Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (6)

  • 26 September 2019 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (6)

Atë mëngjes nuk shkova në shtëpi, por në restorantin e spitalit u ula për ta pirë një kafe, duke pritur analizat e Kolës dhe çka kishte vendosur mjeku i tij. - Lajmet janë të këqija dhe të mira. Lajmi i keq është se me të vërtetë kemi të bëjmë me një tumor, e lajmi i mirë është se ai është zbuluar me kohë dhe, pas disa ditësh, do të operohet. Por, pse po interesohesh kaq shumë për të?

Çka është duke ndodhur? - Kaltrina kaloi menjëherë "në thelb". Mundohesha t'i bëja bisht pyetjes, duke dhënë ca shpjegime jo bindëse, por shoqja ime më njihte tepër mirë. - Ti je dashuruar! E pabesueshme! - me një kombinim të neverisë dhe befasisë, këto fjalë i tha me një zë aq të lartë, saqë njerëzit nga tavolinat përreth u kthyen kah ne. Meqë unë vazhdoja të heshtja, me faqe të skuqura, duke evituar shikimin e saj, ajo vazhdoi që të fliste:

- E di, sikur të ishin ca rrethana të tjera, ky zbulim fenomenal që vërteton se edhe ti je vetëm një qenie e thjeshtë njerëzore, e dobët ndaj dashurisë sikur edhe të gjithë të tjerët, do të më gëzonte. Por, të dashurohesh në një pacient, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë, kjo kufizohet me çmenduri. Për të mos thënë se nuk është as aq etike e as nuk do të shikohej mirë nga shefat.

Ma bëj një të mirë dhe më trego se çka është duke ndodhur me ty?! Si mund t'ia shpjegoja ndokujt se çka ishte duke ndodhur me mua, kur as vetë nuk kisha gjetur shpjegim, pa marrë parasysh sa e kisha kërkuar? Si ta përshkruaja ndjenjën, e cila më kishte kapluar kur shikimi im për herë të parë ishte takuar me shikimin e tij? Si ta përshkruaja atë ndjenjën e cila vetëm sa vinte duke u thelluar, pasi që kuptova që as Kola nuk ishte indiferent ndaj meje? Meqë nuk arrita të thosha më shumë sesa vetëm ca dërdëllitje, Kaltrina arriti deri te përfundimi fitimtar: - E di! Me gjasë vuan nga ndonjë sindromë Florence Nightingale.

Kjo është! Meqë assesi ndryshe nuk mund të shpjegohet sjellja jote. Shikoje veten: punon si infermiere, jeton me gjyshen e paralizuar, për të cilën përkujdesesh çdo ditë dhe as që të shkon mendja që të kërkosh ndihmë, e tash edhe je dashuruar në një djalë të sëmurë rëndë. Vija e përbashkët këtu ishte e qartë si dita. Përpos kësaj, a nuk është me të vërtetë pak e çmendur që të dashurohesh në një njeri tërësisht të huaj, për të cilin di vetëm një informatë: se ka të ngjarë që të mos jetojë deri javën, apo muajin e ardhshëm?

Kaltrina nuk tha asgjë që tanimë nuk më kishte rënë ndërmend mua. Por, edhe pse Kola ishte paraqitur në jetën time vetëm para disa ditësh, mua më mjaftoi kjo kohë e shkurtër që ta njoh sinqeritetin e ndjenjave të mia. Kola ishte i mençur dhe i kujdesshëm, e kur herë pas here i kthehej fuqia, nga ai dilte një çiltërsi e tillë e shpirtit, gjithmonë e gatshme për shaka. (vijon)

(Kosova Sot Online)