Ngjarje e vërtetë: Shtëpia jonë e ëndrrave fshihte një sekret të errët (3)

  • 05 November 2019 - 15:29
Ngjarje e vërtetë: Shtëpia jonë e ëndrrave fshihte një sekret të errët (3)

Atë moment kur hyra për herë të parë në shtëpinë time, zemra thjesht më këndonte nga lumturia. - Mirë… të shohim… Dukej se mobiliet që kishin mbetur nga pronari paraprak, ende ishin në gjendje të përkryer. Kjo nuk ishte për t'u habitur. Nuk jam ndonjë njohës i madh i drurit, por mund të bëja be që kjo komodinë, p.sh., ishte bërë nga druri i pastër i lisit...- murmurisja më shumë për veten, derisa Minirja dhe unë, të gëzuara sikur vajza pesë vjeçare, i vizitonim të gjitha ato dhoma. Në fund vendosëm që të ngriteshim edhe në kat. - Po, e kjo me gjasë ishte dhoma e fëmijëve të ndokujt dhe, në të, ndonjë vajzë tepër harrestare, pasi që i kishte lënë të gjitha këto në shtrat - vërejti Minirja, duke ngritur në ajër një kukull paksa të pluhurosur të porcelanit.

- Brrr, duket paksa e frikshme, apo jo? - tha, duke e sjellë në duar. - Por, nëse i ngjyrosim muret me ngjyrë jargavani, sikur që kam dashur gjithmonë, dhe blejmë një shtrat adekuat, kjo do të jetë një dhomë më se adekuate për mua - tha, me çka sytë i shkëlqenin nga entuziazmi. - Hej, ajo kukull me të vërtetë është paksa e çuditshme. Porcelan për të luajtur? Jo, faleminderit - thash duke bërë një grimasë. Minirja pasoi shembullin tim dhe, pa u vonuar, që të dyja filluam që të qeshnim. Atë mbrëmje, përkundër tërë atyre punëve që duhej bërë, në mbrëmje nuk kisha aspak gjumë. Në anën tjetër, vajza ime që në mbrëmje ishte ankuar se ishte lodhur dhe ishte tërhequr në dhomën e saj pjesërisht të rregulluar në kat. Ia arritëm që ta rregullonim, por për shtratin me perde, sikur që donim ne, na thanë se duhet të prisnim ende. Donte, s'donte, Minires iu desh që të flinte në ndërkohë në shtratin e vjetër. Çuditërisht, ajo nuk kundërshtoi fare. kur rreth orës tetë shkova për ta kontrolluar se mos e kishte kapur uria, përkundër dritës së ndezur vajza ime flinte me një gjumë të thellë. E fika dritën dhe, në majë të gishtave, dola nga dhoma. Meqë ende nuk më merrte gjumi, vendosa që t'i rregulloja edhe ormanët e kuzhinës. Sapo fillova me pastrimin e tyre, më cingëroi telefoni. - Tung, Flutura, shpresoj të të mos pengoj. Dhe, si po shkon rregullimi? - pyeti Krenarja sapo u paraqita. - Oh, Krenare, nuk e ke idenë sa më vjen mirë që të dëgjoj. Sa u përket punëve, e di si thuhet, atë që mund ta bësh sot, mos e lë për nesër - qesha me shakanë time, që mu kujtua aty për aty. - Për këtë shkak edhe të thërras. Nuk do të besosh, por shefi im sot kishte një disponim aq të mirë, sa që pa kundërshtuar ma dha një javë të tërë të pushimeve vjetore.

Që të shtunën mund të vij të të ndihmoj nëse nuk ke asgjë kundër - filloi ajo. - Këto janë me të vërtetë lajme të mira. Do të jem e nderuar që të jesh mysafire imja. Dmth mysafire, e jo të punosh! Megjithatë, ti je në pushim vjetor - thash me vendosmëri. - Mezi pres. Por, asi... si është Minirja? Me siguri është entuziazmuar nga shtëpia e re - tha Krenarja, pak para se ta dëgjoja zërin e televizorit të ndezur nga dhoma e ditës. - Më beso, edhe më shumë se kaq. Ja, pak më parë fjeti dhe, duket se u zgjua përsëri. Ajo vogëlushe me të vërtetë kurrë nuk qetësohet - thashë duke u munduar ta arsyetoja zhurmën gjithnjë e më të madhe që vinte nda dhoma e ditës. - O, Zot! Nëse nuk më mashtrojnë veshët, më duket se Minirëza jonë sonte paska vendosur që të rrijë zgjuar deri në mëngjes. Por, nejse! Tani nuk jeni në banesë, por në shtëpinë tuaj dhe nuk keni nevojë të mërziteni mos po i pengoni kujt - buzëqeshi shoqja ime. (vijon)

(Kosova Sot Online)