Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (2)

  • 06 December 2019 - 15:17
Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (2)

Pas kafjallit shkuam në qendrën tregtare. Gjithçka ishte e panjohur aty për mua, sepse Bujari më kishte mësuar me blerje në butikë të shtrenjtë, dhe tani në turmën e njerëzve Kastrioti po zgjidhte rroba për mua, e unë vetëm pohoj me kokë për rrobat që mi tregon. Kur u kthyem në banesën e tij, Kastrioti i palosi të gjitha në dollap. Më pas u ul afër meje dhe mori frymë thellë. - A u ke treguar prindërve se çfarë ka ndodhur?, më pyeti. As vetes nuk dëshiroja që t'ia pranoja faktin se kisha mbetur pa Bujarin, kështu që as nuk kisha menduar që t'u tregoj të tjerëve për një gjë të tillë. - Jo dhe nuk e di se kur do t'u tregoj. Nuk mund ta dëgjoj nënën duke më thënë se e ka ditur se do të përfundoj kështu, e as fjalët e mbështetjes nga babai që me kokën lart të vazhdoj tutje.

Por, Kastrioti nuk hoqi dorë. E dinte situatën në familjen time, shpesh kishim biseduar për këtë. Prindërit e mi ishin ndarë në moshën më të ndjeshme për një vajzë, kur i kisha vetëm 14 vjet. Më ulën në karrige dhe filluan bisedën serioze në lidhje me atë se më nuk mund të jenë bashkë. Flisnin aq qetë sa që ndarja nuk m'u duk aq e tmerrshme. Por, vetëm disa ditë pas largimit të babait, nëna ishte më e nevrikosur, shtëpia më e zbrazët, e me babanë flisja vetëm me telefon. Kur u bëra zyrtarisht me njerkë, i premtova vetes se kurrë nuk do ta pranoj një jetë si të nënës, se burri im do të jetë dikush dhe diçka. Këtë më pas e gjeta te Bujari. Babai gjithashtu pas një kohe të shkurtër u martua me një vajzë e cila ishte vetëm tre vjet më e vjetër se unë dhe për hir të dashurisë u shpërngul në një qytet tjetër.

E shihja vetëm 2-3 herë në vit. - Ndoshta ka ardhur koha për një raport më të mirë me prindërit tuaj. Çfarë mendon, të ulemi në veturë dhe të shkojmë te babai yt? - Jo, assesi. Nuk e dëshiroj askënd pranë vetes. Vetëm ty. - Nuk do të lejoj që të biesh në depresion. Trego pak vullnet për jetë! Heshta shkurt duke shpresuar se do të heqë dorë. Por, Kastrioti nuk e largonte shikimin nga unë. Priste përgjigje. - Në rregull, por nuk dëshiroj që të shkoj askund. Nuk jam e gatshme për më shumë se një bisedë telefonike, i thashë unë. - Edhe kjo mjafton për fillim. Nëna nuk u ndie mirë, lajmin që isha ndarë nga Bujari, edhe pse nuk i kishte pëlqyer ndonjëherë, e pranoi më vështirë se që kisha potir, duke u frikuar se si do të vazhdoj e vetmuar. Kastrioti qëndronte pranë meje. E dinte se sa vështirë e kisha që t'i dëgjoj fjalët "a të kam thënë" të nënës sime. Por, u mbajta mirë. Biseda me babanë ishte shumë më e gjatë. Nga ai pranova vetëm fjalë mbështetjeje. - Do të bëhet mirë, jeta është e mbushur me befasi, njerëz të mirë dhe meshkuj të mirë. Me këtë ndarje ka humbur Bujari dhe do të pendohet një ditë, më tha ai.

Pas bisedave me ta megjithatë u ndjeva më mirë. - Më çudit që askush nuk më pyet pse jam ndarë. As ti, as nëna, as babai. Sikur e keni ditur se do të ndodh kjo. Vetëm unë, budallaqja, besoja në dashuri. Në vend se të përgjigjej, Kastrioti shkoi në banjë. U duku sikur u largua me qëllim nga unë e kjo më shtyri që të mendoj. Nuk mund të pajtohesha me faktin që të gjithë heshtnin. A nuk kanë besuar se më ka dashur? A nuk kanë mundur të kuptojnë se sa vuaj për të, e pyeta veten. Në banesën e Kastriotit qëndrova një muaj. Më ndihmoi që të punësohem. Me ndërmjetësimin e një miku të tij, fillova të punoj si nikoqire në një kazino. Punoja kryesisht natën. Shpresoja që dikur në kazino që hyjë edhe Bujari. I shihja, në fakt, disa miq të tij dhe zemra më rrihte më shpejt sepse Bujari do ta merrte vesh ku jam dhe se do të më kërkonte. Paga ishte e mirë, bakshishet gjithashtu, kështu që mund të mendoja për marrjen e një banese me qira.

Por, sinqerisht, nuk isha e gatshme që të kthehem në mes të mëngjesit mes mureve të zbrazëta ku nuk ishte Kastrioti i mirë që të më dëgjojë. Për këtë arsye e shtyja largimin, duke shpresuar se do të vijë dita kur më nuk do të kem frikë nga vetmia ose kur do t'i kthehem Bujarit. Atë natë po rrija pranë ruletit dhe po e shikoja orën kohë pas kohe. E dija që njëri prej menaxherëve ishte duke më shikuar. Për këtë arsye provova që ta fsheh lodhjen dhe mezi po prisja që të shtrihem në shtrat e të fle. Njëzet minuta para përfundimit të ndërrimit në derë të kazinosë i pashë tre meshkuj me kostume, e më pas në mesin e zërave që po e përshëndetnin menaxherin e njoha një zë. U ktheva dhe e pashë Gëzimin, shokun më të mirë të Bujarit. Kur më pa edhe ai mua, në fytyrë ia lexova befasimin. (vijon)

(Kosova Sot Online)