Roman dashurie: Në shikim të dytë (12)

  • 16 tetor 2019 - 15:04
Roman dashurie: Në shikim të dytë  (12)

U la dhe i teri flokët. Ishte uritur keq, por disi nuk i hahej. Mbaroi së veshuri, kur dëgjoi një të trokitur të lehtë në derë. E hapi derën dhe u habit kur e pa menaxherin e hotelit, i cili u përkul lehtë duke e përshëndetur. - Më falni nëse ju shqetësoj, zonjushë. Jam i lutur t'ua përcjellë përshëndetjet e sheikut Harad Ben Akib. Ai ju fton që të darkoni bashkë në restorantin e hotelit. - Unë... Unë nuk e di kush është ai... - belbëzonte Jayda e hutuar, edhe pse e dinte se sheiku Harad Ben Akib ishte ai arabi i ri, i cili e kishte shikuar më herët. - Ai është një zotëri i njohur, me biografi të mirë. Garantoj personalisht! Familja Ben Akib gëzon një respekt të madh në Dubai. Sheiku Harad dekadën e kaluar ka qëndruar në Amerikë, kështu që flet anglisht shumë mirë.

Do të jeni tërësisht e sigurt me të, zonjushë. Jayda mendonte ta refuzonte këtë ftesë, sikur që kishte refuzuar ftesat e meshkujve të tjerë, prej se ishte me Marcusin. Por, më pas iu kujtua sesi e kishte lënë Marcusi dhe kishte vrapuar në përqafim të gruas së tij dhe se ai, me gjasë as që e donte atë. Kjo zgjoi një zemërim të madh te ajo. Përndryshe, ishte edhe e uritur dhe e vetmuar. Nuk donte të njoftohej me dikë, e as të bisedonte, por edhe më pak dëshironte që atë mbrëmje ta kalonte e vetme. - I thoni sheikut se e pranoj ftesën e tij dhe se do të zbres në restorant për dhjetë minuta. Menaxheri përsëri iu përkul, para se të largohej. Derisa ndërronte rrobat dhe vinte grimin, Jayda vazhdimisht kishte një buzëqeshje të hidhur në fytyrë. Ishte duke u përgatitur që të darkonte me një sheik të pashëm, gjë që do të ishte ëndërr e çdo vajze tjetër, derisa ajo vuante për mashkullin i cili e kishte lënë pa mëshirë dhe kishte shkuar te gruaja e vet. Nuk ishte e vetëdijshme se mu për këtë i kishte interesuar sheikut dhe e kishte bërë atë tërheqëse për të. Ai kishte parë te Jayda një femër që di të dashurojë edhe kur mashkulli e linte. Kur u paraqit para tij, Harad e shikoi me respekt dhe i magjepsur, por pa e fshehur as shikimin prej mashkulli, me të cilin analizonte trupin e saj. Shihej se kishte sy eksperti. Për dallim nga takimet me meshkujt e tjerë, që i interesonin, kësaj here Jayda nuk ndihej e shtanguar. - Më bëtë tepër të lumtur që pranuat ftesën time për darkë, zonjushë - sheiku Harad Ben Akib ishte aq i përzemërt, saqë Jaydas i dukej se e njihte për një kohë të gjatë.

- Do të bëj gjithçka që të mos pendoheni për këtë. Dijeni se këtë mbrëmje ua kushtoj vetëm juve dhe silluni në pajtim me këtë gjë. - Urdhëroni? - tha Jayda, duke buzëqeshur e hutuar. - Unë... Unë nuk e di si prisni që të sillem? Harad Ben Akib buzëqeshi duke vënë në pah fascinimin e tij. - Te femrat më së shumti vlerësoj modestinë, sjelljen e dashur, naivitetin... Këto janë veti të cilat nuk mund të aktrohen, e as të aktrohen. Te ju i pashë të gjitha këto, zonjushë. Dhe, pyetja juaj edhe më shumë më bindi në këtë. - Natyrisht se nuk keni gabuar - e ndërpreu Jayda me ironi.

(Kosova Sot Online)