Roman dashurie: Në kohë të duhur (27)

  • 07 December 2019 - 14:46
Roman dashurie: Në kohë të duhur (27)

KAPITULLI I NJËZETEPESTË

Jashtë filloi që të fryjë një erë e fortë, që po e paralajmëronte shiun, kështu që hyrën në veturën e tij. –Albulenë, e ke bërë një hap të gabuar. Kështu nuk zgjidhen problemet. – Unë jam e papërvojë, e pafajshme, e marrë dhe nuk kam lidhje se si zgjidhet problemi kur i dashuri yt e shikon për dhjetë minuta një femër tjetër. – Kjo është xhelozi dhe ajo ekziston në secilën lidhje. Por, edhe xhelozia shërohet, dhe atë me bisedë. –Nuk ka çfarë të bisedohet, i pashë të gjitha me sytë e mi. –A dëshiron të dëgjosh se çfarë kam për të thënë unë apo nuk të intereson? Edhe atë e lëshuan nervat. Ajo e dinte që edhe një fjalë e gabuar e saj do të bënte që ai të largohet. Besonte që pas një gjëje të tillë nuk do ta shihte më, e nuk ishte e gatshme për një gjë të tillë. Tani u qetësua, sërish u ndie e sigurt, përsëri ishte i vetëm në afërsi të saj, nuk kishte femër me fustan të bardhë e as njerëz të tjerë të cilëve do të mund t’u kushtonte vëmendjen ai.

– Fillo. Petriti u kthye në drejtim të saj dhe e shikonte seriozisht. –Ajo femër quhet Zana. Përndryshe, kam qenë në lidhje me të për dy vite. Lenën e përfshiu djersa e ftohtë. Menjëherë e krahasoi veten me Zanën dhe e pyeti veten nëse Petriti është i vetëdijshëm që ka rënë prej kalit në gomar. –Jemi ndarë disa ditë para se të njoftohem me ty. –Pse jeni ndarë? –Sepse e kuptuam që na lidh vetëm pasioni. Kjo e shqetësoi edhe më shumë Albulenën. –E ty pasioni ende nuk të ka kaluar, apo jo? – Nuk kam qenë me asnjë femër tjetër pas saj. Mendoj, nuk kam bërë seks. Është normale që paraqitja e saj ende m’i kujton disa momente të çmendura që i kemi pasur. Ndoshta edhe për atë arsye më ke vërejtur duke e shikuar. Kam mashkull dhe më mungon seksi. E ke vërejtur se me ty nuk kam këmbëngulur për një gjë të tillë, edhe pse je e vetëdijshme që të dëshiroj. E respektoj virgjërinë tënde dhe tërë atë që ka ndodhur, dhe e di që më duhet të jem i kujdesshëm dhe të kem durim. E sa i përket Zanës nuk ke nevojë që të jesh xheloze. Nuk kam ndonjë ndjenjë për të. Ajo në fakt është një person shumë i zbrazët. E vlefshme është vetëm në shtrat. Jashtë tij është një femër e llastuar, e painteresuar, dembele dhe monotone. E ti nuk je e tillë. Kur një ditë unë dhe ti do ta kalojmë edhe atë barrierë fizike dhe të jemi intimë, nuk do të më vëresh më duke menduar për momente të shkuara të seksit.

– E çfarë nëse... seksi ynë nuk do të jetë i mirë? Unë nuk kam përvojë. Ty të bën shumë përshtypje pasioni. Çfarë nëse nuk përshtatemi, a do të mund të qëndrosh pranë meje? Petriti mendoi shkurt, e më pas e tundi kokën. – Ti më pëlqen si femër. Kjo është më e rëndësishmja. Të gjitha të tjerat mësohen me kalimin e kohës, nuk e di pse duhet të mendojmë në lidhje me faktin se si do të jetë seksi ynë. Nëse duhemi, një gjë e tillë duhet të jetë e bukur. Nuk ishte e bindur për një gjë të tillë, por vetëm disa minuta më pas po puthej me të dhe dëshironte që ta largonte nga mendja femrën me fustan të bardhë. /Vijon

(Kosova Sot Online)