Roman dashurie: A mund të të vardisem? (3)

  • 05 nëntor 2019 - 15:24
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (3)

Derisa Claire ishte fëmijë, nëna e saj ishte njëra ndër fotomodelet më të kërkuara në SHBA. Edhe sot e kësaj dite njerëzve u pëlqen që të lexojnë rreth saj, çka bën, si vishet, kush është burri i saj më i ri, çka ha... Përkundër asaj se kishte qenë gjithmonë e hapur ndaj gazetarëve, Lynn gjithmonë ia kishte dalë që ta mbronte jetën e vet nga publiku. "E pyes veten si ka mundur nëna të na mbante mua dhe babanë larg medieve"? "Ishte ende e re kur u martua me Johnin dhe, jo shumë kohë pas lindjes tënde, ata u shkurorëzuan. Askujt nuk i kishte shkuar ndërmend të merrej me vërtetësinë e informatave që Lynn ua kishte dhënë asokohe gazetarëve.

Falë Zotit për këtë. Por, më thuaj, a nuk do të dalim për darkë?" Claire u ngrit. "Unë jam tërësisht e lodhur. Këtë do ta kompensojmë pasi që të kthehesh". "Oj zanë, të duhet të hash diçka". Për një moment i mbylli sytë. "Më iku dëshira për të ngrënë!'' "Nuk do të largohem para vikendit. Më thirr nëse do të kesh nevojë". Claire largoi flokët nga fytyra dhe ia doli që të buzëqeshte. "Marc, unë tanimë jam grua e rritur dhe ti nuk ke nevojë që të ndihesh përgjegjës për mua". Marc ofshau. "Me të vërtetë mendon se...'' E ndërpreu fjalinë dhe shtrëngoi dhëmbët. Claire e shikoi. Përnjëherë nuk donte asgjë tjetër, pos ta përqafonte dhe ngushëllonte. Marc atëherë përjetoi tërë dhembjen e saj dhe ishte pranë saj kur i vdiq babai. Vetëm atë mund ta falënderonte që ishte bërë një këshilltar i madh i modës. Edhe ai e kishte kuptuar nevojën e saj që të ishte e pavarur dhe i kishte ndihmuar që të gjente shtëpi, ku do të mund të jetonte dhe punonte. Por, kishte një ndikim të fortë në ndjenjat e saj. Arsyeja i thoshte që të qëndronte sa më larg nga ai. "Marc, më duhet që, një kohë, të jem vetëm. Dua të shkoj në shtëpi". "Claire ... " "Të lutem mos më thuaj asgjë më", tha ai dhe u ngrit. "Do të të përcjell deri te automobili". Claire e vendosi kokën në jastëk dhe u mundua që të flinte, por vazhdimisht i kujtoheshin gjëra nga fëmijëria. Shihte gjyshen dhe gjyshin dhe shtëpinë e tyre të vogël në malet e Gjeorgjisë. E kishin dërguar atje kur kishte pasur gjashtë muaj dhe kishte qëndruar derisa kishte bërë gjashtë vjet. Më pas ishte paraqitur nëna e saj dhe e mori përsëri me vete. Claires shumë mirë i kujtoheshin lotët dhe automobili i madh, i zi, i cili e kishte marrë. Vitet që pasuan ishin plot vetmi. Kishte ndjekur shkolla të shtrenjta private, ku gati asnjëherë nuk kishte bërë shoqëri. Më pas i kishin vdekur gjyshi dhe gjyshja.

Momentet e vetme të gëzimit ishin kur e vizitonte babai. John Barron ishte pilot për 'Stanley Enterprises' dhe për shkak të orarit të tij tepër të ngjeshur, mezi kishte kohë për jetë private. Kishte një banesë në Fort Myers, ku firma e tij e kishte selinë kryesore dhe ku Claire herë pas here shkonte që ta vizitonte. Rreth stilit dhe karrierës së jetës së nënës së saj, Claire kryesisht informohej nga gazetat. Qyshkur kishte qenë fëmijë, ishte përbetuar se do ta bënte një jetë të ndryshme nga ajo e nënës së saj. Ajo, në fakt, adhuronte bukurinë dhe suksesin e të ëmës si top model, por në fakt ishte e lumtur që nuk kishte tentuar të shkonte hapave të saj. Përkundër të gjitha dallimeve kishte edhe kohë kur midis Lynnit dhe Claires mbretëronte afërsia. Para së gjithash, Claires i kishte ngelur në mendje udhëtimi për në Angli. Atje kishte vizituar Lynnin dhe e kishte pyetur: "Pse jeni ndarë ti dhe babi?" Lynn për disa minuta kishte heshtur, para se të thoshte si në ëndërr: "Që të dy u rritëm". (vijon)

(Kosova Sot Online)