Ngjarje e vërteë: Mendoja se isha në prag të vdekjes, prandaj ua thashë të gjithëve të vërtetën në sy (1)

  • 21 November 2019 - 14:58
Ngjarje e vërteë: Mendoja se isha në prag të vdekjes, prandaj ua thashë të gjithëve të vërtetën në sy (1)

Uh, sa budalla që jam, këtë ia them vazhdimisht vetes. Të gjithë të tjerëve ju kam thënë që gjithmonë ta kërkojnë një mendim tjetër mjekësor, e vet unë rashë viktimë e mendimit të parë negativ që ma dhanë për gjendjen time shëndetësore. E, sipas atij vlerësimi, mua më kishin mbetur vetëm edhe pak ditë jete, meqë gjoja, kisha kancer të pankreasit! Meqë disa të njohshëm të mi kishin vuajtur nga sëmundjet e kësaj gjëndre, as që më kishte shkuar mendja ta kërkoja mendimin e ndonjë specialisti tjetër. U pajtova me fatin dhe fillova të jetoja në një mënyrë krejtësisht tjetër. Marrëzinë e parë e bëra me birin tim. Ia thashë të vërtetën në sy, atë që e kishim fshehur me vite të tëra, se atë e kishim birësuar. Bashkëshortja Bardha dhe unë assesi nuk mund të merreshim vesh se kur ishte koha e duhur për t'ia treguar atij të vërtetën. Nëse bëhet fjalë për një fëmijë të birësuar, atëherë kurrë nuk vjen koha e përshtatshme. Por, derisa mendoja se nuk do të jetoja gjatë, atëherë mendova më mirë t'i them unë, sesa e ëma, me të cilën ai do të vazhdonte të jetonte.

- Dhe, kur e kishit ndërmend të ma thoshit këtë? - më pyeti me zemërim Dreni ynë. - Me gjasë kurrë - u përgjigja unë - sikur të mos sëmuresha unë, gjë që ndryshoi gjithçka. - Nëna jote dhe unë assesi nuk mund të merreshim vesh se kur do të ishte koha e duhur … - Njëmend? D.m.th. gjatë tërë kohës, gjatë tërë jetës sime, ju paskeni biseduar prapa shpinës sime, sikur të mos bëhej fjalë për jetën time. Sa egoistë që jeni! Pa marrë parasysh çfarë shpjegimi mund t'i jepja, ai do të tingëllonte jo bindës. Dreni u zemërua jo vetëm me ne, por edhe me motrën, e cila na lindi pasi që e kishim birësuar atë. Ai e kishte qetësuar situatën, me gjasë e kishte zbutur dëshirën tonë që të kishim fëmijë, kështu që ndodhi dhe lindi Dëshira. Atëherë ishim gëzuar të tretë. Dreni ishte një djalë i vogël. E, tani ia shihte për të madhe edhe motrës, përkundër asaj se ajo nuk kishte ditur asgjë. As asaj nuk kishim guxuar t'ia thoshim të vërtetën. Marrëzia e dytë që bëra, ishte shitja e tokës së gjyshit, meqë doja që, këto pak ditë që më kishin mbetur, t'i jetoja si njeri. Fqinji tash e një kohë të gjatë kërkonte nga unë që t'ia shisja këtë tokë. Tani planifikoja që të shkoja me gruan në det, në hotelin më të shtrenjtë dhe të pushonim... deri në fund. Marrëzia e tretë, më e madhja, që bëra, ishte kur shefit në punë ia thash të gjitha ato që i kisha mbajtur në bark me vite të tëra, e pasi që ai më përzuri nga zyra, u ktheva dhe i tregova se isha duke vdekur, kështu që përjashtimi nga puna për mua nuk kishte kurrfarë rëndësie. Shprehja e fytyrës së tij ma zbukuroi ditën. Ajo shprehje ishte përzierje e habisë, pendimit, dhembjes, sikletit, të gjitha së bashku. Kjo ishte një arritje e madhe për një njeri, i cili gjatë njëzet vjetëve nuk na kishte shprehur asnjë emocion. Por, nuk kaloi as gjysmë ore kur më thirri sekretarja e shefit, që të shkoja menjëherë te ai. Shqetësimi tanimë më kishte kaluar. Më interesonte vetëm çka do të më thoshte shefi.

- Dëgjo, Milazim, as ti e as punëtorët e tjerë nuk e dini se çka kam në zemër. Ju mendoni se unë jam një njeri i poshtër, por kjo është vetëm fasada ime e jashtme. Në esencë jam një njeri shumë i palumtur, një lepur i frikësuar të cilin në shtëpi e maltretojnë të gjithë, e sidomos gruaja. Derisa këtu e luaj rolin e shefit, në shtëpi jam si miu para maces. Jam martuar me të për shkak të pasurisë, kështu që askush nga familja e saj nuk më respektojnë. A e di kur kam qenë më i lumturi? Kur ne të dy kishim udhëtuar jashtë vendit, duke shijuar dhe zgjedhur kafe për import, për të gjitha kafenetë dhe hotelet tona. Këtë doja ta bëja gjithmonë, të isha degustator i kafes. Për këtë edhe e kam kryer shkollën në Itali. Tani kur je duke "shkuar", mund të të them se kjo kompania jonë për import-eksport është krejt pa lidhje. Por, ti do t'i marrësh këto fjalë me vete në varr, e unë ndoshta do të ndihem më mirë. - Shef, faleminderit për besimin e shprehur! - Hesht, Milazim! Ka ende! Mund të dëgjosh, apo edhe të kënaqesh me jetën time të mjerë. Gruaja ime e pasur është në lidhje me vëllanë tim më të vogël, kurse bija ime e vetme shkon me një mik timin, i cili është shumë më i vjetër se unë. (vijon)

(Kosova Sot Online)