Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (1)

  • 05 December 2019 - 15:28
Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (1)

Shiu nuk po ndalej, e unë për tashmë disa orë nuk kisha kulm mbi kokë. I dashuri im Bujari më hodhi jashtë e unë nuk kisha asnjë cent në xhep. Të gjitha gjërat e mia kishin mbetur në banesën, nga e cila m'u desh që të largohem atë pasdite. E atje më kishte mbetur edhe zemra. E dija që Bujari ishte dashuruar në një tjetër, ndërsa gjërat e tilla të tij gjithmonë kanë qenë të rrezikshme për të tjerët. Edhe kur para pesë vitesh u dashurua në mua, pa menduar u nda nga gruaja, me të cilën sapo e kishte një fëmijë. E dija vetëm një vend, në të cilin do të mund të shkoja. Në shoqet e mia nuk mund të llogarisja. Të gjitha i kisha injoruar pas nisjes së lidhjes me Bujarin. U dashurova në të dhe mënyrën e tij të të jetuarit, në shoqërinë e tij. Më vinte turp nga shoqet e mia tepër të thjeshta dhe hoqa dorë nga to pa kurrfarë brejtjeje të ndërgjegjes. Mendoja se jam më e mirë se ato, vetëm për shkak se kisha të dashur të pasur. Njëra pre tyre u martua me një automekanik, tjetra me një shofer, ndërsa burri i shoqes së tretë punonte si kamerier.

. Tani ua kisha lakmi, sepse asnjëra prej tyre me siguri nuk ishte bërë e pastrehë. Burrat e tyre janë të thjeshtë e të ndershëm, me siguri nuk do t'i largonin nga shtëpia pa asnjë cent në xhep e as nuk do t'i linin për ndonjë femër tjetër më të re. Nga banesa e shokut tim Kastriotit dëgjohej televizori. Kurrë nuk ishte i çmendur pas daljeve, por ende është i varur nga programet televizive dhe interneti. Prej se njihemi, Oti dhe unë jemi miq të ngushtë. Por, prejse jemi njoftuar në shkollë të mesme e deri në ditën e sotme ka mbetur beqar, ndërsa është i vetmi me të cilin kam kontaktuar edhe gjatë lidhjes me Bujarin. I rashë ziles dhe i njoha hapat e tij të ngadaltë. Kur e hapi derën, nuk u duk i befasuar. - Më fal që nuk të kam lajmëruar paraprakisht, por nuk munda të flas për këtë në telefon, i thashë duke dënesur. Kastrioti më përqafoi, më dërgoi deri te dhoma e vogël e ditës dhe më uli në kolltukun e vetëm që e kishte. Ishin aty edhe dy karrige të tjera, por të kompjuterit, ndërsa në to ulej vetëm njeriu i parë i asaj mbretërie. Më la që të qaj, e gjatë asaj kohe na përgatiti nga një kafe, kur pas pak kohe u kthye me dy filxhanë në dhomë, unë ende nuk isha qetësuar. - Të ka lënë? Pohova me kokë. Provova që t'i zbus dridhjet dhe qarjen kështu që fjalët nuk më dilnin nga goja. - E ke ditur se kjo do të ndodhë. Gjithashtu e ke ditur se si do të ndodhë. Është dashur që më herët t'i përgatisësh gjërat dhe t'i sjellësh këtu. A i ke së paku dokumentet me vete?

- Po, ato m'i dha, i kishte futur në zarf, në mënyrë që të mos kem arsye për t'u kthyer. Kastriot, nuk mund të jetoj pa të! Ku do të shkoj tani?, i thashë dhe fillova të qaj përsëri. U ul pranë meje dhe mori frymë thellë. - Do të qëndrosh këtu deri kur të vish në vete. Një ditë e tërë kjo do të jetë vetëm një kujtim i keq. Do të të ndihmoj unë. Fjalët e tij m'u dukën si të pandjeshme, Kastrioti kurrë nuk ishte dashuruar, nuk mund ta dinte që një dashuri e tillë është vështirë që të harrohet. - Nuk mund ta paramendoj zgjimin nga gjumi pa të. As pa duart e tij, me të cilat m'i mbyllte sytë kur më befasonte me ndonjë dhuratë. Nuk di si do të jetoj, i thashë. Kastrioti për një kohë nuk tha asgjë. Foli vetëm kur u qetësova pak. - Tani shkruaj në një letër të gjitha gjërat që të nevojiten: prej brushës për dhëmbë, shamponit, kremit, ndërsa unë në mëngjes do t'i blej të gjitha. Kur të vish pak në vete, dil dhe blej veshje. - Nuk kam para, nuk ma ka lënë asnjë cent. E di edhe vetë që Bujari nuk më ka lejuar që të punoj. - E di, por unë edhe ashtu nuk kam për çfarë të shpenzoj, përveç në kartela të memories. Me kalimin e kohës, do të ta gjejmë një punë, kështu që do të bëhet mirë, më tha. Shkoi deri te tavolina dhe ma afroi një laps dhe një letër. E shikova e hutuar dhe i thashë: - Nuk mund të mendoj për këto gjëra tani. - Duhesh. Në fund lëshova pe dhe fillova që të shkruaj ngadalë. Për atë kohë Kastrioti u ul para një kompjuteri dhe bëhej sikur po punonte diçka. Kur u shtriva në shtrat, mendova se kurrë nuk do të mund të flija, por vuajtja më kishte rraskapitur dhe rashë shpejt në gjumë. Por, zgjimi nga gjumi ishte shumë më i vështirë. Dita e re, e para pa Bujarin, solli re të hirta dhe shi. Përsëri fillova të qaj. Kur Kastrioti trokiti në derë të dhomës së fjetjes dhe hyri brenda më gjeti duke shikuar jashtë. - T'i bleva një palë tuta, të mos rrish me atë bluzë që ta dhashë për fjetje. Të gjitha të tjerat të presin në dhomën e ditës. E dollapi yt për gjëra tuaja është këtu, më tha. /Vijon/

(Kosova Sot Online)