Roman dashurie: Në kohë të duhur (25)

  • 05 December 2019 - 15:23
Roman dashurie: Në kohë të duhur (25)

Mbërritën shpejt te shtëpia luksoze, e ndriçuar nga të gjitha anët. Në parking tashmë kishte mjaft vetura të shtrenjta. Albulena e ndjeu një tremë, nuk e dinte nëse do të mund të përshtatej në atë botë apo, ndoshta në ndonjë mënyrë, do ta turpëronte Petritin. Para se të dilnin nga vetura ai e puthi dhe, sikur t'ia kishte lexuar mendimet, i tha se çdo gjë do të jetë në rregull. U njoftua me shumë njerëz, të gjithë e njihnin Petritin dhe të gjithë e përshëndesnin përzemërsisht. Ajo, si shoqëruese e tij, gjithashtu u prit mirë. Nikoqiri ishte një zotëri i këndshëm me mustaqe, të cilin e kishte parë në televizor, ndërsa bashkëshortja e tij dukej shumë më e vjetër sesa ai, por megjithatë dukej si një damë. Petriti duke i pëshpëritur i tregoi asaj se kush është kush dhe pse është aty, e ajo po i mblidhte informatat sikur të ishin të një rëndësie të madhe. Kur u përshëndetën me të gjithë që e njihnin Petritin, u tërhoqën në një kënd të sallës së madhe.

-Si po të duket ahengu e dashur? Ishte hera e parë që i tha e dashur dhe ajo u gëzua. U mbështet në dorën e tij dhe i vërejti disa gjëra që nuk i pëlqenin. Në sallë hyri një femër e gjatë e veshur me një fustan të bardhë, të hapur në pjesën e shpinës. Ishte aq e bukur, saqë të gjithë e shikonin vetëm atë. Flokët e zezë kaçurrelë i dukeshin si të ishin nga mëndafshi. Albulena e vërejti shikim e Petritit pas hyrjes së bukuroshes. E lexoi dëshirën në sytë e tij, edhe pse vetë kurrë nuk kishte ndier ose parë një dëshirë të tillë në sytë e ndonjë mashkulli. Më e keqja ishte që ajo femër u ndal jo larg prej tyre dhe e përshëndeti Petritin, duke buzëqeshur në mënyrë joshëse, e më pas shkoi që të bisedojë me një mashkull, i cili po përpiqej që ta argëtojë sa më mirë. Albulena e shikoi edhe njëherë Petritin. Ai nuk fliste shumë dhe kohë pas kohe shikimi i ndalej në fustanin e bardhë. Albulena dëshironte që ta lëshojë toka. Ndjeu sikur ai e kishte humbur secilën dëshirë për të, sikur kishte harruar me kë kishte ardhur. Pas dhjetë minutave të "mungesës" së Petritit nuk mundi të durojë më. -Më duhet të shkoj në WC.

-Të vij me ty? -Jo, nuk ka nevojë. Vetëm më trego ku është. -Ngjitu në katin e parë dhe do ta shohësh derën në anën e djathtë. Nëse dëshiron, do të vij me ty. -Do ta gjej vetë. Kaloi nëpër turmën e madhe të njerëzve që po bisedonin, gati e rrëzoi një kamerier, por ia doli që të mos qajë deri në momentin kur doli nga shtëpia. Nisi të vrapojë shpejt. Deri në shtëpinë e saj i duhej një orë ecje, sepse kokteji ishte organizuar në pjesën e kundërt të qytetit. E dinte një gjë të tillë, ashtu siç e dinte që ishte errësirë, dhe se po fillonte që të frikohej, dhe që gjithçka ia kujtonte natën kur u sulmua. Në fakt, që nga ajo kohë nuk kishte dalë natën e vetme në rrugë. Kjo ishte hera e parë, por i duhej që të ikë nga ajo dëshirë të cilën e kishte parë në sytë e Petritit, e cila i ishte drejtuar një femre tjetër. Aty e kuptoi çfarë i kishte thënë nëna dhe vetëm po lutej që të mbërrijë në shtëpi dhe ta lusë nënën e saj që t'ia falë gabimin e fiksimit pas një mashkulli. /Vijon/


(Kosova Sot Online)