Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrje, u lidha me shokun e tij më të mirë (6)

  • 10 December 2019 - 15:11
Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrje, u lidha me shokun e tij më të mirë (6)

Pohova kokulur dhe e putha me butësi. Ndoshta udhëtimi në Paris megjithatë ishte mënyra më e mirë për ndarje, e ngushëlloja veten. Parisi më bëri për vete me dritat, romantikën. Gëzimi dhe unë u kënaqëm duke vizituar të gjitha vendet e rëndësishme, duke pirë kafet më të mira, duke ngrënë akulloren më të mirë. Pasi që u ngjitëm në Kullën e Eiffel-it dhe u puthëm, Gëzimi nxori nga xhepi një unazë, e më pas ra në gjunjë. Spontanisht i thashë "po". Pesë ditë magjike kaluan si në ëndërr, ku asnjë rast nuk mendoja se çka do të ndodhte pasi që të ktheheshim. Vetëm kur hipëm në avion, filloi të më kapte sikleti. Jo vetëm që më duhet ta lë, por tani më duhet edhe ta prishë fejesën. Pasi që atë ditë u kthye nga puna, ia thash troç. - Duhet të bisedojmë. Gëzim, nuk mund të martohem me ty - ia thash pa rrotulla. Fytyra iu zbeh, kurse sytë iu mbushën me lot. - Nuk mundem. Nuk të dua - i thash dhe menjëherë i rashë pishman për shkak të ashpërsisë. Gëzimi nuk e meritonte një gjë të tillë. Edhe pse isha munduar t'ia thosha këtë me fjalët më të buta të mundshme, nuk ia dola kësaj. - Nuk më do tani, apo nuk më ke dashur kurrë?

- Vetëm më ishte dukur sikur të doja. Nuk jam e gatshme për një lidhje serioze, e as për martesë. Me Bujarin kam qenë një kohë të gjatë dhe tani dua të jem e lirë. Më dhimbsej derisa shihja efektin e fjalëve të mia te ai. Shihja se vuante, por lotët i mbante me burrëri. - Përgatiti gjërat, nesër paradite do të ta gjej një banesë dhe do ta dërgoj dikë që të të ndihmojë në shpërngulje. Do të t'i jap edhe disa para, derisa të ta gjej një punë. Unë nuk jam si Bujari - më tha dhe më la vetëm.E shikoja atë mashkull të bukur, të mençur dhe të sjellshëm sesi largohej nga jeta ime dhe pendohesha që e kisha gënjyer. Ai nuk e kishte merituar këtë. Qysh nesër shkova në një banesë të bukur njëdhomëshe, me ballkon të madh, nga ku shihej pjesa më e madhe e qytetit. Gjatë tërë natës u mora me nxjerrjen e gjësendeve nga paketat. Por, mu kthye edhe vetmia. Doja ta thërrisja dikë, të bisedoja, prandaj e thirra Kastriotin. Nuk mu lajmërua. Edhe atë e humba, thash me vete. Mu kujtua edhe Bujari, por menjëherë në mendje e zëvendësova me Gëzimin. Tani, kur çdo gjë kishte marrë fund, ai më dukej shumë më i bukur sesa që më ishte dukur deri tani. Athua, si ndihet ai tani? A më urren, apo vuan për mua?, e pyesja veten. Bujari edhe një herë e kishte thirrur Kastriotin, e ai ia kishte dhënë numrin tim. Por, kësaj here nuk më gëzoi as thirrja e Bujarit. Më shumë më frikësoi, meqë ai insistonte që të takoheshim. Pas dy orësh, ishim takuar në bar dhe pinim verë. - Nuk mund të besoj që e ke lënë. Isha para ca ditësh me Gëzimin. Ai më nuk është i njëjti njeri. E ke thyer - filloi të më shiste mend ai. U tmerrova kur pash se atij, në fakt, i vinte mirë që e kishte parë Gëzimin duke vuajtur. Nuk mund ta duroja më atë buzëqeshjen e tij të neveritshme në skaj të buzëve, prandaj u largova, duke e lënë vetëm. Si për inat, ia filloi të binte shi. E kisha shijuar një herë lagien në shi dhe ajo gjë më kujtonte lotët dhe vuajtjen. Por, kësaj here isha unë ajo që e kisha lënë Bujarin dhe nuk kisha ndërmend t'i kthehesha. E ndala një taksi, ia thash adresën dhe fillova që të shikoja nga dritarja. Në shtëpinë e Gëzimit drita ishte e ndezur, e automobili gjendej para shtëpie. I rashë ziles dhe dëgjova hapat e rëndë të tij. Gjendej në anën tjetër të derës, por nuk donte të ma hapte atë.

E ndjeja afërsinë e tij, dridhesha nga të ftohtit, por më shumë nga frika se nuk do të më linte të hyja brenda. - Gëzim, e di se je brenda. Të lutem, më dëgjo. Në anën tjetër nuk pati përgjigje, por unë nuk u dorëzova. - E di se të kam lënduar. Mendoja se e doja, por tani, pasi kuptova çdo gjë, kam frikë se për ne është tepër vonë - fillova të qaja para derës së tij. Pas disa minutash heshtjeje, e dija se më duhej të largohesha. Me zemër të thyer fillova që të ecja nëpër shi. Nuk më interesonte që, gjatë rrugës, automobilat m'i lagnin këmbët. Dëgjova një automobil i cili u ndal afër meje, por nuk mora mundin të kthehesha. Nuk më interesonte asgjë. Por, motori i automobilit u fik dhe dikush më kapi nga prapa. Nuk kundërshtova, meqë i njoha ato duar. U mbështeta në kraharorin e tij dhe, me zë të ulët, e pyeta: - Pse më erdhe pas? - Sepse të dua. Kur u largove, kuptova se do të mbetesha në vetmi deri në fund të jetës. U shikova në sytë e tij. Shpesh para pasqyrës kisha ushtruar këtë shikim, por kësaj here nuk aktroja. - Gëzim, dëshiroj që përsëri të ma kërkosh dorën. Nuk është e thënë që kjo të jetë në Paris, por mundet edhe këtu, në park, apo në dhomën e ditës, kudo që të jetë. Vetëm dua që edhe një herë të të them "po". - Nëse nuk ka lidhje ku, atëherë ma thuaj tani, këtu. - Pooo! Po dhe gjithmonë po! - bërtita me gëzim. FUND 


(Kosova Sot Online)