Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t’ia lindja një djalë (1)

  • 01 December 2019 - 15:10
Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t’ia lindja një djalë (1)

Në kohë të duhur ora kutinë, ku qëndronte dhurata e ditëlindjes për të bijën e miqve të mi, Drenushën. Sot ajo i bënte katër vjet dhe nuk mund të besoja se sa shpejt iknin vitet. Më dukej sikur ajo të kishte lindur dje. Shikova edhe një herë në pasqyrë, për t’u siguruar se gjithçka ishte në rregull. Më duhej ta pranoja se, fustani i ri, por edhe stili i ri i flokëve, kishin dhënë efektin e tyre. Nejse. Nëse veç nuk mund të ndryshoja asgjë tjetër në jetën time, atëherë edhe kjo duhet të më kënaqë. Çka?! A kishte mundësi që ora tanimë ishte bërë gjashtë? O, Zot! Të gjithë do të mbërrinin para meje, mendova me panik, duke e shikuar orën. Mora çantën me nguti dhe dola nga shtëpia. Derisa hapja derën e automobilit, vëmendjen ma tërhoqi një vajzë e vogël, leshverdhë. Nuk mund të kishte më shumë se pesë vjet. Gjithmonë ma bënte me dorë derisa hyja në automobil. Edhe tani ishte aty, mbi barin që gjendej para ndërtesës, e rrethuar nga fëmijët e tjerë.

Edhe kësaj here e pashë sesi ma bëri me dorë, duke më përshëndetur. Sa e bukur ishte, mendoja derisa ia dhuroja një buzëqeshje. Sapo hyra në automobil, dëgjova një zë të panjohur fëmije: - Nëna e kujt është kjo? - E askujt – u përgjigj vajza leshverdhë. U ndjeva sikur të më kishte vrarë reja. Kjo ishte e vërtetë. Unë nuk isha ëma e askujt, e as që do të bëhesha ndonjëherë nënë, mendova duke ndier lotët në sytë e mi. Mbështeta kokën në timon dhe, përkundër dëshirës sime, dënesa me zë. Jeta të cilën isha duke e bërë, sikur që sapo kuptova, ishte tërësisht e zbrazët dhe e pakuptimtë. Edhe pse e kisha banesën time, një punë që paguhej mirë, kisha automobilin dhe miqtë, nuk isha aspak e lumtur. Më mungonte së tepërmi një fëmijë. Dëshira ime jetësore ishte që të bëhesha nënë e ndonjë vajze leshverdhë, së cilës do t’ia jepja tërë kujdesin e nevojshëm. Vitin e kaluar isha ndarë nga Ardiani, pas tetë vitesh martesë. Miqtë dhe farefisi kishin mbetur të habitur nga ky lajm. Duheshim shumë, por nuk mund të kishim fëmijë. Të dy vuanim për këtë shkak, por me kalimin e kohës ai filloi të më akuzonte. Unë e kisha tërë fajin, meqë nuk mund të mbesja shtatzënë, duke ia lindur atij fëmijën, që e donte aq shumë. Isha munduar ta bindja që të dy të kontrolloheshim te mjeku dhe, nëse do të kishte nevojë, të mjekoheshim, por ai e refuzonte çdo propozim timin që në fillim, me gjasë për shkak se më lehtë e kishte që të më fajësonte mua për gjithçka. - Kush e di se çka ke bërë para se të njoftoheshim? Do të duhej ta dija se nuk ishe shenjtëreshë. Ndoshta për këtë shkak tani ke probleme – fjalët e tij një mëngjes, derisa hanim kafjall, më shpuan si thikë. - Ardian, ti e di se kjo nuk është e vërtetë – u mundova më kot t’ia mbyllja gojën. Fjalët e tij më lëndonin pa masë, sidomos për shkak se ai e dinte mirë që, para tij, e kisha pasur vetëm një të dashur tjetër dhe se, prej momentit që e kisha takuar atë, as që më kishte shkuar mendja për ndonjë mashkull tjetër. Nga dita në ditë unë dhe Ardiani largoheshim gjithnjë e më shumë nga njëritjetri. Dashuria u shndërrua në indiferencë, e më pas edhe në urrejtje. Më nuk mund të bisedonim për asgjë, e të mos grindeshim. Në një rast u mundova t’ia propozoja birësimin e një fëmije, por kjo vetëm sa e bëri të tërbohej edhe më shumë. - Dua një djalë! Të gjakut tim! A më kupton?! Farën time! – më bërtiste, derisa mua më rridhnin lotët rrëke. Nga frika dhe stresi një kohë të gjatë nuk mundja të flisja. Megjithatë, në një moment konstatova se të gjitha përpjekjet e mia për ta shpëtuar martesën nuk kishin më kurrfarë kuptimi. - Shko, atëherë – fjalët e tij më tmerruan. Në atë moment me të vërtetë gjithçka më dukej njësoj. Kuptova se më nuk ndjeja asgjë ndaj Ardianit. Shkurorëzimi dukej gjëja më e logjikshme. Edhe ashtu, ishte e qartë se më nuk kisha kurrfarë rëndësie për të, meqë nuk mund t’ia lindja një fëmijë. - Sanije, me të vërtetë e ke? – dëgjova të më pyeste më pas.

- Po, ashtu mendoj – iu përgjigja shkurt. - Ashtu, kaq thjeshtë? – më pyeti ai duke e tundur kokën me qesëndi. - Edhe vetë e di se nuk është vetëm ashtu, “aq thjeshtë”. Ka vite që e mundojmë njëri-tjetrin. Më nuk mund t’i duroj ofendimet dhe poshtërimet që mi bën. Çdo herë kur të shikoj më bie ndërmend që unë e kam fajin kryesor për pakënaqësinë tënde, meqë nuk mund të ta jap atë që ti e do më së shumti. - Por, mendoja se më doje... - Ardian, nuk ka arsye që ta mashtrojmë veten. As ndjenjat tua nuk janë aq të forta, sa që të mund të rrinim bashkë. Edhe ai e dinte se kisha të drejtë, prandaj nuk më tha asgjë. Disa ditë më vonë, ai kishte gjetur një banesë tjetër dhe i mori gjësendet e veta. Shkurorëzimi u krye me lehtësi, kështu që shumë shpejt fillova që e vetme të ballafaqohesha me dallgët e jetës. (vijon)


(Kosova Sot Online)