Ngjarje e vërtetë: Si më ktheu në jetë vajza pas fatkeqësisë në trafik (2)

  • 12 December 2019 - 15:18
Ngjarje e vërtetë: Si më ktheu në jetë vajza pas fatkeqësisë në trafik (2)

Në fillim ndryshim mezi vërehej, e më pas filloi që të shprehej gjithnjë e më shpesh në shikimet e zemëruara, tonet e ngritura dhe me heshtjet gjithnjë e më të gjata, natyrisht, mendova duke marrë frymë thellë derisa po i tejkaloja veturat tjera në rrugën e lagur nga shiu, atmosfera në shtëpinë tonë nuk ishte edhe aq e këndshme. Naimi e kishte një punëtori automekaniku dhe po punonte shumë, por pa fitim të madh, sepse në afërsi të tij ishin hapur disa punëtori më moderne që ofronin të gjitha llojet e riparimeve. Problemet financiare, mungesa e kënaqësisë dhe motivimit filluan që të ndikojnë në lidhjen tonë. Sa kohë ka kaluar prej që i kemi thënë diçka të mirë njëri-tjetrit? Kur e humbën pasionin përqafimet tona të natës dhe u bënë të vakëta, sikur më nuk mund të ngroheshin nga zjarri i dëshirës që rrinte i ndezur vazhdimisht deri atëkohë?

Çfarë na përgatiste jeta, Naimit, mua dhe bijës sonë? Donika provonte që ta fshijë pluhurin nga mobiliet, duke mos e ditur, vajza e mjerë, që në lidhjen e prindërve të tyre ishin mbledhur shumë kilogramë me pluhur. Edhe pse isha duke menduar, por depërtoja nëpër kolonën me vetura duke i rënë borisë me histeri. Në fund e pashë autostradën dhe duke e rritur shpejtësinë u futa në komunikacion. Mendova se do të arrij me kohë në takimin e parë, kur e pashë që nga shiriti anësor po provonte që të më tejkalojë njëkamin. Ai ishte i çmendur? Fillova të frenoj, por gomat rrëshqitën në rrugën e lagur dhe vetura filloi që të lëkundet nga njëra anë në tjetrën, e më pas u përplas në pjesën anësore të kamionit. Më kujtohet vetëm përplasja e fortë, goditja në kokë dhe asgjë tjetër. Krejt çfarë më kujtohet pas përplasjes është se isha duke qëndruar pezull. Nuk po fluturoja në ajër por po qëndroja si një balonë dhe nuk ndjehesha keq. Trupi im nuk kishte peshë dhe nuk ndjeja asnjë dhimbje, vetëm rehati dhe lehtësi. Shikimin tim e tërhoqën disa zëra. Shikova poshtë dhe e çuditur me pak kureshtje, e pashë trupin tim të shtrirë në tavolinën e operacionit, derisa rreth meje me shpejtësi, si milingonat, po lëviznin njerëzit me mantele të bardha. Trupi im ishte i lidhur me gypa të ndryshëm. I dëgjova duke thënë: - Funksionet vitale, shpejt! Mashkulli që ishte ulur para monitorit as që e ngriti kokën. - Shtypja po bie. Pulsi po ngadalësohet. Jemi duke e humbur! Lëvizjet rreth tavolinës u shtuan dhe u shpejtuan, zërat u bënë edhe më të emocionuar. Më vinte që të qeshem. Pse po brengoseshin aq shumë? Unë isha shumë mirë.

E lodhur nga shikimi, dola nga dritarja. Shiu ishte ndalur ndërsa qielli ishte pa asnjë re dhe po shkëlqente si një sferë e kristaltë. Ishte ndjenjë shumë e mirë ajo e fluturimit. Fillova që të ngjitem më lartë, e lehtë si një pupël, e lirë sikur era. Shpirti im ishte i mbushur me një lumturi të madhe. Kurrë më parë nuk kam qenë aq e gëzuar. Po ngjitesha gjithnjë e më lartë kur papritmas një fuqi e pashpjegueshme filloi që të më tërheqë poshtë. Më dukej se po e dëgjoja një zhurmë të fortë të krahëve. A ishin zogj apo ndoshta engjëj? Provova që t'i rezistoj asaj ndjenje të peshës dhe fuqisë që më tërhiqte poshtë, por nuk munda që të qëndroj shumë. Po bija gjithnjë e më poshtë, nëpër dritën që më nuk ishte aq e shkëlqyeshme, dhe papritmas e pashë Naimit që ishte i ulur në sallën e pritjes. E mbante kokën dhe po qante, në fakt po dëneste. E përfshirë nga ndjenja e keqardhjes, u përula mbi të dhe dëgjova se si po fliste me veten, me një zë të thyer nga dhimbja: - Mos më lër Jehonë. Të lutem, qëndro me mua. Unë dhe Donika kemi nevojë për ty. E di që kaherë nuk të kam thënë se të dua. Ma ofro mundësinë që ta përmirësoj atë gabim. Ti gjithmonë ke qenë forca ime, lumturia ime, kuptimi i jetës sime, e unë megjithatë nuk i kam shprehur ndjenjat e mia. Tani më vjen turp nga vetvetja, a më kupton? Të më dukeshe aq e larguar, e zhgënjyer. Nuk dija si të të afrohem, dashuria ime. Zemra m'u thye. E përqafova, e mbështeta ballin tim në të tijin dhe sërish e ndjeva magjinë e humbur të dashurisë sonë të madhe. - Ne të dy jemi të pandashëm, i dashuri im, burri im besnik, dy varka të vogla në detin e stuhishëm, por jemi një çift dhe asnjë stuhi nuk mund të na ndajë, pëshpërita. - Edhe unë të dua. Ndoshta kemi qenë tepër të distancuar dhe të brengosur dhe kemi harruar që dashuria është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. (vijon) 


(Kosova Sot Online)