Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t'ia lindja një djalë (4)

  • 04 December 2019 - 15:00
Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t'ia lindja një djalë (4)

Duke e parë Veliun ashtu të dëshpëruar, ndjeva se te unë kishte ndryshuar diçka. Vendosa t'ia thosha të vërtetën, sepse më nuk kisha çka të humbja. Një ferr më të madh sesa ky që isha duke e përjetuar pa Veliun në jetën time edhe ashtu nuk mund ta merrja me mend. E dua, e dua me tërë fuqinë dhe, m'u për këtë shkak ai ka të drejtë ta dijë. Edhe ashtu, çdo gjë kishte marrë fund, mendova e pikëlluar. - Ke të drejtë! Ti ke të drejtë ta dish! Hajde, shkojmë ta pimë nga një kafe - i thash duke e kapur për krahu. Kur rreth një orë më vonë kisha përfunduar rrëfimin tim, hetova se fytyra m'u kishte lagur nga lotët. - Sanije, të dua dhe dua të martohesh me mua. Me apo pa fëmijë, e di se do të jemi të lumtur - tha ai, duke folur i pari, e unë iu hodha në përqafim e gëzuar. - Hej, budallaqe, ti po qan?! - Të dua, Veli, nuk mund ta marrësh me mend sesa të dua - nuk pushoja të përsërituri këto fjalë. Dasmën e caktuam për në muajin mars. I ftuam vetëm miqtë tanë më të afërt. Atë mbrëmje, mezi prisnim të përfundonte gazmendi e të mbeteshim vetëm ne të dy. - Shpresoj se kurrë nuk do të pendohesh që je martuar me mua - i pëshpërita duke e puthur natën e parë të martesës. - Kurrë, e dashur. Do ta birësojmë një fëmijë, a e di sa fëmijë të braktisur ka? Do ta duam sikur të ishte yni... - më thoshte ai derisa më puthte. Ishte fillimi i majit kur hetova ndryshimet e para te vetvetja. Vazhdimisht ndihesha e lodhur dhe disi çuditshëm.

Për mundimin as që doja ta dija. Bile edhe Veliu kishte hetuar se diçka ishte duke ndodhur me mua. - E dashur, disi më je zbehur këto kohët e fundit. Jam shqetësuar për ty. Ndoshta do të duhej ta vizitonim mjekun - më tha një mëngjes gjatë kafjallit. - Mos u mërzit, vetëm jam e lodhur - i thash, duke mos qenë as vetë i sigurt. Mjaftonte që ta shikoja bukën dhe gjalpin që ishte duke ngrënë burri im, që të më rrotullohej lukthi. - Çka ke? Nëse nuk të pëlqen gjalpi, në frigorifer ka xhem kumbullash. Bile, dje e kam blerë... - më tej nuk mund të dëgjoja, meqë me dorën para gojës shkova në banjë me vrap. - Sanije, a je e sigurt se je mirë? Mos ke mbetur... - më pyeti pasi që u ktheva nga banja, gjysmë ore më vonë. - As të të mos shkojë mendja. Ti e di se një gjë e tillë nuk do të ndodhë ndonjëherë. Pse të mbajmë shpresa të rreme? Me gjasë është vetëm ndonjë virus - e ndërpreva me zemërim. Megjithatë, mrekullitë ndodhin. Kur as pas disa javësh nuk më kaloi "ftohja" vendosa të shkoja te mjeku, i cili vetëm sa i konfirmoi dyshimet e Veliut. Nuk mund t'i besoja fatit tim. Kishte shtatë javë që isha shtatzënë. Si kishte mundësi? Pra, problemi megjithatë nuk kishte të bënte me mua. Kur më kujtohet sesa kisha vuajtur. Pasi që na lindi djali nuk kishte njeri në botë që ishte më i gëzuar se ne. Bashkë kujdeseshim për të, e lanim, e vishnim dhe e nxirrnim në shëtitje. Shkurt, ishim bërë një shembull tipik i një familjeje të lumtur. Një mbrëmje, me rastin e shëtitjes nëpër qytet, papritmas u ndeshëm me Ardianin.

Ai ishte në shoqëri të një gruaje të panjohur dhe nuk pati si të mos më binte në sy sesi u zbeh ai kur më pa me karrocë të bebes përpara. Përkundër të gjithave, nuk më vinte keq aspak për të. Me vite të tëra më kishte keqtrajtuar edhe pse nuk e kisha pikën e fajit. Qyqari! Krenaria nuk e kishte lejuar ta pranonte mundësinë që edhe ai mund ta kishte fajin, se ndoshta ai kishte nevojë për mjekim. Sikur të kishte pasur më shumë guxim dhe vullnet, gjithçka mund të kishte qenë ndryshe, por ky më nuk ishte problemi im. Përfundimisht me Veliun dhe djalin tonë kisha një jetë për të cilin kisha ëndërruar tërë jetën. Jam e bindur se, tash e tutje, problemi im më i madh do të jetë si t'i bëj të lumtur këta dy persona, meshkujt më të rëndësishëm në jetën time. FUND

(Kosova Sot Online)