Ngjarje e vërtetë: Huazonte para nga gjithkush, që të mund të shtyhej me fqinjët e pasur (2)

  • 24 November 2019 - 15:11
Ngjarje e vërtetë: Huazonte para nga gjithkush, që të mund të shtyhej me fqinjët e pasur (2)

 A, po, natyrisht, paskam harruar, thashë unë duke provuar që të bëhem kinse kam harruar. -Për banesë. Po, për atë kemi pasur nevojë për para. Në linjë sërish mbizotëroi heshtja. E dija që Merita ende është duke e pritur përgjigjen time. - Natyrisht që do të t'i kthejmë paratë, thashë unë, duke provuar që të jem bindës, por nuk isha i sigurt nëse po ia dilja një gjëje të tillë. Thënë sinqerisht, as nuk kisha ide se ku mund ta gjej një shumë të tillë, duke pasur parasysh që pagat tona të vogla mjaftonin vetëm për gjëra themelore. - Kur? -Zëri i Meritës përnjëherë e humbi tonin e butë. Tani po tingëllonte e ftohtë dhe e vendosur. - Po...

- Mua paratë më duhen menjëherë, më ndërpreu me padurim. - Mirë. Nesër, i thashë dhe e lëshova receptorin. I fshiva duart e mia të djersitura për pantallona dhe kur u ktheva në drejtim të Blertës, e cila tërë kohën po qëndronte e heshtur prapa meje dhe po e përcillte bisedën. Në bazë të fytyrës së saj të zbehur e kuptova se e din për çfarë bëhet fjalë. Pritja që së paku të provojë që të sqarojë pse e ka bërë një gjë të tillë, por kur mbeti e heshtur, fola unë i pari. - Ku e ke pasur mendjen? Si ke mundur që të huazosh para, e pyeta menjëherë. -Sa të kanë mbetur nga ato para?, shtova i mbushur me shpresë, por përgjigjja që pranova më shkatërroi. - Asnjë. Gruaja ime e tha këtë aq qetë, sikur të më thoshte se sa e bukur ishte dita. Kështu pra filluan problemet tona. - Të marrim hua nga Dukagjini dhe Teuta?, propozoi Blerta. - Çfarë të bëjmë tani? Të hymë nga njëri borxh në tjetrin?, e rrita zërin. I njihja ato skema. Në atë mënyrë njerëzit futen gjithnjë e më thellë në borxhe për t'u fundosur në fund.

Për mua ekzistonte vetëm një zgjidhje, kur bëhej fjalë për kthimin e borxhit që ia kishim Meritës. Shitja e asaj gjëje me të cilën do të mund të merrnim një shumë të tillë, shitja e veturës. Me dhimbje e shikoja sesi një i panjohur u largua me veturën tonë të vjetër. Tani nuk kishim më veturë, ndërsa shanset për ta blerë një të re ishin të barabarta me zero. I mundur dhe i mjerë, nga tregu i veturave u ktheva në shtëpi me kokë të ulur. - U bë, i thashë Blertës me zë të ulët. - Tani mund t'ia kthesh borxhin Meritës. Dhe, ashtu edhe ndodhi. Por, u mashtrova keq pasi që mendova se problemet tona kishin marrë fund. Nëse dikur kishim jetuar vështirë, tani gjendja u bë edhe më e keqe. Më parë së paku mund të merreshim vesh për çdo gjë, ndërsa tani Blerta me të vërtetë u bë e padurueshme. Fajësimet, se si unë jam përgjegjës për gjendjen tonë të vështirë dhe se më mirë do të kishte bërë po të martohej me dikë më të aftë që do t'i mundësonte jetë normale, nuk kishin fund. Derisa fqinjët tanë nuk e fshihnin faktin se sa janë duke u kënaqur në luksin e ri, martesa jonë filloi që të shndërrohet në ferr. E më pas, kur shpresoja më së paku. Erdhi goditja e re: Blerta kishte marrë sërish hua. Por, kësaj radhe paratë i kishte marrë nga halla e saj. - E dini, me të vërtetë nuk do të kërkoja që të m'i ktheni, thoshte halla për paratë e saj, por tani kur bashkëshorti im është i sëmurë, më duhen urgjentisht ato. Nuk mund të besoja se çfarë po dëgjoja. E shikova Blertën, duke e pyetur veten se a është ajo me të vërtetë gruaja me të cilën është martuar dikur, apo ndoshta ishte ndonjë grua e ligë, të cilën dikush ia kishte lënë në dorë. Kësaj radhe kishte huazuar "vetëm" 300 euro. Për dikë mund të mos jenë shumë, por për ne, që ishim vazhdimisht në minus në bankë, ajo shumë na dukej një pasuri e vërtetë. Nuk thashë asgjë para hallës së Blertës, por vetëm fillova të mendoj se çfarë do të shesim kësaj radhe për ta kthyer borxhin.

Por, nuk më binte asgjë në mend. Paratë e veturës tashmë ishin shpenzuar dhe sërish u gjenda në qorrsokak. Kësaj radhe, shkova në katin mbi ne dhe i luta fqinjët që të na huazojnë para. Çfarë janë 300 euro për ta, tani kur e kishin një pasuri të madhe, po e ngushëlloja veten, derisa po ngjitesha në shkallë. Dugi e nxori menjëherë kuletën dhe ma ofroi shumën e kërkuar sikur të bëhej fjalë për para për akullore, ndërsa Teuta nuk e fshehu pakënaqësinë e saj. Në fakt, nuk më tha asgjë haptas, por kur filloi që të ankohej sesi kishin shpenzime të mëdha për renovim të banesës, veturë të re dhe shkollim të vajzës në Amerikë, çdo gjë u bë e qartë. Këtu më nuk mund të kthehesha me një kërkesë të tillë. Derisa po shkoja në drejtim të banesës, m'u kujtuan kohët e qeta kur të gjithë ishim në gjendje të njëjtë financiare. Pinim shpesh kafe dhe bisedonim për gjëra të përditshme. Nuk kishim shumë, por të gjithë ishim të lumtur. Ne më nuk ishim të lumtur, por paradoksi qëndronte në faktin se as ata më nuk dukeshin të lumtur. Tani përnjëherë e kishin një brengë të re - si t'i investojnë paratë në mënyrë të mençur e të mos e shpenzojnë në njerëz të mjerë si ne. Isha i zemëruar në gruan time, që më kishte sjellë në këtë gjendje që të poshtërohem, por më i rëndësishmi megjithatë ishte fakti që mund ta kthenim borxhin. /Vijon/

(Kosova Sot Online)