Roman dashurie: Në kohë të duhur (16)

  • 26 nëntor 2019 - 15:00
Roman dashurie: Në kohë të duhur (16)

– Çka dëshiron të bësh me këtë? – Do të doja të bëhesha kreatore e modës. – Unë nuk kam dijeni rreth kësaj. Si bëhesh kreatore e modës? – Më së thjeshti është ta hapësh punëtorinë tënde, ku do t’i shesësh kreacionet e tua të nënshkruara. E më pas, nëse do t’ia vlejë, dikush do të të vërejë dhe do të të propozojë te të tjerët. – Këtu ka rëndësi edhe marketingu... Atij i sillej diçka në mendje, por Albulena nuk e dinte çka. – Natyrisht, e di se kjo është e parealizueshme, por të paktën kam të drejtë të ëndërroj sikur gjithë të tjerët. Ia zgjati dorën duke ia bërë me dije se donte t’ia kthente fletoren, por Petriti nuk reagoi ashtu. – Pse the se kjo është e parealizueshme? – Sepse nuk kam mënyrë sesi ta hap punëtorinë time të rrobaqepësisë dhe ta filloj biznesin tim. – Dëshiron të thuash se nuk ke para? – Po. Nuk kam dhe çfarëdo që jam munduar ta bëj në këtë drejtim, ka dalë të jetë një gabim i madh. I tregoi shkurtimisht rreth raportit me të atin dhe dëshirën që të huazojë para nga ai. – Mendoj se ke hequr dorë ende pa e pyetur. Kjo është absurde.

Kështu nuk realizohen ëndrrat. Duhet të shkosh edhe aty ku nuk të shkohet, duhet t’i mëshosh murit me kokë edhe kur koka të dhemb shumë. Duhet të gjesh mënyrë që babai të të mbështesë disi. – Nuk ka shanse. Pas asaj që më ka ndodhur, as që ka ardhur të më vizitojë. As nuk më ka thirrur. Për të jam vetëm një barrë, të cilën dëshiron ta heqë sa më larg mendjes së vet. – Duhet të mundohesh. Këtu nuk flitet se a do t’i japë me të vërtetë paratë, por kemi të bëjmë me forcimin tënd. Duhet ta tejkalosh atë inferioritet që e ndien ndaj njerëzve të caktuar dhe të mësohesh të kërkosh. Kështu do ta kuptosh realisht se sa larg je nga realizimi i ëndrrave të tua.

I pëlqente që ai e mbështeste, sidomos pasi këtë e bënte në një mënyrë serioze. Grushti i mbledhur ende i rrinte në ajër. Por, Lena mendonte se ai ose e idealizonte jetën, ose e shikonte nga perspektiva e vet, ku çdo gjë ishte shumë më e mirë. – Nuk e di. Tani nuk mund të mendoj për këtë gjë. Do të shohim! – Jo, nuk do të shohësh asgjë. Ku jeton babai yt? I tregoi, duke e pyetur veten se çka i duhej një gjë e tillë. – Sot është e shtunë. Nesër më duhet të udhëtoj, por të martën jam këtu. Nëse më duhet të takohem me ata të sigurimit, atëherë... Albulena e shikonte derisa ai sikur fliste vet me vete. Në atë moment dukej tepër i bukur. – Të mërkurën mundet! Në rregull, të mërkurën rreth mesdita do të të thërras dhe do të vij te ti. Bëhu gati. Hutimi i fytyrës vajzërore tani i pëlqente Petritit. – E për çka të përgatitem të mërkurën? – Do ta vizitojmë babanë tënd. Unë do të të dërgoj me veturë dhe do ta gjejmë ku është e ku s’është. Merre këtë fletore me vete, që edhe ai të shohë se sa e talentuar je. Dhe, ji e bindshme dhe e sigurt në vetvete! /Vijon

(Kosova Sot Online)