Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (3)

  • 13 November 2019 - 15:04
Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (3)

- Vazhdo nënë! Çfarë ndodhi pastaj? Apo ndoshta vetë dëshiron që të na frikësosh?, më nxiti vajza që të vazhdoj me rrëfimin. - Ato gjëra ndodhin në filma zemër, e kjo është ngjarje nga jeta reale. Loja me pllakë atë mbrëmje ka pasur pasoja të rënda, i thashë. - Pra, shkova te tavolina ku shoqëria, por i thërriste shpirtrat dhe i pyeta se çfarë është duke ndodhur. Kur askush nuk mu përgjigj, e përsërita pyetjen. - E pyeta shpirtin që të më përgjigjet se çfarë më pret pas një viti, e ai në pllakë e shkroi fjalën – vdekja!, më tha Bukuria me një zë të butë. Ishte zbehur shumë, ndërsa nga sytë po i rridhnin lotët. - Lëre se dikush është duke u tallur me ty, i thashë, me të vërtetë, në atë moment as që më dukej serioze ajo porosi. - Është e pamundur. Vetëm unë dhe Lendita i kemi mbajtur gishtërinjtë në tregues. Vetëm nga dy persona mund të bëjnë pyetje, më tha Bukuria. Por, pak më vonë, kur u kthjell, e shikoi Lenditën me hidhërim dhe e sulmoi. - Çfarë po mendon ti! Kështu tallesh me mua? Nuk e di se si më ke tronditur! - Nuk e kam bërë unë! Treguesi lëvizi vetë!, u mbrojt Lendita. Në mesin e të pranishmëve u krijua një shqetësim. Të gjithë dukeshin të çuditur. Të gjithë, përveç djalit që e kishte sjellë pllakën. I qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, i sugjeroi Lenditës që edhe ajo ta pyesë shpirtin se çfarë e pret atë pas një viti. Kur edhe Lendita e mori përgjigjen e njëjtë – vdekja, Bukuria u ngrit shpejt nga karrigia. - Unë më nuk dëshiroj të merrem me këtë, tha dhe filloi që të largohet. - Prit!, i tha Bukuria dhe e kapi për dore.

– Nuk mund ta ndërpresim tani. Eja t’ia bëjmë edhe disa pyetje. Kur Bukuria refuzoi, Lendita filloi që ta lusë. - Të lutem qëndro edhe pak me mua. Kështu Bukuria, edhe pse duke ngurruar, u ul sërish në karrige dhe së bashku me Lenditën i vendosën gishtërinjtë në tregues. Edhe njërës edhe tjetrës po u dridheshin duart. Për një moment në dhomë mbretëroi heshtja, e më pas filluan që ta analizojnë parashikimin e vdekjes. - Kur do të vdesim?, pyeti Bukuria. Treguesi po kalonte prej një numri në tjetri deri në momentin kur e shënoi datën dhe vitin. - Por, kjo është në fund të vitit të ardhshëm, tha dikush nga turma. Pas kësaj të gjithë u habitën kur e panë se treguesi u ndal te fjala “po”. Pllaka tani po merrte vetë pjesë në bisedë dhe atë pa e pyetur ndonjë gjë. - Si?, pyeti Bukuria me zë të butë. Treguesi po lëvizte me shpejtësi nga shkronja në shkronjë. -Në aksident, ishte përgjigjja. - Ku? - Në autostradë. - Tani me të vërtetë është mjaft!, tha Bukuria dhe u largua nga tavolina. Kur doli në skajin tjetër të dhomës, filloi që të lutet: - Zot i madh më ndihmo të lutem! – tha ajo. E më pas papritmas në dhomë mbizotëroi errësira. Si u përmend Zoti drita u fik dhe të gjithë filluan të bërtasin. U bë një rrëmujë aq e madhe sa që dukej sikur do të shkatërrohej gjithçka në dhomë. Dëgjohej bërtitja e atyre që dikush ua shkelte këmbën si dhe thyerja e gjërave të qelqta. Babai yt, për fat të mirë, e kishte një bateri të vogël me të cilën shkoi deri te ora e rrymës dhe e ktheu siguresën në vend. Kur drita sërish e ndriçoi dhomën e ditës, dukej sikur nëpër të kishte kaluar ndonjë uragan. - Ne po shkojmë në shtëpi, thanë disa prej të pranishmëve.

– E tërë kjo është tepër e frikshme për ne. -Edhe zemra ime po rrihte shpejt dhe fort si një tupan, më dukej se çdo moment do të më dilte nga gjoksi. Isha e tmerruar. U qetësova vetëm kur m’u afrua babai yt dhe më përqafoi. Edhe pse provuam që ta kthejmë atmosferën normale, ahengu megjithatë shpejt mori fund. Askush më nuk mund të relaksohej, e fytyrat e zbehura të të pranishmëve tregonin më së miri se çfarë tronditjeje kishin përjetuar. Më i qeti ende ishte ai i cili e kishte sjellë pllakën dhe i cili e propozoi thirrjen e shpirtrave. Kur të gjithë shkuan, e vendosi pllakën në një arkë, na tha natën e mirë dhe duke vërshëllyer u largua nga banesa. (vijon)


(Kosova Sot Online)