Ngjarje e vërtetë: Për pesëmdhjetë vjet nuk dola nga shtëpia (6)

  • 26 October 2019 - 15:09
Ngjarje e vërtetë: Për pesëmdhjetë vjet nuk dola nga shtëpia (6)

Menjëherë i mbylla. Këtë e bëja gjithmonë. Nuk doja që ndonjë person kureshtar të më thërriste, apo të më shihte rastësisht. O Zot, thashë vetë me vete. Si arrita deri këtu? As vet nuk e kisha të qartë. Kisha ikur në të kaluarën. Përsëri përjetoja të gjitha ato momentet e mira të kaluara. E, nuk ia dija kimetin asaj që kisha. Thënë të vërtetën, kënaqesha duke jetuar, por jo ashtu si doja. Sikur të mund të kthehesha, çdo gjë do ta bëja ndryshe, të paktën, kur bëhet fjalë për familjen time. Domina vdiq nga mërzia. U përpoq që të më ndryshonte, por kjo nuk i shkoi për dore. Unë isha ai që i erdha hakut, isha i ashpër aq sa isha edhe i bukur.

Sikur ajo, të paktën, të ishte gjallë. Ofshava pa qëllim. A ishte ky ndëshkim për të gjitha femrat që i kam lënë, ndëshkim për mënyrën e jetës të cilën e doja? Edhe sot e kësaj dite, në çdo port, kur përmendet emri im, dëgjohet një valë ngazëllimi. Ende më kujtojnë të tillë sikur që isha dikur, e unë doja që ashtu të ishte edhe në qytetin tim. U nisa kah kuzhina. Do të vijë djali im me fëmijët e vet për drekë. Iu përvesha punës. Kur vinin ata, gjithmonë përgatitja ushqime të caktuara. Ata ishin gëzimi im i vetëm, drita e vetme në errësirën e jetës sime të kotë. Patë e mbushur, patate, sallatë dhe torta, të cilën e adhuronin fëmijët e mi. Tërë këto do të jenë në meny sot. Edhe pse ndjeja turp para nipave, nuk kisha arsye për një gjë të tillë, e bindja veten. Ata më njihnin të tillë si isha, e unë kisha nevojë për dashurinë të cilën ata ma dhuronin edhe pse vizitat e tyre ishin të rralla. E dija se nuk kisha para vetes dekada të jetës, e edhe Zotin e kam dëshmitar, se nuk do të doja të jetoja aq gjatë. Më ishte mërzitur vetmia edhe pse ajo kishte qenë përzgjidhja ime. Kur erdhën nipat e mi, dritat ishin gjysmë të fikura. Ata ishin mësuar me një gjë të tillë. - Gjysh - më thirri Patriku. - Si je? - pyetja e tij ishte e tepërt. - Mirë, mirë - gënjeva. E, çfarë përgjigje tjetër do të mund ta jepja? Se jam po aq keq sa isha? Këtë nuk doja ta thosha. Ashtu vetëm sa do t'i mërzisja, gjë që nuk e doja aspak. - Sapo të hamë drekë do të na duhet që të ikim, tha Dugi, nipi im tjetër.

- E unë, a mund të vi të jetoj te ti? - më pyeti më i vogli. U ndala, duke mos ditur çka t'i thosha. Jo pse nuk e doja, e as pse më pëlqente vetmia, por për shkak se ai ma kujtonte veten si isha dikur. Më kishte ngjarë tërësisht, i bukur, sikur që isha unë dikur. - Gjysh, të lutem - nuk hiqte dorë ai. E shikova tim bir, sikur të kërkoja ndihmë nga ai. Ai bëri me kokë në mënyrë diskrete. Më kishte kuptuar. E, kush do të mund të më kuptonte më mirë sesa ai? - Jo - thashë me vendosmëri. E dija që fjalët e mia mund të dukeshin të ashpra, por më duhej t'i thosha ashtu. - Dua që të jetoj në vetmi. Një ditë, pasi që të vdes, tërë kjo do të jetë e juaja - thashë duke bërë me dorë. - Ti e ke vendin te prindërit e tu. Sado që kjo mund të të mos përshtatet, kjo është e vërteta - i tha djali im. Ai po të vinte të jetonte me mua, me vete do t'i sillte edhe miqtë e vet, e që dikush të më shihte në këtë gjendje, duke iu treguar të tjerëve më pas... kjo nuk vinte në shprehje. - Gjyshi ka të drejtë. Pa pëlqimin tonë, nuk mund të vish këtu. E, ti nuk e ke atë pëlqim - djali përsëri më doli në ndihmë. (vijon)

(Kosova Sot Online)