Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (4)

  • 01 October 2019 - 15:22
Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (4)

Me Gjylën shkuam në pushim. Asaj nuk i tregova se, një pjesë e zemrës sime, mbeti me Robertin. Edhe pse ajo përpiqej që të më kyçte në bisedë, unë nuk isha me mendje aty. Vazhdimisht mendoja për Robertin. Më mungonte. Zemra më copëtohej nga të gjitha ato kujtime të cilat harliseshin në mua. E kisha të qartë se gjendesha në një udhëkryq dhe se veprimet e mia në vijim do të vendosnin për të ardhmen time. Çka mund të bëja që ta ndryshoja Robertin? Kisha frikë që përgjigja në këtë pyetje nuk do të më pëlqente aspak. Nëse e braktis, nëse ia ndali paratë, ai do ta gjejë një tjetër dhe kaq. Ky do të ishte fundi. - Nuk më duhet të të pyes për çka mendon - tha ajo me një shprehje të fytyrës, të cilën nuk di si ta përshkruaj. Në një moment mu duk sikur ishte e zemëruar, në momentin tjetër se më dënonte, e më pas sikur mezi priste që të më ndihmonte, duke mi lehtësuar vuajtjet. Mundohej që të më ndihmonte duke ndikuar në vendimin tim. Pa marrë parasysh çka do të vendosja, ajo kurrë nuk do të më kritikonte, sikur që do të bënte ndokush tjetër. Me prindërit isha grindur shpeshherë, mu për shkak të Robertit. Nuk e donin, e as nuk ishin të gatshëm që të shtireshin sikur e donin.

- Çka të bëj? - e pyeta Gjylën. - Roberti do të më braktisë. Pasi t'i harxhohen paratë, do të zhduket edhe lidhja e fundit që na mbante bashkë. Me të vërtetë nuk kam për qëllim që të gaboj sikur deri më tani - i thashë. Gjyla buzëqeshi. Fytyra i ndërroi në tërësi. - Ti je një femër e veçantë. Të duhet dikush që të do dhe që di t'i vlerësojë vetitë tua. Çka do të ndodhë kur Roberti më nuk do të jetë i bukur? Atë më të bukurën e vet ua ka dhënë grave të tjera. Nuk e di, por unë nuk do të mund ta duroja këtë. Dashuria sjell edhe posesivitetin e vet, e ai këtë ndjenjë e ka vetëm ndaj parave. Ai nuk të do. E di se kjo tingëllon tmerrësisht keq, por është e vërtetë. Ai e do vetëm jetën që ia ke ofruar, i pëlqejnë paratë dhe fuqia që ato ia japin. E ti, kush je për të? Ajo që pret derisa të tjerat të ngopen me të. Ai të përjeton si bankomat, bile si bankomat që jep para pa punë. Pse ia lejon këtë? - më pyeti. - E dua - kjo ishte përgjigja e vetme që sipas meje, shpjegonte gjithçka. Askush, pra as Gjyla nuk dinte çfarë ferri kisha përjetuar. Ai ferr nuk kishte fund. Më kishte shkatërruar në të gjitha mënyrat e mundshme. Isha shndërruar në hijen time. Edhe vet isha e vetëdijshme se Roberti nuk mund të kënaqej vetëm me një femër. Në vend të zemrës, ai kishte një kalkulator. Dinte si ta shfrytëzonte bukurinë e vet, ta shndërronte atë në para, duke përfituar vetëm ai. Kurrë nuk më kishte pyetur si ndihesha, e as a ndihesha e dashur.

Duhej ta lija, por qysh?! Çka do të bëj pa të? Me zor ia pranova vetes se, më me dëshirë do ta ndaja me dikë tjetër, sesa ta humbja përjetë. Pse dashuria mund të na shndërrojë në të mjerë, të panjohur? Kisha shumë oferta për martesë, kishte meshkuj të cilët më adhuronin, e unë kisha zgjedhur atë që më shkatërronte. - Ti ke jetuar edhe pa të, para se ta njihje. Kjo duhet të marrë fund. Do ta shkatërrosh veten tënde - thoshte Gjyla. - Në një masë të madhe ti tanimë e ke bërë një gjë të tillë. Sikur të mund të t'i jepja sytë e mi e, me ta, ta shikosh veten tënde. Të gjithë ata që të duan ta thonë të njëjtën gjë. Të lutem, të paktën mendo rreth fjalëve të mia - më tha duke më kapur për dore. Kisha mbështetjen e saj. E dija se, në çdo moment mund të llogarisja në të. (vijon)


(Kosova Sot Online)