Roman dashurie: A mund të të vardisem? (5)

  • 07 November 2019 - 15:04
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (5)

Kur Marc propozoi që ajo ta provonte veten si këshilltare e modës, Claire protestoi. "Por, unë nuk jam eksperte e modës". "Nëna jote të ka mësuar shumë gjëra për modën. Nëse të duhet të dish edhe ndonjë gjë tjetër, shpejt do të mësosh", tha ai. Nga paratë e trashëguara nga i ati, Claire bleu një shtëpi të vogël në Fort Myers. Në fillim Claire nuk ishte e sigurt se a posedonte atë që nevojiten për të qenë një profesioniste. Por, Marc i dërgonte femra të pasura, të karrierës, të cilat donin ta kishin një gardërobë të tërë unike, meqë vet edhe ashtu, nuk kishin kohë për të bërë shoping. Shumë shpejt Claire-s filluan t'i shkonin punët mbarë dhe e angazhoi një asistene. Darlene Taylor u bë shoqja më e mirë e saj. Kur nuk udhëtonte nëpër botë, Marc takohej me Claire sa më shpesh që mundej. Dhe, ajo ishte personi i vetëm të cilës ia tregonte parajsën e vet të vogël, një ishull buzë brigjeve të Floridës, të cilin e posedonte. Gjatë njërit prej këtyre ekskursioneve, Claire më nuk ishte krejtësisht e sigurt se Marc nuk di gjë rreth ndjenjave të saj ndaj tij. E zuri duke e shikuar me një butësi dhe zemra e saj filloi të rrihte më shpejt, por nuk vonoi shumë, dhe e bindi veten se kjo ishte marrëzi, meqë Marc përsëri iu drejtua me atë tonin miqësor, gjë që e bëri të mendonte sesi tërë ajo që kishte përjetuar më parë, vetë, i ishte dukur asaj. Claire e dinte se, pas vdekjes së gruas së tij, Marc nuk jetonte si murg dhe se shpesh takohej me gra.

Ai nuk e kishte fshehur as aferën që kishte me një grua të pasur nga Palm Beach, një vit para se Claire të vendosej në Fort Myers. Por, dukej se ai më nuk kishte për qëllim që të lidhej me ndonjë femër seriozisht. Edhe Claire herë pas here dilte me meshkuj, të cilët i takonte në jetën private, apo profesionale. As ajo nuk ishte melaqe, por e dinte se seksi, pa ndjenja më të thella, nuk ofronte kushedi çfarë kënaqësie. Në mënyrë sekrete ia pranonte vetes se, asnjëri nga meshkujt të cilët i kishte njohur, nuk mund të matej me Marcun. Claire i mbylli sytë. Në mëngjes kishte shumë punë dhe i duhej që të flinte. Çka ishte duke ndodhur me të? Pse tani i vinte të qante? Gjendja e saj nuk ishte aspak e keqe. Posedonte shtëpinë e vet dhe bënte një punë e cila i pëlqente. E ëma i jepte krejt çka mund të blihej me para dhe e mbronte nga mediat. Marc ishte mik i mrekullueshëm, i cili për të do të bënte gjithçka. Por, tërë kjo nuk i mjaftonte. As Marc e as Lynn nuk mund t'ia jepnin atë që i duhej. Ajo donte dashuri, donte që, për dikë, të ishte më shumë sesa obligim. Claire fshiu lotët dhe e mori veten. "Mos e vajto veten! Je person i rritur, nuk je fëmijë më", i thoshte vetes. Shikoi gjatë në terrin e natës, duke u munduar që të mos mendonte. Përfundimisht e zuri gjumi. Kur të nesërmen, në mëngjes, hynte në vaskë, ende ndihej tepër e lodhur.

Shpresa se, pas larjes, do të ndihej më mirë, mbeti vetëm shpresë. Me këmbët që i duhej se peshonin sa dyfishi i normales, u fshi dhe veshi rrobën e banjës. Shkoi përsëri në dhomë të gjumit. Dhoma e rregulluar me ngjyrë të bardhë dhe rozë, me shtratin e rehatshëm, ishte vendstrehimi i saj i preferuar. Shikoi e kredhur në mendime fotot me kornizë të argjendtë, të gjyshes dhe gjyshit, enët kineze dhe figurat e ndryshme në komodinë, të cilat i kishte dhuratë nga Marc. Kur kishte hyrë në shtëpinë e re, nëna ia kishte blerë një llambë të kristaltë, e në vitrinë kishte koleksionin e vet të kukullave. Në mesin e të gjitha kukullave të shtrenjta, të cilat Lynn ia kishte dhuruar gjatë vitit, gjendej edhe kukulla e saj më e vjetër, e cila edhe i pëlqente më së shumti. (vijon)

(Kosova Sot Online)