Roman dashurie: Në kohë të duhur (31)

  • 11 December 2019 - 13:24
Roman dashurie: Në kohë të duhur (31)

Arritën edhe disa porosi, në të cilat kërkonte falje dhe kërkonte që të bisedojnë, e më pas hoqi dorë. Lena e priti vjeshtën e vetme, ndërsa ishte e bindur që do të kalojnë edhe shumë vite para se të hynte në një lidhje të ngjashme me atë që e kishte me Petritin. Vizita te gjinekologu ishte një ankth i vërtetë për të. Shumë herë e kishte shtyrë kontrollimin nga frika se do të përballej me të vërtetën që nuk e dinte. Kur një femër me mantel të bardhë i tha që himeni është në vendin e duhur, Lena nuk dinte a të gëzohej apo të qante. Ishte ruajtur, por për kë?

A ekziston ai mashkull që pas tërë asaj që i ka ndodhur, pas 25 viteve të virgjërisë dhe pritjes së mashkullit të duhur, pasi që u sulmuam, u rrah dhe për pak nuk u dhunuar, dhe pas dashurisë me Petritin që përfundoi me një mashtrim të tmerrshëm, do të jetë mjaftueshëm i mirë për të që t'i dorëzohet? Sërish e freskoi miqësinë me Agimen, por ende ndiente një zbrazëti të madhe në shpirt. Qante shpesh, por nuk dëshironte që nëna t'i shohë lotët e saj.

KAPITULLI I TRIDHJETË

Të dyja u befasuan shumë, kur një zotëri paksa i vjetër me syze u paraqit në shtëpinë e tyre dhe u prezantua si avokati i babait të saj të ndjerë. Ganimetja dhe Lena i ofruan kafe, duke u frikuar që ky zotëri serioz do t'u sillte lajme të këqija, edhe pse as vetë nuk e dinin se çfarë lajme të këqija mund të dëgjoheshin pas vdekjes. Ai nuk dëshiroi kafe, duke thënë se ka shumë punë dhe që dëshiron që sa më shpejt ta përfundojë punën që e kishte me to. - Sa e di unë, ju nuk keni pasur raporte të mira e as kontakt të vazhdueshëm me të ndjerin. Njëzëshëm e konfirmuan një gjë të tillë. - Po, po, ashtu edhe mendova. Bashkëshorti juaj nuk ka ndonjë kishar të afërt? - Jo, prindërit i kanë vdekur kaherë, vëllai i tij i madh e humbi jetën para katër viteve, e nuk jemi njoftuar ndonjëherë me dikë tjetër. Nuk ka pasur familje të madhe. -Po, këto informata i di edhe unë. Më pas u kollit dhe iu drejtua Albulenës. - Zonjushë, pasi që ju jeni më e afërta me të ndjerin, ju njoftoj që e keni trashëguar tërë pasurinë e tij. Një pjesë të mjeteve financiare i ndjeri e ka ndarë për varrimin e tij, por ajo është një shumë jo e rëndësishme në krahasim me atë që e ka lënë për ju. Pasi që jeni e rritur, nuk do të ketë kurrfarë komplikimesh. Tani do t'jua dorëzoj informatat për pasurinë, e ju më pas do të vendosni çfarë do të bëni me të. - Mua? Mua ma ka lënë? Lena nuk mund të besonte. Pse babai i saj do të dëshironte që t'i lërë çdo gjë bijës, të cilën dikur e kishte qitur jashtë shtëpisë si të ishte ndonjë qen? - Nuk jua ka lënë juve, nëse mund të them më saktësisht. Dihet që ka menduar se do të jetojë shumë më gjatë se që ka jetuar dhe nuk ka menduar për ta bërë ndonjë testament. Por ligji është ligj dhe unë jam këtu, si avokat i tij, që t'ju njoftoj për të drejtat tuaja. /Vijon


(Kosova Sot Online)