Ngjarje e vërtetë: Si na u shkatërrua jeta nga borxhet (4)

  • 19 November 2019 - 15:20
Ngjarje e vërtetë: Si na u shkatërrua jeta nga borxhet (4)

Papritmas sikur një vizion të tmerrshëm para syve e pashë fotografinë e të pastrehëve nën urë. Në mesin e tyre: Urtaku dhe unë. Çfarë tmerri! Kthimin e Urtakut e prisja me padurim të madh. Pasi që nuk kisha kohë e pyeta menjëherë: - Më thuaj, kemi probleme serioze me paratë? Urtaku, i cili sapo ishte ulur për të ngrënë, e hodhi pirunin në pjatë. - Prej nga ky mendim?, më pyeti. Shkurt i tregova se çfarë më kishte ndodhur atë ditë në dyqan dhe çfarë kisha parë në fatura. Derisa po më dëgjonte, fytyra e tij ishte serioze kështu që nuk munda ta lexoj. Më tha se nuk ka arsye për t’u brengosur dhe se për shkak të punëve nuk ka arritur që të kujdeset për llogaritë. Një gjë e tillë u desh të më qetësojë, por nuk më qetësoi - Më trego, të lutem, haptas, dua ta di nëse kemi probleme. Mendoj se nuk është në rregull nëse fsheh diçka nga unë. I kam parë faturat, Urtak! Gjithkah jemi në minus! Balli i tij përnjëherë filloi që të djersitej. - Pse po më spiunon?!, bërtiti ai. - Nuk po të spiunoj, iu përgjigja qetë. - Vetëm dëshiroj që ta di të vërtetën. Mendoj se e meritoj një gjë të tillë. Ma merr mendja se ne të dy jemi të barabartë në martesën tonë! - Po jemi, por me një dallim të vogël: e dallimi është që unë jam ai që i fiton paratë, e ti je ajo që i shpenzon! Mbeta gojëhapur e habitur nga fjalët e tij. Urtakun nuk e njihja si të tillë. Por, ai nuk e la me aq.

- Shiko rreth vetes!, më tha duke bërë me dorë nëpër ajër. – Gjithkah ka enë të argjendta, perde të mëndafshta, qilima persianë dhe shumë marrëzira të tjera të shtrenjta! A e ke pyetur veten ndonjëherë se sa kushtojnë? - Deri tani ke qenë krenar me stilin e banesës sonë, i thashë e ofenduar. - Por, nëse nuk guxoj që të shpenzoj më, ma thuaj atë thjeshtë në vend se të më akuzosh që shpenzoj tepër. Urtaku mori frymë thellë. - Më fal e dashur. Më vjen keq që e kam tepruar, por gjërat janë të komplikuara. - Atëherë ma thuaj të vërtetën! Çfarë është duke ndodhur? Më trego të lutem! - Ke të drejtë. Kompania ka rënë në një krizë të thellë, derisa po fliste, nuk më shikonte. Askund më nuk më japin kredi. Kur muajin e kaluar nuk kisha para të mjaftueshme për t’i paguar punëtorët, kam marrë hua diku tjetër. Në kokë m’u aktivizua alarmi. - Si po mendon diku tjetër? - Pasi që u zhgënjeva së tepërmi iu drejtova fajdexhinjve... Përnjëherë mbizotëroi një heshtje aq e madhe, saqë mund të dëgjohej miza. - Ekziston mundësia që janë ata të cilët të kanë sulmuar në hotel. Në atë mënyrë kanë dëshiruar që të ma tërheqin vërejtjen. Më pas, u ngrit dhe mu afrua dhe më përqafoi fort. - Më vjen shumë keq, dashuria ime! Derisa po fliste me zë të dridhur, rreth meje gjithçka filloi që të rrotullohet. Nuk mund të besoja fjalët që i dëgjova nga ai. Me të vërtetë mbeta e tronditur. - A nuk mundesh t’ua kthesh paratë që i ke marrë hua nga ata?, e pyeta unë. – Herën e ardhshme do të më vrasin! - Kam provuar që t’i bindi që ta kthej borxhin me këste, por as që dëshirojnë të dëgjojnë për një gjë të tillë. - E ti, në vend se të bisedosh me mua në lidhje me problemet, ke vazhduar që të më blesh dhurata dhe nuk ma ke thënë as edhe një fjalë të vetme! A nuk ke pasur aspak besim në mua? Në gruan tënde?

A e di ti që me heshtjen tënde e ke rrezikuar jetën time? - Kam pasur frikë se do të të humbas përgjithmonë. Ti, megjithatë, je mësuar të jetosh në luks, tërë jetën e ke pasur një jetë luksoze. Ngrita dorën në shenjë proteste dhe u ngrita shpejtë. - Mjaft! Ti tërë kohën e ke ditur se je në borxh deri në fyt dhe se mund të më sulmojnë sërish nëse nuk ua kthen borxhin. Megjithatë, nuk ke pasur frikë për mua, por për biznesin tënd! Pasi që e thashë këtë, dola me vrap nga dhoma, e më pas edhe nga shtëpia. Dhe, përsëri ishte Vjollca e vetmja me të cilën mund të bisedoja dhe t’ia tregoja problemet e mia dhe u nisa në drejtim të saj. /Vijon/

(Kosova Sot Online)