Roman dashurie: Në kohë të duhur (4)

  • 14 nëntor 2019 - 15:16
Roman dashurie: Në kohë të duhur (4)

Disa troje në rrugë tanimë ishin të mbushura me ferra të gjata, meqë aty askush nuk kishte interes që të ndërtonte. Dritat e rrugëve kryesisht ishin të thyera, e bërlloku në trotuare dhe pjesët e ndryshme të mobilieve thjesht pasqyronin karakterin e banorëve të atyshëm. Albulena kishte frikë që të kalonte gjatë natës andej, kështu që edhe tani përshpejtoi hapin dhe mori frymë lirshëm pasi që nuk e takoi askënd deri te dera e shtëpisë së Agimes. Në oborr ishin të parkuara disa vetura, të gatshme që t'i rregullonte të nesërmen Agoni. Albulena kaloi afër dyerve të metalta, me të cilat mbrohej pjesa e brendshme e punëtorisë automekanike, e më pas trokiti lehtazi në derën e hyrjes, në anën e djathtë. Agimja ia hapi në afat prej disa sekondash, sikur të ishte duke pritur që dikush të trokiste. - Hajde, por ngadalë, meqë këta të mitë tanimë kanë fjetur.

Dy femrat shkuan në katin e sipërm duke ecur në majë të gishtave, e më pas u ulën në shtratin e butë. Nga radioja dëgjohej një muzikë e qetë, po edhe TV ishte i ndezur. - Më vjen keq që për fajin tim nuk ke shkuar në koncert. - Mua nuk më vjen aspak keq. Ndihem mirë edhe te ti. - Dëshiron ta shikojmë një film? Më duket se është film i dashurisë. - Mirë. Ai që në jetë nuk ka dashuri, le ta shikojë të paktën në film. U vendosën rehatshëm njëra afër tjetrës, fikën dritën dhe radion, e më pas për dy orë rresht shikuan një komedi të dashurisë për adoleshentë. Pasi që përfundoi filmi, të dyja ishin të kredhura në mendime. Agimja ishte ajo që e para e prishi heshtjen. - Si dinë këta amerikanët ta bëjnë një tregim të dashurisë, në të cilin as edhe fëmijët nuk do të besonin. - Nuk e di... Mua më pëlqeu filmi. - Filmi i mirë është, por naiv. Dhe, çka mendon se do të ndodhë më pas me këta? A me të vërtetë do të martohen dhe do të jetojnë të lumtur deri në fund të jetës? Hajde, more... Jeta është krejtësisht e ndryshme. - Unë besoj se ekziston një dashuri për tërë jetën. - Po, kjo është e vërtetë. Por, vetëm nëse pas vetëm disa vitesh vdes, apo të vdes burri. - Sa e tmerrshme që je! Kur të dëgjon njeriu, e ka të qartë se sa e lënduar je. - E, si të mos jem?! Edhe ata pak meshkuj me të cilët kam qenë, nuk mundën të më qëndronin besnikë.

Të gjithë më mashtruan, bash të gjithë! - Unë mendoj se problemi qëndron te shija jote, Gime. Agimja e shikoi me interesim, duke ia bërë të qartë se priste shpjegim për këtë konstatim. - Të gjithë të dashurit e tu ishin problematikë. Ose ishin harama, ose të llastuar. Të tillët piqen vetëm pas të dyzetave, e ndoshta as atëherë. Pse nuk e gjen dikë nga fakulteti? - Lëri ata! Ata vetëm librat i kanë në kokë. - Po, por ata ndoshta nuk mashtrojnë? - Natyrisht që nuk mashtrojnë, ata bëjnë dashuri me libra. Por, kur di kështu mirë të më mbash ligjërata, hajde kallëzomë se cili është tipi yt i meshkujve? - Nuk e di... Ende nuk e kam gjetur. - E ata të cilëve nuk u jepje gjasa? Të cilët i refuzove ende pa filluar mirë lidhja? Çfarë ishin ata? Me gjasë deri tani ke gjetur ndonjë karakteristikë të përbashkët për të gjithë ata. (vijon)

(Kosova Sot Online)