Roman dashurie: Në kohë të duhur (13)

  • 23 nëntor 2019 - 15:15
Roman dashurie: Në kohë të duhur (13)

- Zemra ime, po të ishe dhunuar do të ndieje dhimbje, sidomos pasi që ai person ka qenë i vrazhdë dhe të ka rrahur ashtu. -Ke nevojë që t'i zgjedhësh fjalët nënë, tani nuk jam më një vajzë naive, e cila ka turp nga një rrëfim i tillë. Kam ndier dhimbje në secilën pjesë të trupit, kështu që nuk e di se çfarë më ka dhimbur me të vërtetë. -Por, ke pasur gjakderdhje, sepse të ka goditur dhe je prerë në gjëra të mprehta, derisa të ka tërhequr në drejtim të shtëpisë. -A është ngjyra e gjakut pas hapjes së himenit më ndryshe sesa gjaku nga pjesët e tjera? Nuk është? E kush e di pra prej ku më ka rrjedhur gjaku? Ganimetja ishte e zhgënjyer. Nuk dinte si ta bindte të bijën se ende është e virgjër. -Duhet të më besosh Albulenë. Unë jam nëna jote, nuk do të lejoja që të mos e dish një gjë të tillë. -Nuk i besoj askujt. Të lutem më lër të qetë. Dëshiroj të pushoj. Nëna provoi që ta bëjë vajzën që të ndjehej më mirë, e puthte dhe e luste që t'i largojë mendimet e gabuara, por hasi në kundërshtim dhe lëvizje të kokës. Në fund megjithatë doli nga dhoma duke i fshirë lotët. Kapitulli i dymbëdhjetë Albulena gjatë tërë pjesës së mbetur të ditës dhe natës refuzoi që të flasë me nënën.

Agimja e vizitoi, por edhe asaj i tha që të mos qëndrojë gjatë sepse po i flihej nga ilaçet që i kishte marrë atë ditë. Por, nuk e merrte gjumi. Po rrinte e shtrirë dhe po mendonte për Petritin. Ai kishte hyrë në jetën e saj në mënyrën më të keqe të mundur, ishte dëshmitar i turpit të saj, e më pas u paraqit dhe lejoi që t'i dridhet zemra në trupin e torturuar. Po, ishte dashuruar në të në shikim të parë. E dinte që ai ishte personi të cilin e kishte ëndërruar tërë jetën.

I kujtonte sytë e tij të kaltër dhe magjinë që bartnin ata. Kur e shikonte, edhe vetë mendonte që edhe ajo mund t'i pëlqejë atij, por jo në një situatë të tillë. Dëshironte që të vijë sërish në vizitë, edhe pse në të njëjtën kohë shpresonte që të mos vijë dhe që në atë mënyrë ta kursejë nga mundimi i takimit me një mashkull shumë të bukur, i cili nuk mund ta shikonte atë si femër. Po rrotullohej në shtrat, e me secilin ndërrim të pozitës ndiente dhimbje në ndonjë pjesë të trupit. Madje edhe i shtrëngonte kofshët, duke dëshiruar që të zbulojë prej nga vinte dhimbja në fund të barkut. E mundonte pyetja se a e kishte humbur virgjërinë në mënyrën më të keqe të mundur. Një gjë e tillë do ta shkatërronte. Vetëm në fillim të mëngjesit ia doli që të binte në gjumë. Megjithatë, ai gjumë nuk ishte i qetë. Ëndërroi se po vraponte në një lëndinë si një drenushë, e Urithi i veshur si gjuetar po e ndiqte. Tërë kohën ishte në nishan të tij dhe e dinte se do t'ia dalë që ta vrasë. Dëshironte që të paraqitej Petriti, të dalë pas ndonjë druri dhe ta shpëtojë nga plumbi, por ai nuk ishte aty. E kaploi djersa kur erdhi Urithi dhe kur ndjeu se diçka e goditi në zemër. E dinte se u qëllua. /Vijon/


(Kosova Sot Online)