Roman dashurie: Në shikim të dytë (22)

  • 26 October 2019 - 15:06
Roman dashurie: Në shikim të dytë  (22)

Marcusi vazhdoi që ta shikonte i hutuar. - Çka dëshiron të thuash?! A ka udhëtuar sheiku me ty?! Jayda mendonte sesi mund t'i përgjigjej pozitivisht dhe, me këtë, ta çmendte edhe më shumë Marcusin, por më pas pa se ishte tepër e lodhur që ta bënte një gjë të tillë. - Jo, Haradi nuk ka udhëtuar me mua. E luti kapitenin e avionit që të ma jepte qaforen në emër të tij. - Shoh se të ka njohur mirë, për një kohë kaq të shkurtër... - tha ai me qesëndi. - Ai me të drejtë ka supozuar që ti do ta refuzoje një dhuratë të tillë të shtrenjtë... Jayda më pas iu afrua valixhes, e hapi dhe ia dha Marcusit kutinë me qaforen të cilën ai e kishte blerë për gruan e vet. - Këtë e harrove ta marrësh - i tha me zë indiferent, duke kaluar afër tij. Marcusi papritmas e kapi për dore dhe e detyroi të ndalej. - Unë nuk kam nevojë që të arsyetohem për asnjë veprim, Jayda.

E as për faktin që qaforen ia bleva Ritës, e jo ty. A mund të thuash edhe ti për veten të njëjtën gjë? - Mundem - tha ajo, pa iu dridhur qerpiku. Ai më pas e lëshoi shikimin te buzët e saj dhe pa dije shtrëngoi dorën e saj. - Jam e lodhur, Marcus - i tha me butësi. - Edhe vetë e di se sa e gjatë është rruga. - Po, e di... - tha duke u larguar nga ajo. - Do të të lë që të pushosh. Në frigorifer ke ushqime të freskëta... Kam përgatitur kafe dhe çaj derisa të prisja... - Faleminderit - tha me butësi, duke u habitur nga veprimet e Marcusit, jo vetëm një herë. - Pres që nesër të vish në punë. Do të doja që të isha në gjendje të ta jepja një ditë të lirë, por puna është grumbulluar këtyre ditëve. - Mos u bëj merak, do të vi nesër - i premtoi, duke u nisur që ta përcillte. Marcus tanimë ishte në korridor, kur Jaydës iu kujtua t'i thoshte diçka. - Sami më tha që e ke punësuar gruan e tij. Kjo është mirë nga ti. - Sikur që të thashë, gruan e Samit e punësova hatri yt. Për shkak se ke intervenuar për të. Desha të ta bëj me dije se respektoj kërkesat tua dhe se më pëlqen që angazhohesh për të tjerët dhe për fatin e tyre. Kam qenë naiv dhe kam menduar se, për ty, gjestet e tilla vlejnë më shumë se qaforet, pa marrë parasysh sa të shtrenjta mund të jenë ato. Duket se jam mashtruar. Jayda deshi t'i thoshte se nuk ishte mashtruar, por Marcus u largua me hapa të shpejtë.

I mbylli sytë dhe u mbështet në derë. U pajtua me konstatimin se ishte dukur sipërfaqësore dhe se gabimisht e kishte kritikuar Marcusin, meqë ajo më shumë e vlerësonte gjestin të cilin ai e kishte bërë në emrin e saj, sesa qaforen që e kishte marrë nga Haradi. Vetëm tani mendoi se ai e njihte më mirë, sesa që ai kishte vlerësuar. Se ai ishte i njohur me standardet jetësore të saj, me prioritetet e saj. E, prioritete të saj nuk ishin as paratë, e as vlerat materiale. Përmbi të gjitha, ajo vlerësonte njerëzinë, fisnikërinë dhe miqësinë. Dhe, duket se Marcus e vlerësonte këtë shumë mirë. Ai nuk donte ta stoliste me stoli, meqë e dinte se ato nuk kishin vlerë për të. Por, ajo që ai nuk e dinte është se ajo ishte tepër e ndjeshme kur flitej për gruan e tij. Ende pra duhej ta kursente nga provimi i qafores, të cilën ia kishte blerë asaj. (vijon)

(Kosova Sot Online)