Roman dashurie: Në kohë të duhur (20)

  • 30 nëntor 2019 - 14:47
Roman dashurie: Në kohë të duhur (20)

Biseda mori tjetër drejtim. Ai po i tregonte për fushatën reklamuese, të cilën ishte duke e bërë për një markë të orëve në tregun vendor, dhe një gjë e tillë iu duk interesante. Më në fund ishte në gjendje që ta shikojë në sy. E pa para vetes njeriun me një jetë të përkryer, që kënaqet në punë dhe, sipas të gjitha gjasave, në të gjitha gjërat tjera, e më pas u paraqit pikëllimi për shkak të faktit se së shpejti do t'i vinte fundi këtij shoqërimi të pazakontë. Koha po ecte, ndërsa Lena e dinte që me të po kalonin edhe këto momente të bukura, në të cilat po kënaqej në afërsi të tij. Ai me këtë e kishte përfunduar misionin e tij. Dy vepra të mira janë të tepërta për një jetë.

KAPITULLI I TETËMBËDHJETË

Derisa po ktheheshin ajo po heshtte. Petriti e lëshoi një muzikë dhe ajo i pëlqeu Lenës. Dëshironte që ta pyesë se a ka të dashur, por e dinte që një gjë e tillë do të tingëllonte si pretenduese. Jo larg shtëpisë së saj ai e ndërpreu heshtjen. -Po të mos i kisha disa obligime private, do të të lusja që të qëndrojmë edhe pak bashkë. - Edhe unë kam kaluar shumë mirë, Petrit. - A je e interesuar që nesër ose pasnesër të dalim diku, për akullore, ëmbëlsira, në darkë, kinema, kudo që të dëshirosh? U befasua, zemra po i rrihte shpejt, por më pas mendoi se ai ende është duke e luajtur rolin e shpëtimtarit dhe se nuk di të dalë nga ai rol. - Petrit, faleminderit për të gjitha, por nuk ka nevojë që ta kalosh kohën tënde të lirë me mua. E di se e bën këtë sepse të vjen keq, kështu që disi ke nevojë që deri në fund të jesh shpëtimtari im. Ke bërë mjaft, më beso. Të jam mirënjohëse për gjithçka, por mund të vazhdoj vetëm dhe nuk ke nevojë që të mundohesh. Petriti frenoi shpejt. Ajo u frikua dhe e shikoi. Dukej i zemëruar. Të tillë nuk e kishte parë ende. - Çfarë po thua? - Të vërtetën. - Si e di ti se çfarë mendoj unë? - Nuk mundet të jetë ndryshe.

- Albulenë, kuptoj që nuk u beson njerëzve. Por, mos më konsidero mua si armik. Unë nuk ndjej keqardhje për ty. Larg asaj. - Çfarë ndjen atëherë? Me të vërtetë e dëshironte atë përgjigje. Po e shikonte drejt në sy. - Nuk e di ende, por përfundimisht nuk bëhet fjalë për keqardhje. Nëse kjo është e rëndësishme për ty, mendoj se je shumë e bukur dhe shumë e butë, e madje edhe kur ke qenë e shtrirë me plot të mavijosura, ke qenë si një engjëllushë. Ke diçka në vete që e shtyn mashkullin që të provojë të bëjë gjithçka për të të mbrojtur. Nuk je sikur shumica e vajzave të sotme. Nuk mund të besonte se po i jepte komplimente të tilla. - Kam dëshirë që të takohem me ty. Nëse mes nesh zhvillohet një shoqëri, do të jetë një gjë e bukur, nëse ndodh diçka më shumë, do të jetë një gjë edhe më e bukur. Vetëm ma ofro një shans. E nisi sërish veturën, sikur të mos e priste përgjigjen e saj. Kështu arritën deri te dera e shtëpisë së saj. E pa nënën në oborr, ndërsa e pa edhe Petriti. - E di që mezi je duke pritur që të dalësh, por para se ta bësh një gjë të tillë do të dëshiroja që të ma japësh numrin e telefonit tënd, natyrisht, vetëm nëse dëshiron. Ia dha numrin dhe e puthi në faqe. Ndjeu diçka të ngjashme me lumturinë. Si mund t'i pëlqente dikujt si Petriti? Doli shpejtë nga vetura, e ai vetëm i tha se do t'i telefononte. (vijon) 


(Kosova Sot Online)