Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t’ia lindja një djalë (3)

  • 03 December 2019 - 15:09
Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t’ia lindja një djalë (3)

I kishte gati dyzet vjet. Kishte trup të mirë dhe flokë të zinj, aty këtu ndonjë qime të thinjur, e cila ia shtonte sharmin, ndërsa menjëherë e tërhoqi vëmendjen time. Buzëqeshja e ngrohtë që ma drejtoi nga ana e kundërt e sallës do ta shkrinte edhe akullin më të fortë. Ia ktheva me buzëqeshje dhe kështu filloi çdo gjë. Pas gjysmë ore po vallëzoja me të dhe isha e lumtur, që ishte paraqitur dikush që bëri që zemra ime të rrahë më shpejt se zakonisht.

Në mesnatë, me gota të shampanjës së Vitit të Ri i dëshiruam njëri-tjetrit shëndet, dashuri dhe lumturi në vitin në vijim. Puthja e Veliut në faqe ishte e butë, miqësore, por unë megjithatë dridhesha nga ajo. Çfarë është duke ndodhur me mua? Kurrë nuk kisha besuar në dashuri në shikim të parë, mendoja se një gjë e tillë ndodh vetëm në filma. Më e çuditshmja nga të gjitha ishte ajo që Veliun nuk e kisha vërejtur më parë, sepse ishte ekonomist, dhe atë në kompaninë që e kisha përfaqësuar shpesh. Siç më tregoi, para disa muajsh kishte ardhur që të jetojë në qytet. Ne vazhduam që të takoheshim. Ishim mjaftueshëm të pjekur që ta kuptojmë atë që po ndodhte mes nesh dhe që të mos e kundërshtojmë. Nata jonë e parë e përbashkët për mua ishte një përvojë krejtësisht e re. Veliu ishte dashnor i butë dhe i kujdesshëm. Më bëri që të ndihem sikur femra më e veçantë në botë. Miqtë e mi u befasuan kur kuptuan që jam dashuruar dhe këmbëngulën që të njoftohen me Veliun. Ai u përshtat shpejt në shoqëri, sepse ishte mjaft komunikues. Në raste të takimeve të përbashkëta e shikoja e dashuruar dhe isha e lumtur që ai mashkull është vetëm i imi. Një mbrëmje, derisa po rrinim të shtrirë njëri pranë tjetrit, tha diçka të cilën përkundër dashurisë së madhe, që ndieja ndaj tij, ende nuk isha e gatshme që ta dëgjoja. - Sanije, mendoj që ti je femra me të cilën dëshiroj ta kaloj jetën. Do të dëshiroja që të martohemi dhe t'i kemi së paku tre fëmijë. Të dua shumë. Nuk e di se sa jam i lumtur që të kam takuar, më tha duke më puthur. - Edhe unë të dua ty, i thashë unë. A do të thotë kjo se po pranon?, më pyeti ndërsa unë vetëm po heshtja.

- Hej! Çfarë ndodhi? Pse nuk flet?, më tha ai. -Mos më thuaj se nuk dëshiron që të jetojmë bashkë dhe të kemi fëmijë. Gjithmonë kam ëndërruar për një familje të madhe e të lumtur, por deri tani nuk e kam takuar femrën e duhur, shtoi ai. - Veli, të lutem, mos më keqkupto, por mendoj se gjithçka është duke ndodhur disi shpejt. Ndoshta do të ishte më mirë që të presim edhe pak, të njihemi më mirë dhe ta shohim se a jemi në fakt njëri për tjetrin, i thashë unë. Në të njëjtin moment iu zhduk buzëqeshja nga fytyra. E dija se kam gabuar, por nuk kishte më kthim. - Në rregull, nëse ti mendon ashtu, më tha paksa i ofenduar dhe ma ktheu shpinën. Sado që përpiqesha, atë natë nuk munda të flija. Isha e zemëruar në veten time, sepse nuk pata guxim që t'ia them të vërtetën, por kisha shumë frikë se do ta humbja. Veliu ishte gjëja më e mirë që ma kishte sjellë jeta, e kisha frikë se do të ndahej nga unë po ta kuptonte se nuk mund t'ia ofroj atë që e dëshiron. Edhe Ardiani më kishte dashur, së bashku kishim kaluar shumë vite, e dihet se si përfundoi lidhja me të, mendoja ndërsa lotët më rridhnin nga sytë. Ditëve në vijim e shmangia Veliun me justifikime se kam tepër punë, dhe se do të takohem me të sapo të jem më e lirë. Më mungonin shumë prekjet dhe puthjet e tij, por besoja që kështu ishte më mirë për të dy. Veliu ishte një mashkull i mrekullueshëm dhe meritonte një femër më të mirë, një femër që do të mund t'ia ofronte atë që unë kurrë nuk do të mundem, i thosha vetes, edhe pse zemra po më thyhej nga pikëllimi. Veliu nuk ishte i marrë dhe pas një kohe të shkurtër, më priti te dalja e kompanisë dhe kërkoi sqarim nga unë. - Sanije, çfarë po ndodh? A bën, të lutem, të më tregosh pse je duke më shmangur? A mos të kam ofenduar me ndonjë gjë?, më pyeti duke më mbajtur për dore. - Jo, jo, nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë, i thashë. - Dua të di të vërtetën! A po më dëgjon? A nuk mendon se pas të gjithave që kemi kaluar bashkë kam të drejtë që së paku ta di?, më pyeti. -Nëse ke ndonjë tjetër, e kuptoj, vetëm të lutem më trego se ku qëndron problemi? /Vijon/

(Kosova Sot Online)