Roman dashurie: Në kohë të duhur (2)

  • 12 November 2019 - 14:54
Roman dashurie: Në kohë të duhur (2)

 Kaq shpejt u ktheve? Pse nuk shëtitët edhe pak? Është dashur që ta shfrytëzoni këtë mot të mirë, sepse nesër mund të bjerë borë. Ku mbeti Agimja? –Iu desh që të kthehet në shtëpi. Vëllai i saj ka shumë punë, shkoi që t’ia përgatisë drekën. –Vëllai i saj është një skllavopronar i vërtetë. I shfrytëzon të gjithë. – Por, ai është i vetmi që punon. Pa të do të vdisnin urie, e as Agimja nuk do të mund të regjistrohej në fakultet privat. –Kjo nuk është arsye që t’i bëjë zullum tërë familjes. E di unë, por po më dhimbset Hajria. Hajria ishte nëna e Agimes, një grua llafazane, e cila shpesh i vizitonte ata. Ajo dhe bashkëshorti i saj, babai i Agimes, ishin të sëmurë nga zemra, kështu që të dy ishin në pension, por pensionet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për buxhetin shtëpiak. Vëllai i Agimes, Agoni, shtatë vjet më i vjetër se ajo, ishte një djalë shumë punëtor.

Qysh në moshën 20-vjeçare u punësua te një automekanik, e pas disa vitesh e mbizotëroi zanatin, dhe e hapi një punishte në oborrin e shtëpisë. Kishte mjaft myshteri sepse ishte i ndershëm dhe me sukses i riparonte veturat. Por, për shkak se kishte shumë punë dhe presion nga fakti që po e mbante familjen, Agoni u bë i heshtur, dhe shpesh i zymtë. E tërë familja duhej që ta dëgjojë dhe gjithçka i nënshtrohej dëshirave të tij. Por, Agimja, kurrë nuk ankohej në lidhje me vëllanë, madje edhe kur ai nuk e lejonte që të dilte në mbrëmje ose kur për shkak ë tij i duhej që t’u përgatisë kafe myshterinjve gjatë tërë ditës. Për këtë arsye Lena mendonte se nëna e saj Ganimetja nuk ka të drejtë që ta quajë Agonin skllavopronar. – Patatet do të jenë gati shpejt. Kam mjaft punë, nga dy butikë më kanë sjellë disa gjëra për riparim. Nuk e kam të qartë, blejnë në Turqi, e këtu i përmirësojnë gabimet. Ganja ishte rrobaqepëse dhe punonte në shtëpi, pa ambicien të cilën e kishte Lena. Kur e bija e saj i tha për herë të parë se dëshiron që edhe vetë ta hapë një butik në të cilin do t’i shiste kreacionet e saj, Ganja kundërshtoi. –Së pari, nuk ke para për një gjë të tilla. E dyta, e sheh që më shumë shpaguhet kontrabandimi sesa puna me makinë për qepje. Në Turqi ato rroba janë lirë, sillen dhe shiten menjëherë. –Por, nënë, ajo është njëtrajtshmëri.

Unë do të bëja vetëm gjëra unike. –Mos u lodh. Nuk kemi para për një gjë të tillë. Lena kurrë nuk i kishte treguar nënës për planin që dëshiron që të kërkojë nga babai që t’i ndihmojë financiarisht sepse e dinte që Ganja do të zemërohej vetëm nëse do t’ia përmendte emrin e babait. Pasi që as vetë nuk e dinte nëse do të kishte guxim që ta bëjë një gjë të tillë, vendosi që një gjë të tillë ta mbajë të fshehtë. –Shko laj duart, e unë do ta rregulloj tavolinën. Do të ta bëj edhe një sallatë, që të konsumosh pak vitamina. Sërish ke humbur peshë. Lena e kishte një trup shumë të bukur, këmbë të gjata, bel të theksuar dhe linja të duhura, por Ganja ende mendonte që shëndeti i njeriut shprehej me peshë, sa më shumë kilogramë, aq më shumë shëndet. /Vijon/


(Kosova Sot Online)