Ngjarje e vërtetë: Askush nuk mund të matet me suedezin tim (4)

  • 01 nëntor 2019 - 15:59
Ngjarje e vërtetë: Askush nuk mund të matet me suedezin tim (4)

Pasi që ai shkoi, prindërit e mi nuk vërenin se sa vuaja unë. Nëpër shtëpi ecja e buzëqeshur, duke kënduar në vetvete dhe duke u shndërruar në vajzën të cilën ata gjithmonë e kishin dëshiruar. Mendonin se prisja Tomorin që të vinte tek unë, e unë aq sa mundja ua fshehja sekretin e gëzimit tim. Vetëm pasi që u bë vonë për abort, ua pranova se në mua ishte duke u zhvilluar një jetë e re. - Çka? - të dy mbetën të tronditur. - Më dëgjuat shumë mirë. Dua ta lind beben time. Nëse mendoni se me këtë do t'ua marr fytyrën, atëherë më tregoni tani, që të kërkoj banesë për veten dhe për fëmijën tim. Nëse doni që këtë ta fshihni, mund të shkoj edhe në ndonjë qytet tjetër - isha e vendosur.

- A ka baba ky fëmijë? - më pyeti nëna. - Natyrisht, por ai nuk do të jetojë me ne - thashë duke buzëqeshur. Prindërit e mi nuk u pajtuan lehtë me vendimin që të isha prind i vetëm për fëmijën tim. Më thoshin ta kërkoja Tomorin, duke shtuar se ai kishte të drejtë ta dinte se ishte bërë baba. Unë, në anën tjetër, për asgjë në botë nuk do ta kërkoja numrin e tij. Ai më tha sinqerisht se nuk ishte i gatshëm për martesë dhe e respektoja vendimin e tij. Prindërve iu kërcënova se, nëse e lajmërojnë ata Tomorin, unë dhe fëmija do të zhdukeshim nga jeta e tyre. Ndjeva një lehtësim të madh pasi që babi filloi të më mbështeste. - Nuk kemi të drejtë që të përzihemi në jetën tënde.

Ti me gjasë e di se çka është më së miri për ty, e unë nuk e kam ndërmend që t'ia kthej shpinën vajzës sime. Fëmija yt është nipi, a mbesa ime dhe, ti bashkë me të, mundeni të jetoni me mua sa të doni - tha ai. Nëna heshti, e unë nuk mund të pushoja duke e puthur. Ditët kalonin në "pritjen e ëmbël". Doja ta lindja një djalë i cili do t'i ngjante Tomorit. Zoti i dëgjoi lutjet e mia dhe, pas pesë muajsh, në ditën kur ishim njoftuar unë dhe Tomori, linda një djalë tepër të hijshëm. Ia lashë emrin e tij. Me kalimin e viteve, djali im me të vërtetë i ngjante gjithnjë e më shumë Tomorit. Flokët e dendura, të verdha, buzëqeshja e parezistueshme, sytë e mëdhenj, depërtues. Kënaqesha duke e shikuar sesi rritej.

Të gjithë ata që e kujtonin dashurinë tonë, nuk e kishin të vështirë ta dinin djali i kujt ishte ai. Dhe, askush nuk e shikonte tim bir me përqeshje. - Kuptojmë që e ke dashur dhe ke lindur fëmijën e tij. Por, djali shpejt do t'ia fillojë shkollës. A nuk mendon se ka ardhur koha ta kthesh një faqe të re në jetën tënde? - më thoshin të tjerët. Shoqet e mia nuk kuptonin pse nuk doja një mashkull tjetër afër meje. - Mirë e kam kështu - përgjigjesha. - Mos u mundo të na bindësh që Tomori nuk ka shoq. - Unë nuk kam takuar asnjë që do t'i afrohej atij. - Ke pasur të dashur para dhe pas tij. A asnjëri prej tyre nuk të ka pëlqyer, a? - habiteshin ato. E dija që ato biseda tona nuk kishin kuptim, meqë shoqet e mia nuk kishin përjetuar një dashuri të tillë, fatale, prandaj nuk mund të më kuptonin.

Vitet kalonin, im bir kishte filluar të dilte me vajza, e unë kisha shkelur në të dyzetat. Takimet me shoqet e mia ishin rralluar, tani mblidheshim vetëm për ditëlindje. Dhe, gjithmonë shkonim në restorantin, i cili ishte hapur në vendin ku dikur gjendej diskoteka. Ndoshta, në mënyrë të pavetëdijshme vajtonim, meqë ditët pa gajle, të cilat i kishim kaluar atje, nuk do të ktheheshin kurrë. Atë mbrëmje, në një moment, duke na kërkuar falje që na pengonte, kamerieri lëshoi në tavolinën tonë një shishe me verë franceze. - Ua dërgon zotëria që rri ulur në kënd - tha dhe u largua menjëherë. (vijon)

(Kosova Sot Online)