytë me lot, prandaj u përgjigj në vend të saj: - Nëna e bën këtë ëmbëlsirë edhe sot e kësaj dite, për Pashkë, Kërshëndella dhe ditëlindje. E ty, Sean? A të kujtohet ndonjë gjë?

- Më kujtohet ajo ditë kur kuptova që prindërit na kanë braktisur - u përgjigj me zemërim. Cathlin e uli kokën derisa lotët filluan t'i rridhnin faqeve. - Më vjen keq - pëshpëriti. - Nuk mund ta marrësh me mend sa më vjen keq... Romani e qortoi vëllain duke e shikuar ashpër. - Për këtë ke ardhur? Që ta lëndosh? - Mendoj se kemi të drejtë që të jemi të zemëruar - tha Ryan me qetësi.

Megjithatë, Roman nuk mund të lejonte që ta lëndonin nënën. Meqë biseda nuk shkonte në drejtimin e duhur, e kapi të ëmën për dore. - Mami, të lutem, na përgatit ëmbëlsira! Sapo zonja Bates shkoi në kuzhinë, Romani u kthye kah vëllezërit. - Si mund të vinit pa paralajmërim? Prisja që të më njoftonit dhe se do të mund ta përgatisja nënën për takimin me ju.

E di se prindërit ishin të papërgjegjshëm ndaj jush dhe se duhet biseduar rreth kësaj... - Ti do të duhej ta dije këtë më së miri - tha Patrick duke u ngritur. - Çdo ditë takohesh me fëmijë të braktisur, prandaj nuk e kam të qartë si mund t'i mbrosh prindërit tanë? - Në rregull - tha Ryan duke tentuar t'i qetësonte gjakrat. - Asgjë nuk është në rregull! - bërtiti Patrick. - Unë po shkoj, e ju bëni çka të doni! (vijon)

(Kosova Sot Online)