Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (1)

  • 11 nëntor 2019 - 15:25
Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (1)

Duke kaluar pranë dhomës së vajzës sime 14-vjeçare, Ema, dëgjova atë dhe shoqen e saj, Doruntina, se si gajaseshin prapa dyerve të mbyllura. Edhe unë buzëqesha. Më vinte mirë që vajzat ia kalonin aq për mrekulli. Edhe unë, kur isha më e re, derisa nuk isha e martuar dhe nuk kisha tërë këto obligime, një kohë të gjatë e kaloja me shoqet, nga e cila kohë edhe i kam kujtimet më të mira. Sapo desha të vazhdoja korridorit, kur dëgjova zërin e vajzës sime. - Si do të na e tregojë fatin, kur as nuk lëvizë fare! A je e sigurt se kjo funksionon në këtë mënyrë? Ndoshta jemi duke gabuar diçka. Kureshtare nga ajo që dëgjova, u ndala, trokita në derë dhe, pa pritur të më përgjigjeshin, hyra brenda në dhomë. Ajo që pash ishin vajzat, të cilat me shpejtësi futën diçka nën shtrat. - Hej, çka po bëni ju dyja? – i pyeta me gaz në buzë. - Asgjë, mami! – mu përgjigj me të shpejtë Ema, duke evituar kontaktin me sy.

Edhe ajo e edhe shoqja e saj, Doruntina, dukeshin tejet të hutuara. Hodha shikimin nën shtrat, ku pak më parë vajzat kishin futur diçka, kur pashë Doruntinën, e cila vazhdonte që ta shtynte atë gjësend më shumë nën shtrat. Ah, këta adoleshentët!, mendova me vete. Athua çka ju ka rënë tani ndërmend? Derisa i afrohesha shtratit, ato e përcillnin me nervozizëm çdo hap timin, e pasi që u përkula dhe shikova poshtë, thuajse i dëgjova se si iu ndal fryma. Zgjata dorën dhe nxora atë që donin ta fshihnin me aq kujdes. Kur shikova objektin jo të rëndomtë edhe mua për një moment mu ndal fryma. Natyrisht se menjëherë e mora vesh se për çka bëhej fjalë. Ajo ishte një tabelë për thirrjen e shpirtrave, apo e ashtuquajtura pllaka ouija. - A të kam thënë se nuk dua gjëra të tilla në shtëpinë time? Sa herë të kam thënë se nuk është mirë të merresh me gjëra të këtilla? – iu ktheva me zemërim vajzës sime. Ema përndryshe ishte vajzë shembullore dhe kurrë nuk kundërshtonte urdhrat e mia. Për këtë edhe isha prekur aq shumë meqë e zura duke bërë diçka që ia kisha ndaluar. - E di, nënë. Por, me të vërtetë nuk shoh asgjë të keqe në këtë.

Thuajse të gjithë në klasë e bëjnë këtë. Shumica prej tyre e kanë një pllakë të këtillë. Kjo është vetëm një copë letre dhe plastike. Vetëm doja ta shihja si ishte, duke ditur se ti nuk do të ma blije – tani në zërin e saj hetova edhe një nuancë ironie dhe zemërimi. - Ke pasur të drejtë! Natyrisht se kurrë nuk do të ta blija një gjë të tillë. Dhe, jo vetëm që nuk do të ta blija, por nuk dua as ta kem në shtëpi. Ku e morët këtë pllakë? Ku e bletë? - Pllaka është e imja – më tha Doruntina, e cila po ashtu filloi që të më shikonte me frikë. Shoqet e Emës ishin mësuar që unë të isha gjithmonë e butë dhe e mirë ndaj tyre. Gjithmonë bëja shaka me to, iu çoja sandviçë dhe pije. Të zemëruar kështu nuk më kishin parë kurrë më parë. - Motra ime e madhe, Blerta, ma bleu për ditëlindje. E dinte se më pëlqente pa masë – ma sqaroi ajo. - Nuk arrij të kuptoj pse shqetësohesh kaq shumë – më tha Ema, pasi që e kishte marrë veten paksa. – Aspak nuk kuptoj se çka ka kaq të frikshme në këtë pllakë. Duke të parë sesi sillesh, dikush mund të mendonte se do të vdesim, apo diçka të tillë! Kur dëgjova fjalën “vdesim”, jam dridhur, sikur të më kishte shpuar ndonjë gjë dhe ndjeva se si m’u rrotullua lukthi. Pa marrë parasysh sa e sa vite kisha ndrydhur kujtimet e këqija, pa marrë parasysh sa isha munduar t’i harroja, mjaftonte vetëm një fjalë që të më shpërthenin emocionet negative. - Hej, mami! – më kapi Ema për dore, e shqetësuar. – A je mirë? U zverdhe si limon. Fjalët e saj më vinin sikur nga largësia. E vetmja gjë që në atë moment pash para syve ishin ata artikujt e këqij në gazeta dhe tërë tmerrin që na kishte prekur shumë vjet më parë. Përsëri çdo gjë ishte aty, sikur të kishte ndodhur dje, a pardje. - Mami! A je mirë? Të lutem më thuaj diçka! A dëshiron ta thërras babanë? - Ema tanimë kishte kapur përdore dhe më tundte. Kjo më ktheu në të tashmen. - Jo, nuk ka nevojë, mirë jam – murmurita duke më kapluar stresi. - Vetëm se rrëqethem nga këto gjëra – thashë duke bërë me kokë kah pllaka që e kisha nën këmbë. – Dikur moti, para shumë vitesh, dikush që e doja shumë, kishte luajtur me një pllakë të këtillë. Për fat të keq, loja nuk mbaroi ashtu si prisnim ne. E unë edhe sot e kësaj dite e mallkoj këtë tabelë për tërë atë që ndodhi më pas. (vijon) 

(Kosova Sot Online)