Ngjarje e vërtetë: Si më ktheu në jetë vajza pas fatkeqësisë në trafik (1)

  • 11 December 2019 - 13:27
Ngjarje e vërtetë: Si më ktheu në jetë vajza pas fatkeqësisë në trafik (1)

Binte shumë shi dhe trafiku në qytet ishte në kaos më të madh se zakonisht. Dukej sikur ishin bërë punime në rrugë, sepse rrugët me të vërtetë ishin të mbushura me vetura. Isha e ulur në veturën time dhe po e shtrëngoja timonin, duke pritur që kolona më në fund të lëvizë. Shikimi vazhdimisht më shkonte në drejtim të orës. Në ulësen e pasagjerit e kisha lënë listën me klientë, që duhej t'i vizitoja dhe kisha frikë se nuk do të arrij në asnjë takim, edhe pse më me dëshirë do t'i shmangia të gjithë. Për tashmë 15 muaj po punoja në një kompani, e vetmja që më ofroi punë, përkundër diplomës sime të Fakultetit Ekonomik. U telefonoja borxhlinjve ose takohesha me ta për t'i njoftuar me masat ligjore, që do të merreshin kundër tyre, nëse nuk do t'i kthenin borxhet.

E urreja punën time momentale, më dukej vetja si një shushunjë që thith pikat e fundit të gjakut të atyre që ishin para vdekjes. Por, nëse më ishte mërzitur aq shumë ajo punë, pse po e bëja atëherë? Për shkak se paga e burrit tim, Naimit, nuk ishte e mjaftueshme për kthim të kredisë, pagesë të faturave dhe dy javë pushimi në det që ishin si terapi për bijën tonë Donikën, vajzën bionde me sy të kaltër, e cila sipas diagnozës mjekësore kishte bajame të rritura dhe ishte, siç thuhet, fëmijë limfatik. "Dielli, deti dhe të ushqyerit e duhur do të bëjnë mrekulli, zonjë, më bindte mjeku herën e shkuar, kur Donika pati një angjinë të rëndë streptokoke dhe ishte e detyruar që ta përdorë terapinë kushedi të satën me antibiotikë për të parandaluar që bakteret të përhapen në zemër, veshka ose gjak. Në fakt, bijës sime i nevojiteshin muaj në det dhe diell, e jo vetëm 15 ditë, por megjithatë, mezi ia dilnim t'ia mundësojmë edhe ato dy javë. Derisa po depërtoja nëpër trafik, po mendoja sesi bija ime 3- vjeçare, ende e dobët dhe e lodhur, me siguri është ulur në kuzhinë, derisa zonja Mire, fqinja jonë, e cila për një shumë simbolike kujdesej për vajzën derisa ne ishim në punë, përpiqet që ta bindë që t'i hajë së paku disa lugë keksë me qumësht. Do të duhej të isha me të, thashë me vete. Donika po vuante për shkak të mungesës sonë. Kishte nevojë për dashuri. E vëreja këtë në mbrëmje kur kthehesha nga puna, kur ajo më hidhej në përqafim, duke më shtrënguar fort. - Mami, mami, u ktheve! A do të luash tani me mua? Gjithmonë ulesha me të në qilimin e mbushur me kukulla e lodra të tjera, kur zonja Mire shkonte në shtëpi, por pas disa minutave më duhej që ta përgatis darkën, t'i fus rrobat në rrobalarëse dhe të merrem me punë të tjera të shtëpisë.

Donika ndihej e dobishme dhe gëzohej shumë kur i lejoja që të më ndihmojë. - Babi, shiko si e kam pastruar tavolinën!, i tha të shtunën e shkuar, kur Naimi doli nga dhoma e fjetjes, duke kërkuar me shikim gazetën. - Të lumtë, e lavdëroi ai duke e qitur kafenë në filxhan. Por, buzëqeshja i humbi menjëherë nga fytyra. - Nuk ka më sheqer, Jehonë!, bërtiti i shqetësuar. Çfarë më duhet ena e zbrazët në tavolinë? - Pse nuk po e mbush vetë?, iu përgjigja e nevrikosur. Kohëve të fundit kjo po më ndodhte shpesh. Ta hajë djalli, madje edhe Naimi e dinte që nuk kam fare pushim! Pse nuk kujdesej ai për disa gjëra? Pse nuk më ndihmonte? Duket se fare nuk ishte i interesuar që të më ndihmojë. Në fakt e dija cila ishte arsyeja. Burri im nuk dëshironte që unë të punoj. Në fillim në mënyra të shumta provoi që ta pengojë vendimin tim. Kurrë nuk provoi që të ma ndalojë, sepse një gjë e tillë nuk ishte në natyrën e tij. Ai dëshironte që unë vetë t'i kuptoj arsyet e tij dhe t'i pranoj ato. Por, unë nuk kuptoja pse duhet që të heqim dorë nga kënaqësitë e vogla të jetës, të cilat me një pagë nuk mund t'ia lejonim vetes. Pse të mos i ofrojmë bijës sonë të gjitha që i duhen? Pse të mos ia lejoj vetes mundësinë që të dëshmoj se jam e vlefshme, që mund t'i ndihmoj financiarisht familjes sime? Ia thosha këto gjëra, duke theksuar se ishte e rëndësishme për mua që të jem person i vlefshëm. Të qenët amvise më dukej sikur të kisha krahët e prerë dhe nuk dëshiroja që të dorëzohem para se të provoj që me forcat e mia ta gjej rrugën time. Në fund, edhe pse ishte ende kundër, Naimi lëshoi pe, por që nga ai moment ndryshoi lidhja jonë. /Vijon/


(Kosova Sot Online)