Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah e vërteta që na e shkatërroi jetën (2)

  • 27 November 2019 - 15:03
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah e vërteta që na e shkatërroi jetën (2)

Përndryshe, Diana e donte Armendin, meqë ata dy, që nga takimi i parë, pajtoheshin shumë mirë me njëri-tjetrin. Bile edhe kur grindeshin, ata e dinin se nuk e kishin seriozisht, se ishte temperamenti i tyre që i bënte të flisnin. Që të dy ishin plot energji, donin të ishin në lëvizje, prandaj edhe bënin punë të tilla. Ai në ndërmarrjen tonë gjithmonë ishte ai që punonte jashtë, në terren, ajo ishte agjente për shitjen e shtesave të shëndetshme të ushqimeve, që organizonte takime, bënte prezantime. Për Dianën nuk ishte vështirë asgjë: as të punonte, të gatuante, të rriste fëmijët, as të organizonte ndeja, të udhëtonte, të merrej me familjen time të shumënumërt, duke mos më lënë as mua asgjë mangu. Të gjithë e donin. - Nuk jam martuar sepse nuk kam gjetur një grua si tënden - më kishte thënë një herë si në shaka Armendi, duke ia bërë me sy Dianës, ashtu që ta shihja edhe unë, pasi që kisha bërë një koment rreth martesës. - Kjo nuk do të ishte mirë - kishte thënë ajo atëherë. - Paramendo, ne të dy bashkë, do ta mbysnim njëri-tjetrin. Me Gazmendin, megjithatë, është një kombinim më i mirë. - Doni të thoni se unë jam qyqar?

- Larg qoftë! Ti vetëm je një ekuilibër i mirë - kishte komentuar Armendi. - Atëherë ty nuk të duhet një Dianë, por një ekuilibër. Hajt, gjeje më një të tillë! Kjo ishte një bisedë e marrë, por që mu kujtua pasi që e njoha Bletën. E bukur, e qetë, e mençur, tepër e re për një dhelpër sikur që ishte Armendi, por verbërisht e dashuruar në të. E më pas, sa më shumë që e njihja, kuptoja se, ajo megjithatë, ishte e gatshme për martesë dhe amësi dhe se e dinte saktësisht se çka donte nga jeta. Në një rast më kishte thënë se kishte shkuar në shkollën për infermiere vetëm që sa më herët të dilte në "bukë të vet". Më pëlqenin edhe vetitë e saj që i zbulova më tej: besnikëria ndaj njerëzve që i donte dhe me të cilët takohej si privatisht, po ashtu edhe në punë, kuptim për të gjithë, ngrohtësi të cilën e përhapte përreth vetes. Shpesh e pyesja veten sesi ia kishte dalë të mbetej njeri i mirë, kur ishte rritur në jetimore dhe gjatë tërë jetës kishte luftuar për të mbijetuar. Ashtu sikur Diana që e pranoi Armendin, po ashtu edhe unë zemërhapur e pranova Bletën. E konsideroja si shoqen më të mirë dhe si bashkëmendimtare, derisa gruaja ime dhe burri i saj ishin njerëz të llojit tjetër, ngapak egoistë në çdo aspekt, por të dashur për ne, me të gjitha të metat e tyre të vogla. Megjithatë, ia kalonim mirë së bashku. Një ditë Bleta më thirri dhe më tha se dëshiron të bisedojë me mua diçka me rëndësi. - Eja te ne kur të duash. - Gazmend, të lutem, dua të jem vetëm me ty dhe pa na penguar kush. Sonte jam në ndërrimin e natës, tani jam në shtëpi. Nëse mundesh, eja para se të kthehet Armendi. Pasi që kuptova se bëhej fjalë për diçka të rëndësishme, dola më herët nga puna dhe, turr e te Bleta. - Për çka bëhet fjalë? - e pyeta i shqetësuar pasi që ia pashë sytë ende të lagësht nga lotët.

- Armendi më mashtron - ma tha troç. - Bletë, qetësohu. E, si do ta bënte një gjë të tillë? Punojmë bashkë, e unë e njoh më mirë se të tjerët. A mendon se unë nuk do ta kisha hetuar, a? - Atëherë si ta shpjegoj faktin që, qysh se kam lindur fëmijën, asnjëherë nuk më ka prekur, që ikën sa herë të mundet, që para kemi gjithnjë e më pak. Përpos kësaj, disa thirrje telefonike i bën duke u larguar nga unë. Ia kam kontrolluar celularin, gjithnjë i njëjti numër. Kryesisht thirrjet i bën ose kur ai është në punë, ose kur unë jam në punë. E gjeta edhe një mesazh ku "ajo" ia cakton vendin e takimit, e ai konfirmon shkuarjen. - Bleta - fillova unë me një zë më të qetë - martesa është diçka tjetër nga dashuriçkat dhe argëtimi. Obligimet janë tjera, ka më shumë punë, fëmija është këtu, më pas të afërmit, miqtë, pastaj gara për një jetë më të mirë. Për Armendin krejt kjo ka ardhur tepër shpejt. Ndoshta vetëm është duke u munduar që të gjendet në tërë këtë situatë. Përpos kësaj, është normale që ai të mos jetë më i dashuruar si dikur, bile as i vëmendshëm si dikur. Por, më beso, këto janë vetëm rënie dhe ngritje të rëndomta në martesë. Nuk do të vonojë shumë dhe përsëri gjithçka do të jetë në rregull. E, sa i përket meselesë me celularin, çka të të them, mund të bëhet fjalë për ndonjë furnizues për materiale, të cilin duhet ta thërrasësh njëqind herë para se ta kryejë punën. - Ai më mashtron - përsëriti, duke mi ngulur sytë. - E di, e ndiej. Të gjitha elementet e kësaj i vërej. - Mirë, atëherë! Do të bisedoj me të. - Jo, jo! - më tha me shpejtësi. - Por, të lutem përcille dhe, të lutem, mos i thuaj asgjë Dianës. Të lutem - më habiste fakti që ajo më luste kaq shumë. - Ani, de - i premtova asaj. E qetësova Bletën, duke i premtuar se do të kisha kujdes ndaj sjelljes së shokut dhe u nisa për të shkuar në shtëpi. I jepja veturës me tërë fuqinë, duke menduar: "Ah, sa i marrë që je, Armend, sa i marrë..." (vijon) 

(Kosova Sot Online)