Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrje, u lidha me shokun e tij më të mirë (5)

  • 09 dhjetor 2019 - 15:08
Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrje, u lidha me shokun e tij më të mirë (5)

- Jo. Ka thënë se më shfrytëzon për ta bërë atë xheloz. - Shpresoj që nuk i ke besuar? - Jo. Edhe pse, pranoj, nuk isha indiferent, ishte shumë i zemëruar. A e do ende? - Bujari ishte dikur dashuria ime e madhe. Tani je ti. Dëshiroj që të jem me ty. - Deri në fund të jetës? - Po deri në fund të jetës. Me puthje i dhashë fund kësaj pune. Ashtu e kisha më së lehti. Derisa po e puthja, isha e lumtur për shkak se Bujari ishte xheloz, një hap ky më afër që sërish të bëhej i imi. Të nesërmen më telefonoi Kastrioti. Prej që isha larguar nga banesa e tij, ishim dëgjuar disa herë, dhe atë shumë shkurt. Kastriotit nuk i pëlqente fakti që ende nuk e kisha ftuar që të më vizitojë, e unë nuk isha e gatshme që t'ia zbuloj planet e mia. Thirrja e tij pas një kohe të gjatë më befasoi. - Dje më telefonoi Bujari. E kërkoi numrin tënd të ri, por unë nuk ia dhashë. - Është dashur që t'ia japësh. Nëse të telefonon sërish, ia jep numrin. - Nuk mund të besoj, pas të gjitha gjërave që t'i ka bërë?! Marrëzia jote është shumë e madhe, më tha dhe e ndërpreu lidhjen. Ndjeva një brejtje të ndërgjegjes, sepse e kisha zhgënjyer personin, që më kishte ndihmuar më së shumti në jetë. Por, mendimi për Bujarin e largoi atë ndërgjegje. Më kishte kërkuar, është nisur në sulm.

E kur Bujari synon diçka, e dija, atë edhe e arrin. Në shtëpi u ktheva rreth orës dy. Ia përgatita vetes një drekë të lehtë dhe e dëgjova zilen në derë. E hapa dhe e pashë Bujarin. Qëndronte para meje, i gjatë, i rrezitur, i bukur. - Erdha të të shoh, më tha. Hyri në banesën e Gëzimit sikur të ishte e tija, e unë as që provova që ta ndalja. Zemra më rrihte shumë shpejt. - Mirë e paske këtu, Gëzimi është një mundësi e shkëlqyeshme, tha. Dëshirova që t'i them diçka ofenduese, por Bujari më përqafoi dhe më puthi. As që munda, e as që dëshirova që ta largoj nga vetja. Sa net kisha ëndërruar për një gjë të tillë. Por, ëndrra u prish sapo e përfundoi përqafimin. - Pse po ia bën këtë? Gëzimi është njeriu më i mirë që e njoh, më pyeti. - Për shkak se për këtë nuk vendos mendja, por zemra. E zemra është e jotja. Ende dhe përgjithmonë. Tani e putha unë atë. Në atë puthje ishte e tërë dhimbja dhe dëshira për shkak, të së cilave nuk kisha fjetur për muaj të tërë. Një gjë të tillë e ndjeu edhe Bujari i ftohtë. Po putheshim në banesën e shokut të tij më të mirë dhe të dy e dinim se një gjë e tillë ishte e gabuar. Ndoshta vetëm për atë arsye edhe e vazhduam puthjen. - Bujar, më dërgo në shtëpi, i thashë unë. Më shikonte disi sikur duke u hamendur, por në fund megjithatë më refuzoi me vendosmëri: - Nuk mundem. Nuk jetoj vetëm dhe nuk dëshiroj që të ndahem nga ajo. - A ja? Ishte ajo një pyetje e një femre të poshtëruar, por nuk më erdhi turp që t'ia bëja. Qëllimi im ishte aty, para meje dhe isha e gatshme për gjëra shumë më të këqija sesa poshtërimi vetëm për ta realizuar. - Nuk dëshiroj që të të ketë dikush tjetër. E lumtur do të jetë ajo femër që e do ai, por t'i nuk guxon të jesh ajo. Nuk do të lejoj që të jesh më e lumtur sesa që ke qenë me mua, më tha. Tani çdo gjë u bë e qartë. Bujari nuk kishte ardhur për shkak se dëshironte që t'i kthehem. Nuk mund të lejonte që Gëzimi të jetë më i mirë në diçka se ai. Kur u kthye Gëzimi, më pa të ulur dhe duke shikuar e hutuar. Edhe pse e putha, e ndjeu një ftohtësi, distancë. - Pse je kaq e hutuar? - Nuk kam fjetur mirë, asgjë e tmerrshme. - Ma thuaj të vërtetën, e shoh që diçka nuk është në rregull. - Çdo gjë është në rregull dhe mos u brengos, i thashë dhe shkova në dhomën e fjetjes. Kisha nevojë për qetësi. Nuk mund ta shikoja nga turpi. Pas gjysmë ore e dëgjova derën duke u hapur e mbyllur dhe nga dritarja e pashë Gëzimin duke u larguar. E dija sa e kisha lënduar, por tani ishte vonë. Nga gjumi më zgjoi zhurma e çelësit në derë. Kur Gëzimi hyri në dhomën e fjetjes, prita se do të grindeshim. Por, ai filloi që të më puthë. Më thoshte se më do shumë, se nuk dëshiron që të më humbë, se unë jam femra e vetme me të cilën do të qëndronte deri në fund të jetës.

E ndjeja tërë fuqinë e dashurisë së tij dhe po e kuptoja. Edhe unë e kisha dashur dikë aq shumë. Gjatë kafjallit po mendoja se si do të më mungojnë të gjitha ato mëngjese, në të cilat kisha aktruar femrën e dashuruar. Gëzimit as që i shkonte mendja se do të ndahesha nga ai. - Shpresoj se nuk do të hidhërohesh, kam bërë diçka pa dijeninë tënde, më tha. E shikova me kureshtje. - Kam rezervuar një udhëtim për në Paris. E vërtetë, do të qëndrojmë vetëm pesë ditë, sepse kam shumë punë, por mendoj se mjaftojnë. U trondita sepse mendoja se së shpejti do të ndaheshim dhe unë do të shpërngulesha nga banesa e tij. - Nesër udhëtojmë!, tha. E pyesja veten se si është e mundur që secili plan i imi, e edhe ai që të ndahem nga Gëzimi, ndryshon në momentin e fundit?! Nuk munda t'i them se mes nesh çdo gjë ka marrë fund, që nuk mund të shkoj me të në Paris, që e kisha shfrytëzuar. Më vinte turp nga vetja dhe veprimet e mia. /Vijon/


(Kosova Sot Online)