Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (5)

  • 02 tetor 2019 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (5)

Në pushim qëndrova dy javë. Më nuk mund të duroja. Gjatë kësaj kohe, Roberti nuk më telefonoi as edhe një herë të vetme. Sjellja e tij vërtetonte frikët e mia. Nuk i mungoja, e ndoshta as që kishte parë se nuk isha aty. Mendova mirë për të gjitha, por nuk mund ta merrja asnjë vendim. Një pjesë e imja donte njërën gjë, derisa pjesa tjetër, gjënë tjetër. Kur u ktheva Roberti nuk gjendej në shtëpi. këtë as që e prisja. Banesa ishte në një kaos të vërtetë. E kisha pushuar pastruesen për disa ditë dhe tani u pendova për këtë. Një pjesë e rrobave të mia gjendeshin gjithandej dyshemesë. Nuk ishte e mundur… Kishte ndodhur ajo nga çka kisha pasur më së shumti frikë. Roberti paska pru femra në banesën time. Më vinte të villja. U ula. Më duhej një gotë ujë, që ta merrja veten, edhe pse e dija se as edhe kjo gjë nuk do të më ndihmonte.

Çka tjetër do të duhej të ndodhte, që të më hapeshin sytë? Ai nuk kishte kurrfarë respekti ndaj meje. Nuk i kisha dhënë para për hotel, prandaj e kishte përdorë banesën time për kurvat e veta. Kishte menduar se nuk do të kthehesha ende, por ma merr mendja se ai nuk do të mërzitej edhe sikur ta dinte se do të kthehesha. I mblodha ato rroba dhe i hodha në shportë të mbeturinave. Nuk mërzitesha se ato i kisha blerë me para. Me asnjë kusht nuk do t'i vishja përsëri. E urreja veten për shkak të situatës në të cilën ndodhesha. Mirë më kishte thënë Gjyla. Sjellja e tij do të vinte duke u përkeqësuar. U mundova që ta pastroja banesën aq sa mundja në atë situatë. Pjesën më të madhe të gjësendeve që gjendeshin jashtë ormanit, i hodha në mbeturina. Lotët më rridhnin nga sytë. E hapa një shishe me verë. Më duhej diçka që të më qetësonte. Pasi që e piva gjysmën e shishes, u nisa kah ormani ku gjendeshin gjësendet e Robertit. Fillova t'i nxirrja jashtë. Jo, nuk do të ndodhte ashtu sikur që kishte menduar ai. Kjo gjë duhej të merrte fund. Mund të vazhdoja ta doja deri në fund të jetës, por këtë më nuk mund ta toleroja. Ose do të ndryshonte, ose do të largohej.

Edhe pse, qysh tani, e dija çka do të vendoste ai. Duke nxjerrë rrobat e tij, sikur përshëndetesha me të kaluarën, me gjithë atë që më kishte lidhur me të. Kishte shumë kujtime të mira, disa "shkuarje" në parajsë, por ferri ishte aq i theksuar, saqë kisha filluar të mësohesha edhe me ferrin, gjë që krenaria ime, ajo që më kishte mbetur, nuk ma lejonte assesi. Nuk munda ta shpëtoja veten time. Roberti erdhi te unë pak para se të agonte. U ngrita, nuk dija ç'të bëja. - Qenke dehur - tha Roberti në vend të përshëndetjes. - Nuk ma le asnjë qindarkë - filloi menjëherë me ankesa. I rrudha supet. E shikoja. Alkooli e kishte theksuar dobësinë time, por edhe forcën. Në atë gjendje isha e gatshme ta bëja atë që esëll, nuk do të mund ta bëja. - Gjërat tua janë atje - ia bëra me gisht kah grumbulli i rrobave të shpërndara nëpër dysheme. - Pse? - më pyeti ai, me një shprehje të pacaktuar të fytyrës. (vijon) 

(Kosova Sot Online)