Roman dashurie: Në shikim të dytë (19)

  • 23 October 2019 - 15:07
Roman dashurie: Në shikim të dytë  (19)

Gjatë ditëve në vijim, Marcusi vazhdoi që ta thërriste çdo ditë Jaydan dhe ta vërtetonte lëvizjen e saj. Çdoherë, me zemërim dhe me ashpërsi, i thoshte si të sillej me kujdes dhe ia rikujtonte faktin që ai nuk do ta lejonte sjelljen e saj të pabesë. Për shkak të tërë asaj që thoshte Marcusi, Jayda ishte nën presion të madh, por kjo nuk e pengonte që të argëtohej mirë me Haradin. Sikur edhe që i kishte premtuar, ai e çoi në lokacione atraktive, të cilat gjendeshin në qytet dhe jashtë tij. Kështu ata të dy vizituan të gjitha objektet, sheshet, entet kulturore, restorantet, qendrat tregtare. U vozitën edhe me jahtin e Haradit dhe kaluan një pjesë të mirë të plazhit të rërës, me gjatësi 30 km.

Kurrë nuk hanin në një vend, në mënyrë që Jayda të provonte sa më shumë specialitete, karakteristike për kuzhinën arabe. Kudo priteshin me nderime dhe përcilleshin me dhurata. Jayda ishte e fascinuar me tërë këto ndodhi, por asgjë nuk mund të krahasohej me përshtypjet që i fitoi kur dolën në shëtitje në shkretëtirë. Asnjëherë nuk kishte qeshur më me gëzim sesa kur kishte hipur mbi deve dhe, bashkë me Haradin, ishin nisur për ta vizituar një fshat beduin. Në fshat shikoi perëndimin madhështor të diellit, i cili e verbëroi me bukurinë e tij. I ishte shumë falënderues Haradit që e solli në këtë fshat dhe ia mundësoi që t'i shihte këto pamje me të vërtetë mbresëlënëse. E, ai ishte i stërlumtur për shkak se gjeti një vajzë të cilës më shumë i pëlqente perëndimi i diellit në shkretëtirë, sesa dritat e neonit në qytet. Gjatë të gjitha atyre ditëve të kaluara në shoqëri me Jaydan, Haradi u soll si një xhentëlmen i vërtetë. U përkujdes që me asnjë shikim, me asnjë prekje, me asnjë fjalë të mos tregonte sa i pëlqente Jayda, sa ishte i interesuar në të. I drejtohej asaj me një prirje miqësore, ashtu sikur edhe i kishte premtuar.

Por, Jayda e dinte, e ndjente se prirja e Haradit nuk ishte vetëm miqësore. I vinte keq që nuk mund t'ia kthente simpatitë. Kjo rrethanë e bindte edhe më shumë se sa ishte fuqia e dashurisë së saj ndaj Marcusit, sa e verbër ishte besnikëria e saj. Shumë herë, gjatë ditëve të kaluara me Haradin, përpiqej që ta paramendonte veten si dashnoren e tij. Kishte parasysh të gjitha përparësitë që do t'ia sillte kjo lidhje. Do të ishte e respektuar dhe e dashur, e mbrojtur po ashtu. Dhe, do ta kishte të ardhmen e garantuar, gjëra të cilat i imagjinonin femrat në tërë botën. Jayda i refuzonte të gjitha këto, për një mashkull i cili as që e donte atë, nuk e respektonte dhe, fundja, ishte edhe i martuar. Hiqte dorë nga të gjitha këto, veç për shkakun e tij. Kur u nda nga Haradi, qau, përkundër asaj se i gëzohej kthimit në Detroit. Disa herë iu falënderua për të gjitha, por me vetëdije nuk i tha se, më së shumti i ishte falënderuese për shkak që ia ktheu vetëbesimin dhe që e bëri të ndihej e jashtëzakonshme. Gjatë fluturimit të gjatë me avion, Jayda vendosi që ta vazhdonte lidhjen me Marcusin, por jo nga pozita e viktimës më, nga pozita e personit të vuajtur. Do të sillej si fitimtare, sepse ajo edhe ishte e tillë. Kishte pasur mundësi zgjedhjeje, mund ta kishte bërë një jetë ëndrrash, por në fund ishte përcaktuar për dashuri. (vijon)

(Kosova Sot Online)