Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (3)

  • 07 December 2019 - 14:49
Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (3)

- Nuk mund të besoj se të shoh. Nga erdhe ti këtu? - Unë punoj këtu! - Nuk e kam ditur, disa muaj kam qenë jashtë shtetit. Ma përshëndet Bujarin! E kam thirrur 2-3 herë, por kishte obligime dhe ende nuk jemi takuar. Kjo më lëndoi drejt në zemër. Hetova sesi sytë m’u mbushën me lot, e dija se nuk ishte as vendi, e as koha për të qarë. - Nuk jemi bashkë më – thashë me ftohtësi. Doemos doja të largohesha nga Gëzimi, para se sytë përsëri të më mbusheshin me lot. E shikova menaxherin i cili ishte mërrolur dhe mu kujtua si të largohesha. - Më vjen mirë që të pashë. Tani më duhet të iki, sepse menaxheri do të zemërohet që bisedoj me mysafirë. Sapo bëra një hap prapa, kur u dëgjua e qeshura e Gëzimit. - Unë jam njëri ndër pronarët, për këtë shkak mos u mërzit për menaxherin. Këto fjalë nuk më ndihmuan aspak. Edhe ashtu nuk më interesonte se çka do të thoshte menaxheri, e as kush ishte pronar i kazinosë. Vetëm doja t’i fshehja lotët. Por, Gëzimi nuk e dinte këtë dhe më ftoi që të uleshim në një separe, për ta pirë nga një kafe. Jo, nuk vjen në shprehje, mendova dhe shikova orën. - Me gjithë qejf, por ndërrimi më mbaron edhe dhjetë minuta. Nëse më ikën autobusi, do të më duhet gjatë ta pres tjetrin – thashë unë. - Autobusi? Nuk ka gjasa të shkosh me autobus. Unë do të të dërgoj. E thirri me dorë menaxherin dhe i tregoi se unë dhe ai do të largoheshim. Gëzimi në veturë nuk foli shumë. Lëshoi një muzikë të lehtë dhe voziste.

E unë mendoja sesi do të reagonte Bujari kur ta merrte vesh se miku i tij, në orët e vona të natës, më kishte dërguar në shtëpi. Kur e fiku veturën para ndërtesës, u ndal e më shikoi, sikur donte të më analizonte. - Faleminderit që më solle këtu – i thashë. - Nuk ka përse. Tani do të shihemi shpesh – më tha duke buzëqeshur. Rashë në gjumë duke menduar për të. Ishte mashkulli më i bukur nga shokët e Bujarit, më i pasur edhe se vetë Bujari, por më i matur në harxhimin e parave dhe gjithmonë rrinte disi anash. Dihej se kishte disa biznese të suksesshme, udhëtonte vazhdimisht dhe nuk kishte të dashur. M’u kujtua sesi Bujari bënte shaka me besimin e tij në dashuri, mu kujtuan bisedat tona rreth gjithçka që nuk i interesonte Bujarit, rreth muzikës, teksteve muzikore, emocioneve. Krahas kësaj, Gëzimi merrej me ushtrime dhe kishte një trup, të cilin e lakmonte edhe vet Bujari. Po, ai ishte një mashkull i përkryer, në të cilin edhe Bujari do të mund të ishte xheloz. Dhe, në ato momente m’u kujtua sesi ta ktheja Bujarin. Gëzimi ishte mashkulli ideal me të cilin do ta zgjoja xhelozinë e Bujarit. Por, rasti nuk mu dha aq shpejt, sa që mendoja. Gëzimi nuk vinte dhe, pas dy javësh pritjeje, përsëri rashë në depresion. Kastrioti vërejti se diçka ishte duke ndodhur me mua, por sa herë që më pyeste çka kam, i përgjigjesha shkurt dhe me zemërim. Pastaj, një natë, Gëzimi me të vërtetë erdhi. Vetëm më përshëndeti me kokë dhe kaloi pranë meje.

Dy orë të plota qëndroi në separe dhe bisedoi diçka me një mik të tij. E shikoja tinëz, duke pritur që edhe ai të më shikonte mua, të më buzëqeshte, por kjo nuk ndodhi. Pas dy orësh miku i tij doli nga kazinoja, kurse Gëzimi mbeti i vetëm në tavolinë. Kur e pashë se më shikonte, filloi të më kthehej shpresa. Doja t’ia bëja me dije se sa e dëshiruar isha për të tjerët, prandaj fillova të flirtoja me mysafirët. Vetëm dhjetë minuta më pas menaxheri më tha se më thërriste Gëzimi. Shkova te tavolina e tij. Ai ishte i zemëruar por unë vazhdoja të buzëqeshja. Në zemërimin e tij ishte lehtë të vërehej xhelozia, gjë që donte të thoshte se isha në rrugë të drejtë. - Flirton me të gjithë! Më askush nuk shikon se ku e vë bastin, por të gjithë të shikojnë vetëm ty – më tha ai. - A nuk është mirë kjo për fitimet e kazinosë, a? Edhe për pak kohë u duk i zemëruar, e më pas filloi të qeshte. - Mendoja se ishe vajzë e brishtë. Afër Bujarit dukeshe e llastuar - tha. Kur dëgjova të përmendej emri i tij nuk munda ta ruaja qetësinë, por disi u përmbajta. Doja ta realizoja qëllimin tim, gjë që nënkuptonte fshehjen e ndjenjave ndaj Bujarit. - Ndoshta e tillë jam kur jam e dashuruar? – thashë duke u dredhur. - A nuk je më e dashuruar në Bujarin, a? - Natyrisht që nuk jam. Sikur të doja, ende do të isha me të - u mundova të dukesha indiferente. Gëzimi qeshi më me zë sesa që kisha pritur. /vijon/

(Kosova Sot Online)