Roman dashurie: Në shikim të dytë (14)

  • 18 tetor 2019 - 17:11
Roman dashurie: Në shikim të dytë (14)

E hodhi qaforen në tavolinë dhe e shikoi atë me neveri, sikur të bëhej fjalë për ndonjë gjarpër të ngordhur, e jo për një stoli të shtrenjtë të arit, të mbushur me rubinë. Me gishta ngjeshte qafën, duke dashur që ta largonte ndjenjën që qaforja ia shkaktonte në lëkurë. - Unë... tërësisht kisha harruar se e kisha në vete... - tha e habitur, duke mos ditur me çka ta shpjegonte sjelljen e saj të çuditshme. Femrat rëndom nuk neveriten ndaj qaforeve me gurë të çmueshëm. Nuk i përjetojnë si zinxhirë, që i shtrëngon në fyt. E Jayda e përjetonte atë mu ashtu. E shikonte me turp Haradin, me keqardhje për sjelljen e vet. Por, Haradit sikur çdo gjë i ishte e qartë. shprehja e tij e fytyrës, plot mirëkuptim, fliste vetë për vete. - A mundem? - e pyeti, duke bërë me gisht kah qaforja.

Ajo u pajtua duke i mbyllur sytë. - E bukur është - pëshpëriti duke e sjellë qaforen nëpër dorë. - E shtrenjtë. Dhe, ju rrinte për mrekulli. Do të duhej t'ju takonte juve, e jo asaj gruas tjetër. Jayda përnjëherë e shikoi Haradin, duke u habitur me komentin e tij. - Si... si e dini...? - Më besoni, nuk e pata vështirë t'ia qëlloja - i buzëqeshi përsëri, duke ia shkelur paksa syrin dhe duke e thirrur menaxherin që t'iu afrohej. - Nëse nuk keni gjë kundër, do ta lus që t'ua ruajnë qaforen në kasafortë, derisa të largoheni. - Mendoj se kjo do të ishte më së miri - u pajtua ajo menjëherë, duke e ulur shikimin.

Ndihej si e zhveshur edhe e turpëruar dhe kjo ndjenjë nuk i pëlqente aspak. Nuk i pëlqente që Haradi e dinte që qaforja ishte dedikuar për një femër tjetër. Nuk ishte aspak e vetëdijshme sa i pëlqente Haradit në ato momente. Me qëllim që ta largonte ndjenjën e papritur të turpit, Jayda filloi që ta grimconte bukën të cilën kamerieri e vendosi në tavolinën e tyre. E mbante shikimin të ulur, duke e pyetur veten se çka kërkonte në atë tavolinë, ajo, e cila i kishte shërbyer një mashkulli që ta provonte në të qaforen që e kishte blerë për gruan e vet. besonte se ky ishte tipari kryesor i identitetit të saj. Por, Harad nuk e përjetonte në këtë mënyrë.

Për të, ajo ishte diçka tjetër, shumë më shumë. -E dini, dashuria ndonjëherë është vetëm iluzion... - mori guximin që ta thoshte këtë dhe, me të, ta fillonte temën që i interesonte, për ta ditur se deri në ç'masë ishte Jayda e lidhur për dashnorin e saj. - Mendoni se nuk i kam analizuar ndjenjat e mia ndaj Marcusit?! - e pyeti furishëm, duke e ngritur kokën papritmas. - Po! Edhe atë shumë herë! Me shpresë që dashuria ime të dëshmohet të jetë iluzion! Por, çdo herë bindesha se bëhet fjalë për diçka serioze. Më serioze sesa që do të dëshiroja! - Marcus? Kështu quhet ai, i... - I dashuri im! - tha ajo me sarkazëm, duke kafshuar një copë të madhe të bukës, në mënyrë jo aq të hijshme për një femër. Edhe ky gjest për Haradin ishte tërheqës. Haradi qeshi tinëz me këtë gjest, duke e konsideruar atë të parrezistueshëm. - Mbetem te konstatimi se ju nuk jenë e dashuruar në Marcusin, Jayda.

Ishte evidente që Harad kishte vendosur të shkonte deri në fund me temën e nisur, meqë vlerësonte se edhe Jayda ishte e gatshme për një gjë të tillë. - Dashuria gjithmonë është e njëanshme. Ky konstatim i shkaktonte dhembje, por ngapak edhe e zemëronte,prandaj papritmas e ngriti shikimin dhe e shikoi Haradin. Por, ende pa arritur të thoshte diçka, kuptoi që ai kishte të drejtë. (vijon).

(Kosova Sot Online)