Ngjarje e vërtetë: Huazonte para nga gjithkush, që të mund të shtyhej me fqinjët e pasur (1)

  • 23 nëntor 2019 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: Huazonte para nga gjithkush, që të mund të shtyhej me fqinjët e pasur (1)

Gjithçka filloi në ditën kur fqinjët tanë fituan në lotari. Më kujtohet ajo mbrëmje sikur të kishte ndodhur dje. Gruaja ime Blerta dhe unë ishim në dhomën e ditës. Ajo po hekuroste e unë po merresha me disa fatura. Nga televizori dëgjohej zëri i prezantueses, duke i bërë të ditur numrat. - A nuk ka asgjë tjetër në atë televizor, tha Blerta duke e fshirë ballin e djersitur. - A nuk të interesojnë numrat fitues, i thashë unë pa e ngritur shikimin nga grumbulli i faturave. Dukej se po shtoheshin, mendova unë, nga muaji në muaj vetëm po bëheshin më të shumtë. - Natyrisht që nuk më interesojnë! Lirish ndërroje programin, tha ajo dhe vazhdoi me hekurosje. Blerta dhe unë për vite të tëra kishim luajtur në lojëra të fatit, por ato kohëra i takonin së kaluarës. Kanë kaluar disa vite që nga pagesa e tiketës së fundit. Thjesht në një moment vendosëm që ato janë të pakuptimta, dhe se nuk është mirë që të shpenzohen paratë në gjëra të tilla. Sapo i vendosa të gjitha faturat në një zarf dhe Blerta e la hekurin dhe u ul përballë meje, u dëgjua zilja e derës. Fëmijët sapo kishin dalë në qytet, dhe atë të shtunë në mbrëmje nuk e prisnim askënd. Kush mund të ishte në derë?

- Do ta hap unë, tha gruaja, e cila gjendej më afër derës dhe u nis në drejtim të korridorit. - Shiko së pari kush është, i thashë unë. Gjithçka po flitej dhe po lexohej në media në lidhje me vjedhje e plaçkitje të ndryshme. Ia vlente që të tregoheshim të kujdesshëm. E dëgjova se u ndal për një moment para derës para se ta hapte atë, e më pas në banesë u dëgjua një bërtitje nga e cila u ngjetha. - Kemi fituar! Kemi fituar!, po dëgjohej një zë i lartë femre në skaj të histerisë. - E pabesueshme! Me të vërtetë e pabesueshme, u dëgjua një zë mashkulli. Edhe pse tingëllonin më ndryshe, i njihja ata zëra. U takonin fqinjëve tanë që jetonin një kat mbi ne. Kur hyrën në dhomë si ndonjë stuhi, i frikuar u shtrëngova në kolltukun tim. Çfarë kishin? Mos ishin të droguar? Dukagjini, për të gjithë në ndërtesë i njohur si Dugi, dukej se ishte në gjendje para infarktit. Faqet e tij të trasha ishin skuqur dhe po merrte frymë me vështirësi. Gruaja e tij, Teuta, megjithatë ishte zverdhur, ndërsa sytë e saj e kishin një shkëlqim të çuditshëm. E shikova gruan time. Ishte e habitur sa edhe unë. - E jeni për kafe, i pyeti e habitur. - Po çfarë kafe, i tha Dugi. A keni ndonjë shampanjë? - Kemi fituar në Loto! Jemi të pasur!, tha gruaja e tij duke i ngritur duart lart. Vetëm atëherë unë dhe Blerta e kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Por, ajo informatë ende na tingëllonte si e pabesueshme sa që e kishim vështirë që ta përpunojmë. - Vërtet?, tha Blerta duke buzëqeshur, ndërsa në zë mund t'i dëgjohej mosbesimi. - As ne nuk mund të besojmë, por është e vërtetë!, tha Teuta, duke e shtrënguar kokën me duar. Derisa ata po kërcenin nëpër dhomën tonë të ditës, gruaja ime shkoi në kuzhinë për t'i marrë gotat. Menjëherë u nisa pas saj. Në dhomë me të vërtetë kishte tepër eufori për mua. - A mund ta besosh një gjë të tillë, më tha Blerta kur shkova në kuzhinë derisa po i merrte gotat e verës. - A kemi verë?, i thashë unë. Nuk më kujtohej hera e fundit kur e kishim pirë ndonjë gotë. Por, duket se kishim, një shishe kishte mbetur që nga ditëlindja ime.

Në fakt ishte një verë e lirë dhe nuk ishte shumë e përshtatshme për ta festuar një ngjarje të pabesueshme, por megjithatë shërbeu. - Për jetën tonë të re!, tha fqinji dhe e ngriti gotën lartë, - Për jetën tonë të re!, tha edhe gruaja e tij. Por cila ishte arsyeja e ime dhe e Blertës për të festuar? Supozuam se duhet ta bëjmë një gjë të tillë për jetën e tyre të re dhe ashtu bëmë. Edhe pse më vinte mirë për fatin e tyre, më duhet të pranoj se isha edhe pak xheloz. Pse gjërat e tilla u ndodhin gjithmonë të tjerëve? Blerta dhe unë dikur kishim shpenzuar shumë para në lojëra të fatit, e më së shumti që kishim fituar ishte shuma e parave të shpenzuara në tiketa. /Vijon/

(Kosova Sot Online)