Roman dashurie: A mund të të vardisem? (6)

  • 08 nëntor 2019 - 15:01
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (6)

Claire buzëqeshi kur mendoi se e merrte me vete në shtrat kur jetonte ende me gjyshin dhe gjyshen. Cingërima e telefonit e kthjelli nga mendimet. E ngriti dëgjuesen dhe u ul në shtrat. Kur në anën tjetër dëgjoi zërin e Marcut, ndjeu një nervozë në lukth. "Hej, zanë. A do të dalësh sonte me mua për darkë? Mbrëmë nuk kemi pasur rastin që të bisedonim". "Marc, jam e zënë tërë ditën, e besoj se edhe ti ke një mijë e një punë për të bërë para se të shkosh në Hong Kong." "Doris do të përgatitë shkumë çokollate për desert", e joshte Marc. "Oh, ti mashtrues i keq", tha Claire, duke buzëqeshur, "Në rregull, në rregull. Edhe ti e di se nuk mund t'i rezistoj desertit të Dorisit, e sidomos jo shkumës së çokollatës. Por, kam frikë se do të mërzitesh me mua.

Sot do të jem tepër e lodhur". "Kurrë nuk mërzitem kur të jem me ty. Do të vij të të marr". "Mund të vij me veturën time". "Natyrisht, e di që je vajzë e madhe, por megjithatë nuk mendoj se, në mbrëmje, duhet të kthehesh vetëm në shtëpi". "Për hir të Zotit... ". Lidhja u ndërpre dhe Claire e mbylli telefonin. Derisa vishej, mendonte për dashurinë e Marcut ndaj artit oriental. Aktualisht ai ishte duke hapur një galeri, në të cilën do të ekspozonte dhe shiste veprat të cilat i mblidhte. Edhe në banesën e tij gjendej një koleksion i madh i pikturave orientale. Marcut i pëlqenin gjërat e bukura dhe edhe vetë kishte talent për pikturë, por në rend të parë ishte biznesmen. Firma kompjuterike, të cilën ai e posedonte, ishte shumë e suksesshme, sikur edhe firma tjetër e tij, e cila prodhonte aparate dhe rroba sportive.

Claire u shikua në pasqyrë. Flokët i binin supeve, fustani veror me pallton gjegjëse theksonte figurën e saj. E kënaqur me pamjen e vet, ajo shkoi në kuzhinë, për ta pirë një filxhan kafe dhe për ta ngrënë një tost. Nuk kishte kohë për një kafjall më të bollshëm, meqë donte t'i shikonte bimët të cilat ia kishte ujitur Darlene derisa ajo ishte në Nju- Jork. Disa minuta më vonë, Claire shëtiste nëpër kopshtin e pasur dimëror me kovë në dorë, duke i ujitur bimët. Në ato momente mendimi i shkoi përsëri te Marcu. Ndoshta do të ishte më mirë që, pas vdekjes së babait të saj, ta ndërpriste kontaktin me të. Por, Marc ishte një mik aq i mrekullueshëm. I pëlqente shtëpiza të cilën ai e kishte zgjedhur dhe orenditë të cilat i kishte siguruar nëpër ankande dhe ekspozita. Ai përkujdesej për të dhe i ndihmonte që ta fillonte një jetë të re. Claire e dinte pse Marc ndihej përgjegjës për të. John Barron për të ishte më shumë sesa një punëdhënës. Ata dy ishin miq për kryekreje.

Claire u mërrol kur iu kujtua ajo verë, kur Marc e kishte njoftuar me Lynn. Ende nuk e kishte marrë veten nga vdekja e gruas, e Lynn sapo ishte ndarë. Ndoshta për këtë shkak ishin tërhequr midis veti, meqë që të dy ishin të palumtur. Marc dhe Lynn kalonin shumë kohë bashkë dhe Claire i shikonte me xhelozi. Kur, disa muaj më vonë, Lynn u martua përsëri, Claire kishte ndier njëfarë lehtësimi. Por, përsëri kishte momente kur mendonte se edhe Marc kishte rënë pre e sharmit të saj. Ai ishte tepër i shpejtë kur duhej mbrojtur nënën e tij. Claire ndonjëherë pyetej a kishte ndonjë lidhje midis miqësisë së tij me të dhe ndjenjave të tij ndaj Lynn. Marc ishte nga një botë krejt e ndryshme, e cila për Clairen ishte tërësisht e huaj. Ndoshta kjo ishte arsyeja që e mbante në distancë nga jeta e vet profesionale. E kishte takuar motrën e tij Iris, por ai kurrë nuk e kishte njoftuar me miqtë e vet. (vijon)

(Kosova Sot Online)