Ngjarje e vërtetë: Në vend të gjyshit u bëra baba (1)

  • 13 tetor 2019 - 15:21
Ngjarje e vërtetë: Në vend të gjyshit u bëra baba (1)

Shpesh mendoja çka do të bëja nëse gruaja një ditë do ta merrte vesh nga çka jetojmë. Paramendoja situata të ndryshme, arsyetime më parë të paramenduara. Diku në vete përgatitesha për atë që do të mund të pasonte. Pa marrë parasysh sa e kisha imagjinatën e zhvilluar, nuk mund ta merrja me mend sesi do të shembej kulla me karta të cilën e kisha ndërtuar. Më kurrë nuk do të mendoj paraprakisht rreth ardhmërisë. Do të jetoj sot për sot, orë për orë. Duke u shqetësuar rreth ardhmërisë kisha humbur momente të cilat do të mund të ishin të shenjta. Pa marrë parasysh çfarë planesh bëjmë, jeta ndjek rrjedhën e vet, kryesisht të paplanifikuar. Jetën duhet jetuar në të tashmen, të kaluarën t'ia lëmë të së kaluarës, e të ardhmen, të ardhmes. Vetëm kështu jeta mund të ketë kuptim. Atë ditë, gruaja ime Vera u kthye nga blerja shumë më herët sesa që kthehet zakonisht. Për befasinë time të madhe, në duar nuk kishte asgjë tjetër, përpos çantës së saj personale. Mendova mos i ka lënë gjësendet në automobil.

- Vera, ma jep çelësin! Unë do t'i sjell gjësendet nga vetura - i thashë, pasi që më përshëndeti. - Nuk bleva gjë - ma ktheu ajo, e në bazë të shprehjes së fytyrës dhe tonit të zërit, shihej qartë se nuk ishte në humor të mirë. E la çantën në tavolinë, e më pas u ul në kauçin përballë meje. I kryqëzoi duart, e vuri këmbën mbi këmbë dhe filloi që të më shikonte drejt e në sy. Kurrë nuk ishte sjellë kështu. Zakonisht ishte e gëzuar dhe e lumtur, sidomos kur kthehej nga blerja. Në mua filloi që të ndizej alarmi, se më priste diçka e papritur. E përpiva pështymën, duke pritur me padurim zhvillimin e situatës. Vera vazhdonte që të rrinte ulur, duke mos m'i shkoqur sytë. Nuk di sa zgjati një gjendje e tillë, por mua mu duk si një përjetësi e tërë. Në fund, nuk munda më që ta duroja atë situatë. Mblodha guximin dhe iu drejtova. - Vera, pse më shikon ashtu? A ka ndodhur diçka? - belbëzova, sikur fëmija që e zënë me duar në pekmez. Prisja një stuhi dhe ortek, rrufe nga ana e saj, derisa në ndërkohë e përgatisja mbrojtjen time. - Është pak të thuash "ndodhi diçka" - u përgjigj përfundimisht, duke ofsharë. Për një moment krejt para syve mu bë zi. Isha i bindur se kishte ardhur "Dita ime D", dita kur do të binte maska.

- Vera, të lutem, ma jep një mundësi që t'i shpjegoj të gjitha. Do të t'i shpjegoj të gjitha. Të lutem, më dëgjo dhe mos më paragjyko - fillova të kuis sikur qen i leckosur duke e shikuar me shikim lutës. Sytë e saj e humbën shkëlqimin, e fytyra sikur përnjëherë t'i bëhej skulpturë. Isha në panik, i cili më kishte kapluar të tërin. Mund ta shihja duke u ngritur, duke m'i marrë fëmijët dhe duke u larguar. - Petrit, për çka e ke fjalën? Çka ke mundur të bësh, që të jetë kaq e tmerrshme? Nuk i ke ndihmuar ndonjë plake që ta kalonte rrugën? Apo, ndoshta, nuk i ke mbledhur të gjitha gjethet në kopsht dhe tani më kërkon falje? - më thoshte ajo, derisa këto fjalë vetëm sa më hutonin edhe më shumë. (vijon)

(Kosova Sot Online)