Roman dashurie: Në kohë të duhur (8)

  • 18 November 2019 - 15:04
Roman dashurie: Në kohë të duhur (8)

Frikohesha se... do të më... dhunonte. A më gënjen nëna? A më ka dhunuar? – Jo, nuk të ka dhunuar. Kemi dokumentet e mjekut. Njeriu që të shpëtoi arriti me kohë. Çka ndodhi më pas? Pasi që përfundoi, para saj vunë tri fotografi që t’i shikonte. Por, ajo nuk guxonte që t’i shikonte. – Ti the se të kujtohet njeriu që të sulmoi? – Po... – Të lutem më trego, a është ai njëri nga këta njerëz. U mundua që t’i shikonte fotot, por e kaploi frika dhe i mbylli sytë. – Nuk mundem... nuk mund të ballafaqohem me fytyrën e tij. – Albulena, e di se është vështirë, por më mirë është që ta identifikosh kështu, sesa që të vish në stacionin e policisë dhe ta identifikosh për së afërmi. – Ju... e paskeni zënë? – Dikë e kemi zënë. – Si e dini se është mu... ai? – E gjetëm në vendin e ngjarjes. – Nuk kuptoj... – Gjithçka do të të tregoj, por ti së pari më ndihmo që ta përfundojmë rastin. Pa identifikimin e tij nga ana jote nuk mund të vazhdojmë me procedurën. – Nuk dua t’i shikoj ato fotografi! Zëri i Albulenës sikur shprehte një lutje, që të mos e mundonin më. Inspektori mori frymë thellë dhe e shikoi kolegun, i cili me shqetësim dhe keqardhje përcillte bisedën.

– Nuk kam çka të bëj. Nuk mund ta detyroj. E di si ndihet. – Po. Pasi që ta marrë veten, do të bisedojmë sërish me të. Inspektori më i vjetër u ngrit nga karrigia, shtrëngoi dorën e Albulenës dhe i buzëqeshi. – Mos u dorëzo, vajzë. Gjithçka është në rregull. Ai u nis të dilte. – Zotëri? Ai u kthye përsëri te shtrati i Albulenës. – Urdhëro, bijë? – Nuk kam nevojë t’i shikoj fotot. Unë e di kush është ai. E njoh. Fytyra e inspektorit mori shprehje habie. – Si e di? – E kam parë në rrugë. Ai është... ai njeriu i ndytë, i parregulluar, ai i zhurmshmi që rrihet nëpër kafene. Rri vazhdimisht para kioskës në rrugën e re. E quajnë me emrin e një kafshe... nuk më kujtohet momentalisht. – Urithin? – Po... urithin... A e keni zënë atë? Fytyra e inspektorit u skuq. – Po, po. Atë. Mos u mërzit. Nuk do të dalë ai nga burgu për një kohë të gjatë. Personalisht do të përkujdesem për këtë. – Faleminderit... E, kush më shpëtoi? Si më shpëtoi? – Mendoj se më së miri është që ai vet të të prezantohet. Do t’i them që qysh nesër të të vizitojë. Në rregull? – Po... Faleminderit edhe një herë. – Falënderoju atij. E edhe vetes sate, sepse je një vajzë e fortë dhe e guximshme. Pasi që doli inspektori, erdhi nëna me dy kushërira më të largëta, prandaj Albulena u mundua që t’i largonte nga koka kujtimet të cilat pak më parë u detyrua t’i ringjallte.

KAPITULLI I NËNTË

Të nesërmen e ëma erdhi më herët sesa zakonisht dhe i tha se pasdite mund të shkonte në shtëpi. Albulenën e gëzoi një lajm i tillë. Edhe pse të gjithë në spital i shprehnin keqardhje dhe mundoheshin t’ia plotësonin çdo dëshirë, atë e mundonte bardhësia e dhomës dhe vetmia të cilën e ndiente gjatë natës. Kah pasditja erdhi doktori për t’i thënë nënës së Albulenës që të vazhdojë me përkujdesje në shtëpi, e ende pa u bërë ora 15:00 Albulena gjendej në shtëpi, duke pirë supë shtëpie, të cilën e ëma ia kishte përgatitur me dashuri. 

(Kosova Sot Online)