Roman dashurie: Në kohë të duhur (29)

  • 09 December 2019 - 15:04
Roman dashurie: Në kohë të duhur (29)

Nuk mundi që të kundërshtojë. Edhe vetë po e pyesja veten pse edhe krahas dëshirës dhe dashurisë reagoi në mënyrë të tillë. Trupi dhe vetëdija e saj dëshironin një gjë, por diçka në nënvetëdijen e saj ishte më e fortë. E dinte që u kishte mbetur edhe shumë pak kohë për ta ruajtur lidhjen, kështu që ishte e gatshme për gjithçka në mënyrë që të kalohet edhe barriera e fundit dhe më në fund të kënaqen plotësisht njëri me tjetrin. Iu afrua dhe iu mbështet në gjoks. Tani çdo gjë ishte si më parë. -Do ta bëjmë kur të kthehesh. Të premtoj. U puthën, përkëdhelën dhe biseduan deri vonë. Atë natë Petriti i tha se e do, ndërsa Albulena edhe më shumë iu betua vetes se do të bëhej dashnore e mirë.

KAPITULLI I NJËZET E TETË

Në ditën e dhjetë të qëndrimit të Petritit në Egjipt nënës së Albulenës i treguan që ish-bashkëshorti i saj kishte vdekur nga gjakderdhja në tru. Ganimetja e pranoi rëndë këtë lajm. Tërë jetën e kishte urryer atë njeri, që e kishte mashtruar e poshtëruar, e tani, kur ishte i vdekur, po qante për të sikur kurrë të mos kishte ndërprerë dashurinë për të. Albulena nuk qau fare. Iu kujtua takimi i fundit me babanë, kështu që nga dashuria e saj ndaj tij, e cila edhe nuk kishte mundur të shprehej, kishte mbetur vetëm hiri i emocioneve. Ganimetja, përmes Hajrijes, nënës së Agimes, kërkoi nga Agoni që t'i dërgojë në varrim me veturë. Ai pranoi, edhe pse me vështirësi, por kur Ganimetja i ofroi para, as që mendoi dy herë. I kushtoi më pak se taksia, por mjaft për ta shtyrë Albulenën që të mendojë se si Agimja me të vërtetë ka shumë probleme me vëllanë e saj egoist. Dëshiroi që t'i thotë nënës se nuk do të shkojë në atë varrim, por kur e pa se sa e thyer ishte, vendosi që t'i gjendet pranë. Atë ditë binte shi, por gjysmë ore para varrimit u ndal. Të gjithë që kishin ardhur në varrim, e ishin goxha shumë, të lagur nga shiu po e shikonin vajzën dhe gruan, të cilat ishin të vetmet të familjes dhe sekreti më i madh publik i aktorit dhe producentit të ndjerë, Albulena e vërejti edhe një bionde të shkurtër, e cila po qante qetë, por me sinqeritet. Ishte e sigurt që ajo kishte qenë e dashuruar në babanë e saj të ndjerë, por mendoi se nuk është e nevojshme që të njoftohet me të. Kur u kthyen në shtëpi, nëna u shtri në shtrat dhe nuk u ngrit deri në mëngjes.

Në mbrëmje Albulena vendosi që ta thërrasë Petritin vetë për t'ia dëgjuar zërin. Rregullisht i shkruanin porosi njëri-tjetrit, por mendonte se ishte një gjë absurde, që t'i shkruajë në lidhje me zbrazëtinë e saj pas varrimit. Një gjë e tillë ishte megjithatë për bisedë, e jo për porosi të shkurtër. Telefoni po cingëronte, por askush nuk paraqitej. Pas pesë minutash provoi sërish, por prapë asgjë. E përfshiu njëfarë ankthi, por shpresoi se është duke bërë dush ose që nuk e dëgjon telefonin për shkak të ndonjë zhurme, dhe se do ta thërrasë sapo që ta shohë thirrjen e humbur. Megjithatë, pas dhjetë minutave provoi edhe një herë. Por, iu lajmërua një zë i butë i femrës. /Vijon/


(Kosova Sot Online)