Roman dashurie: Në kohë të duhur (19)

  • 29 November 2019 - 15:12
Roman dashurie: Në kohë të duhur (19)

E shikonte sikur buzëqeshja e tij po shndërrohej në një qeshje të zëshme. E poshtëruar dhe e zhgënjyer nga reagimi i tij, ndihej sikur një lypëse që qëndron para një mbreti të madh. Kur u qesh mirë, babai i saj u ngrit dhe ia tregoi derën me dorë. - Të lutem që të largohesh. Nuk jam i interesuar që të më shfrytëzojë secili njeri. Kam para për shkak se kam punuar dhe i kam fituar, e kjo nuk do të thotë që duhet t'i shpenzoj në secilin njeri që vjen për të kërkuar ndihmë. Të lutem largohu tani, dua të pushoj. Albulena vetëm sa nuk po qante, por nuk dëshiroi që ta bëjë një gjë të tillë para tij. Në kokë i mbeti fjalia e tij që nuk i shpenzon paratë në secilin njeri. -Unë nuk jam gjithkush, jam fëmija yt.

 Të thashë që të largohesh. Nëna ka mundur që së paku të të edukojë sa ta dish që kur duhet të largohesh nga shtëpia, në të cilën je mysafire e padëshiruar. Kjo ishte e tepërt. Lotët filluan që t'i rridhnin dhe ajo menjëherë u nis në drejtim të derës. - Dhe herën e ardhshme mos më befaso duke ardhur pa më lajmëruar. Së pari duhet t'i mësosh disa gjëra e më pas të nisësh punë private! Iu duk sikur kurrë nuk do të arrinte deri te vetura e Petritit. Kapitulli i shtatëmbëdhjetë U qetësua vetëm kur arritën në një restorant afër një liqeni. Petriti kot përpiqej që të nxjerrë nga Albulena faktet se çfarë kishte ndodhur në shtëpinë e babait, por ajo vetëm po qante dhe e shtrëngonte dorën e tij. Porositi ushqim për të dy dhe po priste që ajo të qetësohej. -Mirë, tani u qetësove. Më trego se çfarë ndodhi. Sytë i kishte ende të mbushur me lot. Nuk mund ta shikonte në sy, i vinte turp nga dobësia e saj, i vinte turp që nuk ishte e tillë siç ndoshta dëshironte ai që ta shohë. - As që provoi që të më kuptojë. Më largoi sikur të isha bërllok. Më tha se nuk i ndihmon secilit që i kërkon ndihmë. As që më pyeti si jam. U ndjeva aq e poshtëruar.

Zëri po i dridhej. Ai përsëri e kapi për dore. -Dëshiron që të kesh sukses? -Po. Por si? Nuk ekziston ndonjë mënyrë. - Gjithmonë ekziston mënyra. Provo që ta analizosh veten, të zbulosh secilën ndjenjë që e ke përjetuar gjatë kësaj bisede të dështuar me babanë. Mendoi disa minuta e më pak prej diku i doli tërbimi dhe inati. -Dëshiroj që të jem e suksesshme për inat të tij. Qeshja e Petritit ishte mjaft e zëshme. -Ja, e sheh, këtë edhe e prita. As që kam menduar që pas një raporti të tillë me babanë, ashtu siç e ke përshkruar, do t'ia dalësh të bësh diçka. Por, dëshirova që ta shoh vullnetin tënd, dëshirën dhe vendosmërinë tënde. Në fillim Lenës i erdhi mirë që në fund i kishte arritur pritjet e tij. Kur të lavdëron një mashkull të cilit duket se i shkon gjithçka për dre, thjesht është e pamundur që të mos ndiesh kënaqësi. /Vijon/

(Kosova Sot Online)