Roman dashurie: Në kohë të duhur (30)

  • 10 December 2019 - 15:08
Roman dashurie: Në kohë të duhur (30)

- Alo? Albulena sikur u paralizua. Filloi të mendonte mos e kishte gabuar numrin. - Alo? A më dëgjoni? - Më falni, më duket se kam gabuar... - Nëse e keni thirrur Petritin, atëherë nuk keni gabuar. Sikur të ndodhte ndonjë tërmet. - Po, atë e kërkoj. - Ai gjendet në banjë. Mund ta thërrisni pas gjysmë ore. - Në rregull... do ta thërras. Paramendonte sesi një dorë e nxirë në diell e merr celularin e Petritit, e sigurt në vetvete dhe në atë që mund të përgjigjej në thirrjet e tij, meqë e ka të dashur, meqë sapo kishin bërë seks, meqë i kishte thënë se nuk e kishte asnjë të dashur në qytetin ku jetonte. E gjithë kjo shkaktoi një valë të zemërimit te ajo dhe, ngjashëm me të ëmën, nuk donte vetëm të kthehej dhe të largohej. I duhej ta merrte vesh se kush ishte ajo femër.

- Më falni, a mund ta di me kë jam duke folur? - Jam Sanija, mikesha e Petritit. Tani me të vërtetë ndodhi tërmeti. Kësaj here ai i vërteti, që rrënon çdo gjë para vetes. Do të duronte çdo emër tjetër, por ky emër që sapo dëgjoi, paraqiste opsionin më të tmerrshëm të mundshëm. A kishte mundësi që Petriti të ishte aq i poshtër, sa që të shkonte në pushime me ish të dashurën e vet, me atë që i përshtatej për mrekulli në shtrat dhe atë, Albulenën, vajzën e mjerë psikotike, ta rrente? Tani kjo dukej më shumë se e mundshme. - Në rregull! Faleminderit! Kjo ishte e tëra ajo që mundi të thoshte, para se ta mbyllte telefonin.
 

KAPITULLI I NJËZET E NËNTË

Dhe, sikur që ndodh në të tilla raste, ajo qau si shiu, por nuk ia çelte telefonin. E ai thërriste me këmbëngulje, non-stop, sikur këtë ta kishte të vetmin qëllim në jetë. Çka mund të thoshte, me çka mund ta arsyetonte praninë e Sanijes në dhomën e tij të hotelit në Egjipt? Më së rëndi i vinte që, për shkak të besimit në atë dashuri, kishte prishur raportin me nënën. Ganimetja kishte ndryshuar tërësisht nga varrimi i ish burrit të saj. Ishte bërë më e qetë, e menduar, disi ishte zvogëluar, e me të bijën kishte krijuar një raport të ri, jo aq të afërt sikur që e kishin pasur para se Petriti të hynte në jetën e tyre. Albulena vetëm i tha asaj se ishte ndarë nga Petriti, por nuk i tregoi pse. Atë marre vendosi ta mbante për vete. Sapo u kthye nga udhëtimi, Petriti shkoi tek ajo. Lena e pa nga oborri sesi e parkonte veturën dhe u fsheh brenda, duke i thënë të ëmës që të dilte e t'i thoshte se ajo nuk ishte këtu. Me t'ia thënë këto fjalë, ai u largua, por erdhi përsëri të nesërmen - edhe atë në vendin e saj të punës. E luti që ta lejonte për disa minuta, që t'ia shpjegonte tërë këtë mosmarrëveshje, por ajo, me fytyrën e ashpër sikur i ati i saj, nuk ishte e interesuar për fjalët e tij. Të paktën shtirej ashtu. Njerëzit në dyqan filluan të qeshnin me tentimet e Petritit që ta përfitonte vëmendjen e Lenës, kështu që ai u ofendua dhe u largua. (vijon) 


(Kosova Sot Online)