Ngjarje e vërtetë: Askush nuk mund të matet me suedezin tim (3)

  • 31 tetor 2019 - 15:04
Ngjarje e vërtetë: Askush nuk mund të matet me suedezin tim (3)

Sikur të mos ishte djali ynë, nuk do të vëreja sesi kalojnë vitet. Dy dekada jetova në të kaluarën, gjatë së cilës kohë mund të më gëzonin vetëm fotografitë tona të përbashkëta, të cilat i shikoja herë pas here. Dhe, në ato raste, nuk qaja, por vetëm ofshaja dhe, çdo herë e pyesja veten, a thua, çdo gjë duhej të ndodhte në atë mënyrë? Gjatë dy muajve të lidhjes sonë, shpesh shkonim edhe në shtëpinë e gjyshes së tij. prindërit e tij, njerëz të këndshëm, nuk shihnin asnjë problem te lidhja jonë. Sidomos mirë i vinte të atit, meqë Tomori ishte dashuruar në një vajzë nga vendlindja e tij. Ai njeri i mrekullueshëm shpresonte që do të shkoja me djalin e tij në Suedi dhe mbeti shumë i dëshpëruar kur shkova për t'u përshëndetur me ta. Tomori dhe unë dinim shpesh të endeshim rrugëve pa asnjë qëllim, apo të uleshim përskaj liqenit. Nuk mërziteshim as kur heshtnim për një kohë të gjatë. Më së shumti rëndësi kishte fakti që ishim bashkë.

Por, lidhjes tonë megjithatë i mungonte diçka. Tomori asokohe kishte 24 vjet, e unë tri më pak. Nuk ishim as axhami, e as të papjekur, e përkundër kësaj, ende nuk kishim bërë dashuri. Dy muaj u puthëm si dy adoleshentë, e ai nuk e shfaqi as edhe dëshirën më të vogël që të shkonte një hap më tej. Në ato momente, gjithnjë e më shpesh më shkonte ndërmend mos ai kishte ndonjë sekret, mos fshihte diçka nga unë, e një mbrëmje, ai ia doli që përsëri të më befasonte. Nga xhaketa nxori çelësin e një dhome të hotelit dhe më tha: - Prindërit e mi janë konservatorë dhe nuk mund të të ftoj që të flesh te ne. Nuk do të prekem nëse nuk dëshiron të flesh në hotel, apo ndoshta ende nuk je e gatshme. Tomori me të vërtetë dallonte nga meshkujt të cilët i kisha njohur më parë. Mu ajo butësi e bënte unik, të veçantë. Durimi i tij, dëshira që çdo gjë ta bënim në momentin e duhur, pa asnjë nguti, më ndryshoi edhe mua. Isha qetësuar, isha bërë më e butë, më femërore. Askujt nuk i kisha treguar çka kishte ndodhur atë mbrëmje, e as gjatë mbrëmjeve pasuese, në dhomën tonë të hotelit. Por, këtë e mbaj mend edhe sot e kësaj dite. - Do të largohem pas dhjetë ditësh - më tha një natë. E mbështetur mbi gjoksin e tij, dëgjoja si i rrihte zemra. - E di - pëshpërita. - Dua të t'i plotësojë dëshirat, por nuk e di a janë ato të njëjta me të miat. Nuk jam i gatshëm për martesë, prandaj nuk dua të të jap shpresa të rreme. - Do të të pres - pëshpërita. - Mos më prit, meqë nuk e di a do të vij përsëri. Nuk më pëlqejnë as ndarjet, e as lotët e femrave. E, nuk dua as të ndihem fajtor për shkak se na ndajnë me mijëra kilometra. Jam kënaqur me ty, por nuk mund të të premtoj asgjë. - Ke të drejtë! Le të tregojë koha se çka do të bëhet me ne - mundohesha ta fshihja dëshpërimin. Derisa ai shkoi, më nuk biseduam rreth ndarjes.

Bile edhe gjatë takimit tonë të fundit sillesha sikur herëve tjera. Sikur nuk do të zbardhte sabahu, duke më gjetur të vetme. Nuk doja t'ia vështirësoja as vetes, e as atij, prandaj edhe me prindërit e tij u përshëndeta përzemërsisht. Askush nuk mund ta dinte se kjo ishte lamtumira jonë. Atë mëngjes, pasi u përshëndeta me të gjithë dhe pasi ua dhashë ato pak ushqime që i kishte përgatitur nëna ime, sa për të pasur çka të hanin gjatë rrugës, Tomori më ktheu me veturë në shtëpi. Kur arritëm, dola pa thënë gjë. Vetëm e putha në faqe. Ai më kishte mësuar sesi të ndahesha pa lot. Në njëfarë mënyre, më vinte mirë që në memorien e tij nuk do të mbetesha si një vajzë e përlotur, me grim të njollosur, por si një vajzë e bukur dhe e hijshme, sikur ditën e parë, kur ishim takuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)